Qarkullimi, Bashkia tregon rrugët që do bllokohen

Qarkullimi i automjeteve në qendër të Tiranës ka një tjetër itinerar. Për shkak të punimeve që po kryhen, janë bllokuar disa akse, duke devijuar trafikun. Sipas specialistëve të bashkisë janë marrë dhe masa për të mos bllokuar lëvizjen e makinave.
Kështu është mbyllur gjysma e Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", në drejtim ngjitës. Gjithashtu edhe segmenti i rrugës Luigj Gurakuqi nga sahati te sheshi Avni Rustemi pjesa djathtas, është bllokuar.
Ndërkohë që do të lejohet qarkullimi me kapacitet të plotë në rrugën “Abdi Toptani”. Gjithashtu do të jetë e kalueshme për automjetet Rruga e Dibrës, ndërkohë që përsa i përket bulevardit "Zogu i parë", ai do të jetë njëlloj funksional.
Ndërkohë që transporti publik do të vazhdojë edhe në pjesët e bllokuara, për të mos rënduar trafikun. Por kjo është faza e parë e punimeve, sepse me fazën e dytë priten ndryshime të reja në devijimin e trafikut. Por ata që preken më shumë nga këto ndryshime të qarkullimit janë drejtuesit e automjeteve.
Por megjithë bllokimin në disa pjesë, ka dhe nga ata drejtues automjetesh që thyejnë rregullat, edhe nën praninë e efektivëve të policisë rrugore, pa marrë vërejtje apo gjoba nga këta të fundit.