E Diel, 1 Nëntor 2026

Qemal Vlora: Gjyshin tim, të birin e Ismail Qemalit e izoluan në burg, deri në vdekje misterioze

Ai ka jetuar në mes të Tiranës. As më pak dhe as më shumë, por është vetë nipi i të birit të Ismail Qemalit. Pra gjyshi i tij është i biri i Ismail Qemalit. Askush s'e ka njohur dhe askush s'e ka dëgjuar ndonjëherë, as në komunizëm dhe as në Shqipërinë antikomuniste. Qemal Vlora, nipi i Qamil Vlorës, djalit të vogël të Ismail Qemalit, ndërsa flet për harresën që shteti komunist ka bërë ndaj pasardhësve të Ismail Qemalit, tregon edhe faktet, jo vetëm të pabesueshme, por edhe rrëqethëse. Gjyshi i tij që ishte Qamil Vlora, i biri i Ismail Qemalit, pas ardhjes nga Franca ku kishte jetuar deri në vitin 1940, vendosi të jetonte në Tiranën që i kishte lënë amanet i ati, Ismail Qemali, i cili kur kishte mbyllur sytë u kishte pëshpëritur fëmijëve, që 'nuk ju lashë dot pasuri, por ju lashë amanet Shqipërinë'. Por i biri i tij që vendosi të rrinte këtu, nuk e dinte se do ta priste një fat shumë i keq. Qeveria komuniste që erdhi në pushtet do ta arrestonte me akuzën banale të armëmbajtjes pa leje. Pas një viti burg në qelitë e ftohta të burgut të Tiranës, ai do të merrte një të ftohtë të fortë, nga i cili do t'i vinte vdekja. Por edhe vdekja s'ishte thënë që të birit të Ismail Qemalit t'i vinte në mënyrë normale. Atij nuk i lanë të birin, i cili ishte ushtar në Korçë, që t'i shkonte pranë në momentet e fundit, megjithëse jua kërkoi me përgjërim disa herë. Pra djalit të Ismail Qemalit nuk i lanë të birin, që ishte nipi i Ismail Qemalit, që ta takonte për të fundit herë. Pikërisht Qemal Vlora tregon për momentet e arrestimit dhe jetës së gjyshit të tij, që ishte siç thamë, i biri i Ismail Qemalit.

Zoti Vlora, do të donim të dinim për trungun, për fëmijët më konkretisht të Ismail Qemalit. Sa fëmijë ka pasur, si e kanë pasur historinë e tyre dhe juve në çfarë linje të trungut gjenetik të Ismail Qemalit jeni?
Unë jam nipi i djalit të vogël të Ismail Qemalit, Qamil Vlorës. Pra im atë është nipi direkt i Ismail Qemalit në linjë mashkullore. Sepse Ismail Qemali, që shumë pak veta mund ta dinë, ka pasur 6 djem dhe tre goca. Gocat janë martuar dhe sigurisht kanë pasardhës, ndërsa nga djemtë, pasardhës direkt nga Ismail Qemali kanë lënë djali i madh, Mahmuti dhe djali i vogël, Qamili, që është gjyshi im. Ndërsa fëmijët e tjerë nuk janë martuar dhe nuk kanë lënë pasardhës.
Ka qenë edhe djali i pestë i Ismail Qemalit i martuar me sa jemi të informuar. Qazim bej Vlora, që ka qenë edhe sekretari i tij personal, ka qenë martuar që në vitin 1936 me Behije Ohrin, e cila kishte mbërritur në Shqipëri nga trojet shqiptare të Maqedonisë. Është e vërtetë?
Është shumë e vërtetë se ka qenë edhe djali i pestë i tij i martuar, por ai ka një histori disi të komplikuar në drejtim të pasardhësve. Kjo, për faktin se Qazimi është martuar vonë me një grua, por nuk ka pasur fëmijë. Kjo histori disi e komplikuar e Qazimit u avancua akoma në drejtim të kundërt të fatit të tij, derisa si përfundim ngeli në Strugë, ku dha dhe frymën e fundit. Pra shumë afër Shqipërisë. Fakt shumë i hidhur ky, po të kesh parasysh se ke të bësh me të birin e burrit të madh të themelimit të shtetit, sekretar i të cilit ishte ai vetë e tashmë vendi i tij nuk kishte mundësi ta mbante deri në frymën e fundit, por i tregoi rrugët e emigrimit.
Ma sqaroni dot ju lutem historinë e komplikuar të të birit të Ismail Qemalit, që s'ka lënë pasardhës?
