E Diel, 1 Nëntor 2026

Qarku akuza Qeverisë: S’ka asnjë strategji për ndihmat

02/02/2005  Rezervat ushqimore mund të mbarohen brenda5 ditësh, ndërkohë që rrugët janë duke u bllokuar sërish

SHKODER - “Situata e vështirë që ka përfshirë zonat e thella të Qarkut të Shkodrës e gjeti të papërgatitur pushtetin qendror në të gjitha drejtimet”. Kështu shprehet kryetari i Qarkut Shkodër, Lorenc Luka, i cili theksoi se u vu re mosfunksionimi i strukturave të qeverisjes në momentet e para. “Shteti duhet të ketë struktura të specializuara për t’i superuar me sukses këto raste. Në të vërtetë pati një reagim në rang ministrash dhe zv.kryeministrit, sepse Kryeministrin u mësuam ta shohim larg në raste fatkeqësish, por edhe këto ishin disi të vonuara. Më tepër na u duk si paradë me mjete dhe jo punë efikase me njerëz. Kjo, sepse forcat xheniere, që duhet të kishin qenë në gatishmëri të plotë dhe duhet të ishin aktivizuar menjëherë, nuk u panë asgjëkundi” u shpreh Luka, i shqetësuar për situatën në të cilën ndodhen zonat e thella të Shkodrës. Më tej, ai vazhdoi: “Shteti nuk ka ndërtuar një infrastrukturë për rastet emergjente. Në rastet e emergjencës duhet bërë çmos që energjia të mos mungojë dhe në komunat e bllokuara nga dëbora është ndërprerë plotësisht furnizimi. Për këtë duhej t’i bëhej një pyetje Harasanit se ku është gatishmëria? Ne kemi nevojë për mjete me zinxhir, biles janë të domosdoshëm. Në qoftë se shteti i ka, të na i sjellë”, shprehet Luka. Sipas Lukës, mungesa e strategjisë u vu re në përqendrimin e mjeteve në rrugët nacionale. “Duhet bërë shpërndarja me një strategji tjetër për t’i dërguar kudo. Mungoi një strategji e qartë për të manovruar në këto zona. Ministri i Financave ka deklaruar se është miratuar një fond për komunat dhe kryetarët e komunave duhej t’i hynin punës e të bënin kontrata për blerjen e sendeve ose të fillojnë procedurat për blerje”. Kryetari i Qarkut, shprehet se ka shkuar në bankë dhe ka kontaktuar me degën e thesarit, por dokumentacioni përkatës për tërheqjen e parave nuk ka ardhur akoma. Luka shprehet se, që nga 1997, asnjëherë Veriu nuk është marrë seriozisht nga Qeveria për furnizimin me rezerva ushqimore dhe medikamente. Para 1997-ës këto zona janë furnizuar me rezerva ushqimore dhe medikamente që nga muajt gusht-shtator.

“Zonat veriore kanë qenë dhe janë gjithmonë me probleme, jo vetëm me situata si kjo e tanishmja, por edhe nga problemet e akullit, që sjellin mosqarkullimin për shkak të rrëshqitjes”, deklaroi ai për “Metropol”.

“Ky fenomen është i njohur që më përpara, prandaj duhet t’i paraprijmë situatave emergjente. Sot po vijnë ndihmat, por rrugët në disa zona janë të pakalueshme dhe tani diskutojmë se si do t’i dërgojmë pranë banorëve që kanë nevojë. Për mendimin tim, shprehet kryetari i Qarkut Shkodër, Luka, ndihma e dhënë nga Qeveria nuk është e konsiderueshme, pavarësisht se është bërë përllogaritja sipas familjeve dhe sipas frymëve. Ndihma mund të quhet e momentit, ose e shprehur më qartë është e mjaftueshme për të përballuar një emergjencë,e shtrirë në afat kohor prej 4-5 ditësh. Por a jemi të sigurtë që rrugët në zonat e bllokuara totalisht do të arrihet të zhbllokohen? A jemi të sigurtë që s’do të ketë ngrica? Në qoftë se situata do të përsëritet, atëherë do të na duhet t’i fillojmë veprimet nga e para, gjë që do të ishte e pafalshme për të gjithë dhe katastrofike për zonat e bllokuara nga dëbora.

Gjendja e rrugëve Qarku Shkodër

Rruga Shkodër –Pukë

me një kalim, me zinxhirë

Rruga Shkodër – Koman

kalohet me zinxhirë

Rruga Shkodër-Prekal–Kir

e kalueshme me zinxhirë

Rruga Kir-Shosh–Shalë

janë akoma të bllokuara

Rruga nga Muri i turkut–Cukal

krejtësisht e bllokuar

Rruga Hot-Rrapsh-Tamarë-Selcë

e kalueshme me zinxhirë

Rruga Selcë-Vermosh e bllokuar

Rruga Dedaj – Razëm

kalohet me zinxhirë

Rruga Dedaj-Bogë

kalohet me zinxhirë

Rruga Bogë-Theth-Dukagjin

është e bllokuar

Rrugët Qafë Mali-Fierzë

është e bllokuar

Rruga Fushë Arrëz-Iballë

Është e bllokuar

Fillon tërheqja e ndihmave

SHKODER - Ndërkohë sot filloi tërheqja e ndihmave ushqimore nga magazinat e rezervave të shtetit në Gradeskie të Malësisë së Madhe. Përfaqësuesit e komunave të zonave të bllokuara, nëpërmjet dokumentacionit të përcaktuar që më parë, filluan tërheqjen e ndihmave për t’i dërguar pranë ndërtesave të komunave të tyre. Që aty do të fillojë pastaj shpërndarja e ndihmave sipas frymëve dhe sipas familjeve. Përkatësisht sot u bë tërheqja e ndihmave nga komuna Vermosh, nëpërmjet mjeteve të ushtrisë. Komunat Temal, Pult, Shkrel, i tërhoqën ndihmat ushqimore nëpërmjet mjeteve të tyre. Ndërkohë po mendohet që për të shpërndarë ndihmat e programuara për komunat Shalë, Shosh dhe Shllak, të vihen në dispozicion mjetet ajrore të ushtrisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›