E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqet PD, dekretet i ngelen Topit

• Partia Demokratike tërhiqet përfundimisht nga heqja e kompetencave të presidentit dhe dhënies së tyre kryeministrit për sa i përket firmosjes së dekreteve.

adi shkembi

Një ditë pasi kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatos Beja, tha se edhe vetë Kryeministri Berisha është shprehur kundër marrjes së kësaj kompetence presidentit të vendit, është marrë vendimi për të hequr këtë pikë nga drafti i propozuar nga deputetja Trashani. Rreth mesditës së djeshme, Kryeministri Berisha ka thirrur për rreth 45 minuta në zyrën e tij anëtarët demokratë në Komisionin e Ligjeve, Dashnor Sulën, Ilir Rusmalin, Fatos Bejën, Aldo Bumçin, Arenca Trashanin dhe Eris Hoxhën, me të cilët ka diskutuar për propozimet e PD-së për ndryshimet e Kushtetutës, jo vetëm në kapitullin e Presidentit, por edhe përsa i përket reformës zgjedhore. Në përfundim të këtij takimi, deputeti i PD-së, Dashnor Sula, tha në një prononcim për mediat se përfundimisht neni 93 i Kushtetutës, që ka të bëjë pikërisht me dekretet, do të qëndrojë kështu siç është. Ndërkohë, burime brenda këtij takimi bënë të ditur dje për gazetën se gjatë diskutimeve ka qenë vetë Kryeministri Berisha, që nuk e ka pranuar një kompetencë të tillë. “Megjithëse kjo është një praktikë në disa vende evropiane ku kryeministri kundërfirmon dekretet e Presidentit, mua nuk më duket e drejtë, nuk ka pse të jetë këtu te ne”, mësohet të ketë thënë kreu i qeverisë. Ndërkohë, deputetja Arenca Trashani, e cila paraqiti draftin e propozimeve në Kushtetutë pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, e mbrojti këtë amendim me faktin se një pikë e tillë ndodhet edhe në kushtetutën gjermane. Por edhe pas këtij arsyetimi të Trashanit, Kryeministri Berisha mësohet se nuk e ka pranuar këtë pikë të draftit. Në nenin 93 në Kushtetutë thuhet se, “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”. Ndërkohë në variantin e PD-së i jepen kompetenca kryeministrit për të kundërfirmuar dekretet e nxjerra nga kreu i shtetit. “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete. Dekretet e presidentit kundërfirmohen nga kryeministri ose ministri përkatës, me përjashtim të dekretit për shpërndarjen e Kuvendit në përputhje me nenet 87 dhe 104”, theksohet në amendimet e paraqitura pak ditë më parë nga deputetja e PD-së, Arenca Trashani. Ndërkohë, në takimin e djeshëm mes Kryeministrit Berisha dhe anëtarëve demokratë të Komisionit të Ligjeve, është diskutuar gjatë edhe për propozimet e dy partive të mëdha, për sa i përket reformës zgjedhore në vend. Burimet bëjnë të ditur se Kryeministri Berisha është shprehur pro variantit të paraqitur nga Partia Socialiste, duke thënë se ky variant zhduk fenomenin e dushkut. Kreu i qeverisë mësohet të ketë thënë se reforma zgjedhore duhet miratuar me konsensusin e plotë të opozitës dhe veçanërisht me votat e Partisë Socialiste, si forca më e madhe politike në opozitë. Ndërkohë, për të diskutuar ndryshimet në Kushtetutë si për presidentin, kryeministrin, kryeprokuroren, por edhe për ato të reformës zgjedhore, pritet që sot paradite të ketë një mbledhje të grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Kjo mbledhje vjen edhe pas deklaratës së Bejës një ditë më parë, i cili tha se amendimet e Trashanit nuk janë diskutuar më parë as në grupin parlamentar dhe as në kryesinë e PD-së. “Përsa i përket ndryshimeve në Kushtetutë, zonja Trashani, si relatore solli në komision një draft me disa pika, që përfshijnë kapitujt e Presidentit, Kryeministrit dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Për këtë draft nuk është mbledhur as grupi parlamentar i PD-së dhe as kryesia, por do të diskutohet gjithçka në komision. Duhet të bëhen votat për ndryshimin e Kushtetutës, pasi ju e dini që duhet një numër i caktuar votash për të bërë këto ndryshime”, u shpreh Beja.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›