Reali, revolucion me Sakin
23/12/2004 Florentino Perez e dëshironte me gjithë zëmër, pasi "është i sëmurë për futbollin dhe jeton në mënyrë të vazhdueshme me këtë lojë". Ky është përshkrimi i presidentit të Realit të Madridit, për Arrigo Sakin dhe nuk është nevoja që të bindë të tjerët. Ai zë që kishte qarkulluar ditët e fundit, është bërë zyrtar: Arrigo Saki është drejtori i ri teknik i skuadrës madrilene dhe do të fillojë punën në ditët e para të vitit 2005. Revolucioni i Realit të Madridit fillon me Sakin, që vjen si dhuratë e Krishtlindjeve. Real Madrid vendosi që të shikojë jashtë kufijve dhe rifillon me ish-trajnerin e të kaltërve. Sakit i afrohet një kontratë pa limit, me detyrën që të riorganizojë skuadrën e yjeve, ku në periudhën e fundit, suksesi ka munguar. Por Saki nuk do të ketë kartë të bardhë: do të punojë me Emilio Butragenjon, ndërsa ky i fundit do të ngjitet në këshillin drejtues, si zëvendëspresident i Realit. "Dëshiroja një njeri të futbollit, komentoi Perez, që nuk dëshiron të stërvisë, por që ka një përvojë të grumbulluar si trajner dhe drejtor sportiv. Dhe një njeri me këto karakteristika i përgjigjet emri i Arrigo Sakit". Këtë revolucion Perez, e dëshironte në fillim të sezonit, por ai hasi në pengesën e parë, atë të dorëheqjes së trajnerit të atëhershëm Kamaço, i cili u largua nga “galaktikët”, pas rezultateve negative. Ky ishte faktori kryesor, që Perez nuk arriti të fillonte tratativat me Sakin, që në atë periudhë. Megjithatë ëndrra e presidentit madrilen u bë realitet. Një nga legjendat e pankinës botërore do të fillojë revolucionin te Reali i Madridit, i cili gjatë këtij sezoni nuk ka patur shkëlqimin e duhur. Arrigo Saki do të jetë drejtuesi i ri teknik i Real Madrid, por sa do të paguhet pikërisht ai që disa kohë më parë, ka refuzuar pankinën e Milanit? Gazeta e përditshme spanjolle "AS" ka zbuluar se ish-trajneri i nacionales italiane do të përfitojë afërsisht 2.5 milion euro në sezon, një shifër me të vërtetë "galaktike" për një teknik klubi. Nga ana tjetër, Perez nuk e ka bërë zyrtare rrogën e Sakit: "Akoma nuk kemi biseduar, por e rëndësishme është që të dyja palët janë dakord". Saki te Real do të zëvendësojë Jorge Valdanon, i cili duket se ka dështuar si drejtor i përgjithshëm i Realit, gjatë kësaj periudhe.