Ai, siç edhe e përmendët vetë, quhej Qazim bej Vlora dhe ishte fëmija i pestë i gjyshit të babit tim, Ismail Qemalit. Qazim bej Vlora apo xhaxhai i tim eti u martua në moshë shumë të madhe, pasi deri atëherë rrethanat dhe situatat e kishin bërë të mos kishte krijuar akoma familje. Ishte viti 1936 kur miqtë e tij shumë të afërt, sidomos njëri prej tyre që kishte qenë dhe mik i Ataturkut, i rekomandoi dhe insistoi t'i jepte për grua motrën e tij, e cila kishte ngelur e ve, pasi i kishte vdekur i shoqi që kishte qenë kryetar komune në Shën Vlash të Durrësit. Ajo ishte Behije Ohri, e ardhur para disa vitesh nga trojet shqiptare të Maqedonisë, pikërisht nga Struga. Behija ishte me katër fëmijë dhe kishte ngelur në mes të katër rrugëve. Qazim Beu, duke qenë se ishte moshë e madhe dhe duke pasur parasysh që e kishte larguar vëmendjen nga familja, aq më shumë duke e ditur që Behija ishte motra e mikut të tij të hershëm, pranoi dhe e mori si bashkëshorten e vet. Pas kësaj, ai bëri një jetë të rregullt familjare, ku ajo mori më shumë kuptim kur ai u mor me edukimin e fëmijëve të saj. I rriti me preokupacion dhe ndërkohë u interesua për shkollimin e tyre. Por kjo ndodhi deri në kohën kur iu ndërpre pensioni, se pas kësaj, i revoltuar nga qeveria komuniste dhe personalisht nga Enver Hoxha, ai u largua me të shoqen në Strugë, në ish-shtëpinë e dikurshme të saj, ku dha dhe frymën e fundit. Pra, Qazimi nuk bëri fëmijë me Behijen, por u mjaftua me rritjen dhe edukimin e tyre. Më vjen shumë mirë që ata tashmë ia dinë shumë dhe e konsiderojnë krenari që e kanë pasur njerk, sepse kanë përfituar shumë në edukimin e tyre të përgjithshëm. Por që t'i vë pikën kësaj pyetje, është fakt se ky nuk la trashëgimtarë gjenetikë siç lanë dy djemtë e tjerë të Ismail Qemalit, që unë jua përmenda më lart.
Më e veçanta është që dy djemtë e Ismail Qemalit, ashtu si dhe dy vajzat, kanë jetuar në mes të Tiranës kur burri i Pavarësisë ishte kthyer në ikonën e krenarisë kombëtare?
Shumë pak veta e dinin që në vitet '50-'60 ishte akoma gjallë çuni i Ismail Qemalit, i cili ka qenë dhe krahu i djathë i Ismail Qemalit, sepse ka qenë edhe sekretar, edhe këshilltar i Ismail Qemalit, dhe për më tepër, - gjë që nuk dihet nga shumë njerëz të thjeshtë që e kanë parë historinë në mënyrë sipërfaqësore, pra jo me një studim të mirëfilltë, - jo vetëm Qazimi, po dhe Et'hemi, djali tjetër i Ismail Qemalit, ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë në kontributin që ka dhënë Ismail Qemali për pavarësinë e Shqipërisë.
Pra, të dy fëmijët kanë qenë në çdo hap diplomatik të tij?
Po, të dy fëmijët kanë qenë pothuajse bashkangjitur Ismail Qemalit gjatë gjithë veprimtarisë së tij drejt pavarësisë së Shqipërisë.
Këta fëmijë ishin...?
Këta ishin Et'hem beu Vlora dhe Qazim Vlora.
Çfarë përfundimi patën?
Qazimi, siç e thashë pak më parë, përfundoi në Strugë, bile duke iu prerë dhe pensioni nga koha e Enver Hoxhës, pension që i jepej si fëmijët e një patrioti të madh të Shqipërisë, por dhe për kontributin e tij personal, që sa e përmendëm, ku nuk iu ndanë të atit të tyre në gjithë veprimtarinë e tij titanike në skutat e kalbura dhe dashakeqëse të diplomacisë europiane në shërbim të çështjes kombëtare, deri sa mundi të vinte te dita e 28 Nëntorit të 1912-ës, që shqiptarët e kthyen në ditën-lapidar të kombit. Por dhimbshëm ai, pra Qazim bej Vlora, u detyrua të largohej, të ikte në Strugë.
Edhe gjyshi juaj, pra i biri tjetër i Ismail Qemalit, me sa kam mësuar ka pasur histori jo më pak të dhimbshme, apo jo?
