E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qellohet drejtori i Inspektoratit te Ndertimit te Bashkise Ardit Kaja

Qëllohet teksa lëvizte me automjetin e tij tip “Hyndai” me targa TR 8116 R, drejtori i Inspektoratit të Ndërtimit të Bashkisë, Ardit Kaja.

Kaja është goditur në kofshën e majtë, dhe fatmirësisht sipas mjekëve të Spitalit Ushtarak, gjendja e tij është jashtë rrezikut për jetën.

Gjithsesi, Kaja vazhdon të jetë në terapi mjekësore si pasojë e plagës së marrë me armë zjarri.

Autorët dyshohet ta kenë ndjekur Kajën me motorr, dhe e kanë arritur në hyrje të sheshit “Skënderbej”, nga krahu i bulevardit “Dëshmorët e kombit”.

Pikërisht, para ministrisë së Mbrojtjes, motori i është afruar nga krahu i pasagjerit dhe e ka qëlluar, Kajën që ndodhej në timon.

Shërbime të shumta policore të Tiranës kanë shkuar në vendngjarje.

Veç oficerëve të lartë të policisë së qarkut në vendngjarje kanë shkuar edhe oficerë e titullarë të drejtorisë së krimeve të rënda në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë.

Hetimet e policisë janë fokusuar në verifikimin e angazhimeve të detyrës që ka Kaja, si dhe për konflikte të mundshme personale të tij për zbardhjen e ngjarjes.

Burimet policore nuk saktësuan nëse autorët janë fokusuar nga kamerat e sigurisë së godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, apo ministrisë së Brendshme.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›