Qëlloi mbi policët, kërkohet dënimi me 20 vite burg
03/06/2005 TIRANË – Prokuroria i kërkoi dje gjykatës dënimin e të pandehurit Sokol Vuçeta me 20 vite burg. Për akuzën, i pandehuri është fajtor për ngjarjen e ndodhur më 29 prill 2004, kur qëlloi mbi policët që kishin marrë detyrë të ekzekutonin vendimin e gjykatës ndaj tij dhe vëllait. Përfaqësuesi i akuzës, tha se i kërkuari i është përgjigjur me zjarr thirrjes së policisë, që vajtën në shtëpi për të ekzekutuar vendimin e gjykatës pas caktimit të masës së sigurimit burg pa afat. Së bashku me vëllain e tij, Luigj Vuçeta, në fillim të prillit të vitit të kaluar i morën një sasi të hollash shtetasit Nikolin Xhaferri. Për këtë vepër penale të parashikuar nga neni 109/1KP, Gjykata e Shkodrës caktoi për vëllezërit masën e arrestit burg pa afat në mungesë. Nga informacionet, policia zbuloi se Sokol Vuçeta ndodhej në banesën e tij. Kështu, në datën 29 prill, policët Astrit Ago, Eduard Rusta, Pjerin Lazi, Nik Çudi, Paulin Zhibani dhe Çesk Kaçi, morën detyrën për të ndaluar të pandehurin. Prokurori tha dje se akuza kundër të pandehurit u vërtetua plotësisht nga thëniet e vetë policëve në sallën e gjyqit. Për palën akuzuese, i pandehuri nuk është i sëmurë psikik dhe në këto kushte nuk duhet të dënohet si i tillë, pra të përjashtohet nga përgjegjësia ligjore. Policët treguan në gjykatë se vetëm pas ndërhyrjes së disa komshinjve, Sokol Vuçeta pas disa orësh qëndrese, arriti të dorëzohet.
Alma Çuka
Alma Çuka