Histori po kaq të dhimbshme kishte edhe gjyshi im, djali i vogël i Ismail Qemalit, Qamil Vlora, që për një fakt qesharak, për kapje armë pa leje, u dënua në burg gjashtë muaj, ku dhe u ftoh e ndaj u shtrua në sanatorium...
Qamil Vlora?! Ka qenë afër Ismail Qemalit?
Ky është djali i vogël i Ismail Qemalit dhe nuk pati kontribuuar, se ka qenë shumë i vogël gjatë kohës së pavarësisë. Megjithatë është marrë me diplomaci; si duket trashëgimi e familjes sonë paska qenë diplomacia.
Në çfarë periudhe është futur në burg djali i vogël?
Ky është futur në burg në '49-ën.
Ky ishte gjyshi juaj?
Gjyshi im, pas gjashtë muajsh si kishte dalë nga burgu, vdiq në sanatorium nga të ftohtit që mori në qelinë e tmerrshme ku kishte hyrë për një akuzë qesharake. Më tragjikja dhe më poshtërsia për të është bërë kur ai u ka kërkuar një letër në spital dhe i shkrojti të birit, pra babait tim që ishte ushtar në Korçë, që të vinte me leje që ta takonte për të fundit herë. Pra ai donte të birin për t'i qenë pranë gjatë momentit të vdekjes. Por, mund të të duket e pabesueshme por të birit, që është babai im, nuk i dhanë leje nga ushtria për ta takuar për herë të fundit babain e vet, pra nipit të Ismail Qemalit nuk i dhanë leje për të takuar djalin e Ismail Qemalit në momentin fatkeq të vdekjes.
Duket e pabesueshme ky trajtim i fëmijëve të Ismail Qemalit, zoti Vlora...
Meqë dolëm këtu, desha të sqaroj se s'ka nevojë të zgjatem unë për kontributin që ka dhënë Ismail Qemali, i cili tashmë dihet dhe është trajtuar me festat e 28 Nëntorit, ku është lakuar edhe emri, është lakuar edhe kontributi, por, do të ndalesha këtu për t'ju kujtuar se gjithmonë Ismail Qemali është përmendur dhe vlerësuar vetëm personalisht, sikur nuk ka pasur paraardhës dhe as pasardhës. Si një njeri që ka lindur pa pritur e pa kujtuar, i vetëm, kontribuoi për pavarësinë dhe kaq, u mbyll gjithçka.
E përmendët disi rrethin e familjes së Ismail Qemalit në fillim të kësaj interviste...
Përmenda familjen e tij me vajza e djem, por nuk dihet akoma se Ismail Qemali vjen nga një familje shumë e madhe shqiptare me histori katërqindvjeçare e se pema gjenealogjike e familjes fillon që në 1400-ën, me një influencë të jashtëzakonshme në zonat e Vlorës dhe të Beratit, përherë në krye të këtyre krahinave. Ndërkohë, siç flasin edhe shumë materiale të shpalosura nga historianët kohët e fundit, paraardhësit e Ismail Qemalit i kanë paraprirë kësaj pavarësie me iniciativa nga më të ndryshmet për shkëputjen e Shqipërisë nga Turqia, të cilat janë mundur të bëhen realitet. Por gjithashtu siç thashë, nuk janë njohur as pasardhësit, që jo vetëm për faktin që kanë qenë fëmijët e Ismail Qemalit, por edhe për faktin e kontributit që kanë dhënë për historinë e Shqipërisë, sado i pakët të ketë qenë ai, aq më shumë duhet ta vlerësojnë të tjerët dhe jo të fshihen me forcë nga faqja e dheut.
Gjithsesi, jo vetëm për ata fëmijë të tij që kanë kontribuar në pavarësinë e vendit krah të atit, por edhe për gjyshin tuaj që ishte djali i vogël i Ismail Qemalit dhe që nuk mundi të ndihmonte për shkak të moshës së tij, nuk ishte aspak normale, madje do ta konsideroja tragjike, që është persekutuar në atë mënyrë, duke e ditur se çfarë kishte bërë babai i tij, Ismail Qemali për Shqipërinë, apo e kam gabim?
Nuk mund të them dot më shumë unë për gjyshin tim, se sa t'ju kujtoj disa fakte tepër të çuditshme, të cilat të bëjnë të kuptosh qartë vlerësimin që ka pasur shteti komunist për të. Kështu për shembull, fakti i parë është që gjyshit tim, që ka jetuar deri në vitin 1940 në Francë, Franca i ka akorduar në emër të Presidentit të Republikës medaljen e lartë "Shën Valie De Nar", që i thonë "Kavalier i Nderit", ndërkohë që kur kishte vetëm pak vite që ishte kthyer, Shqipëria i rezervoi burgun tragjik prej të cilit mori dhe të ftohtin e pashërueshëm "Bronkopneumoni", ku dhe vdiq gjashtë muaj pas daljes prej tij.
