E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qato: Ky është fillimi i fitoreve

Boksieri shqiptar, Kreshnik Qato në një intervistë për emisionin "Ora Sport" në televizionin "Ora News" u shpreh se nuk është tunduar nga ofertat e vendeve të huaja. "Më bënë ofertë për të boksuar për Anglinë, por unë dua të ndeshem vetëm për flamurin shqiptar", tha Qato. Boksieri Qato premtoi se fitoret e tij të deritanishme janë vetëm fillimi i surprizave të mëdha. Kampioni i botës në versionin WBF falenderoi në mënyrë të veçantë kompaninë "Yldon" dhe promotorin, Ylli Ndroqi për mbështetjen e madhe që i kanë dhënë.
Duke folur për njohjen e tij me promotorin, Ylli Ndroqi, Qato tha se është takuar rastësisht në Londër me zotin Ndroqi. "Jemi njohur krejt rastësisht dhe pak nga pak mora mbështetjen e zotit Ndroqi", tha Qato.
Boksieri tha se fillimi i tij në këtë sport ka qenë tepër i vështirë. "Por kisha një ambicie personale që do merresha me boks në Londër dhe sot kam arritur atë çka kam sot ', shtoi ai. Kampioni i botës në versionin WBF, Kreshnik Qato, duke iu referuar ndeshjes së fundit tha se ka ndjerë emocione të paarritshme, mbi të gjitha nga mbështetja e fansave. "Ndaj falenderoj promotorin tim Ylli Ndroqi që bën të mundur bashkimin e shqiptarëve në një ndeshje boksi", tha ai.
Qato tha se bën 3-4 orë stërvitje çdo ditë. Boksideri rrëfeu në "Ora Sport" se sfida e radhës do jetë ndeshja me Vitor Sa në Portugali.
Në intervistën për Ora News, Kreshnik Qato, ka rrëfyer për fillimet e tij në boks, për raportet me promotorin Ndroqi dhe deri tek sfidat e tij në të ardhmen.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›