Gjyshi juaj është me titullin "Shën Valie De Nar", akorduar nga presidenti i Francës?
Po, me titullin "Shën Valie De Nar". Kemi certifikatën që ka marrë në Francë gjatë periudhës që ka ndenjur në Francë.
Ndërsa në Shqipëri hyri në burg...?
Në Shqipëri hyri në burg për një fakt banal, bile po të shikohet, faktikisht edhe në regjistrat e arrestimit nuk i është shkruar tamam emri 'Qamil Ismail Qemal Vlora', sepse një fakt i tillë do verifikonte që ky është çuni i Ismail Qemalit, por është ndryshuar edhe emri i tij në 'Qamil Ibrahim Vlora', që të mos binte në sy e kur të shikohej të ndalej dhe të thuhej 'O po prit', se kushdo që do e shihte, do pyeste, që ç'ne është Ismail Qemali i ati.
Po me fëmijët e tjerë të Ismail Qemalit, çfarë ka ndodhur?
Gocat, siç thashë, u martuan dhe njëra gocë që ka qëndruar në Shqipëri, pas shumë përpjekjesh ka mundur të largohet afër së bijës, që ishte martuar jashtë, që është e ëma e Nermin Vlorës, mbesa e Ismail Qemalit, goca e gocës...
Pra, e ëma e Nermin Vlorës është mbesa e Ismail Qemalit?
Nermin Vlora është stërmbesa e Ismail Qemalit.
Pra, ju jeni një brez me Nermin Vlorën, me Orhan Zershatin...?
Me Orhan Zershatin, që është po nga një gocë tjetër e Ismail Qemalit, dhe kjo pak a shumë për këtë brezin e parë të fëmijëve të Ismail Qemalit.
Si thoni ju, pse mund të ketë qenë gjithë kjo egërsi mbi pasardhësit e Ismail Qemalit në Shqipërinë komuniste?
Fatkeqësia e këtyre që ndenjën në Shqipëri nga pasardhësit e Ismail Qemalit dihet tashmë, se edhe këto ditët e fundit është bërë shumë prezent fati i tyre. Ndërsa në lidhje me arsyen, kuptohet qartë pse ky persekutim i fëmijëve: Për mosrënie shkëlqimi të pushtetarëve të rinj, të cilëve për hir të së vërtetës nuk u janë dashur fare pinjollët e familjeve të mëdha, sidomos të Ismail Qemalit, pasi kanë dashur që historia të fillonte prej tyre, pavarësisht se një veprim i tillë është zbehje e figurës së Ismailit, se s'ka se si të ndodhë ndryshe kur i persekuton fëmijët. Kështu për shembull, edhe im atë, edhe xhaxhai im, që janë nipërit e vetëm që ishin në Shqipëri të Ismail Qemalit, asnjëherë, me përjashtim të një rasti në vitit '62, nuk janë thërritur në ceremonitë jubilare me rastin e ditës së pavarësisë së vendit.
Kush xhaxha?
Xhaxhai im, Ismail Vlora dhe im atë, Xhevdet Vlora, të dy bijtë e Qamil Vlorës, çunit të vogël të Ismail Qemalit, nëpër festat që organizonte qeveria për përvjetorët e pavarësisë nuk kanë qenë asnjëherë të ftuar, me përjashtim të '62-it. Vetëm një herë në '62-in, për pesëdhjetëvjetorin, janë ftuar në Vlorë dhe këta kanë bërë ritualin e tyre. Kanë vajtur te varri i Ismail Qemalit për pavarësinë, kanë lënë kurorën e tyre, ndoshta bile dhe me një çikë rrezik, se dukej si sfidë për pushtetin e asaj kohe. Po kanë bërë ritualin e tyre, e kanë nderuar jo vetëm si gjysh Ismail Qemalin, por edhe për veprën që ka dhënë, për kontributin që ka dhënë për Shqipërinë dhe si shqiptar.
Si janë trajtuar në lidhje me mundësinë e punësimit, babai dhe xhaxhai juaj, si nipër të Ismail Qemalit?
Tim atë e çuan mësues në Shën Gjergj, xhaxhain e futën punëtor në fabrikën e bukës, pra një vlerësim, në qoftë se quhet vlerësim...
Po në periudhën pas viteve '90-të, pas rrëzimit të komunizmit, juve, çfarë preferencash patët nga shteti i mëpasshëm?
E çuditshme është, sepse normal që demokracia jep më tepër hapësira, lëviz më kollaj, sepse ndoshta në pushtetin e mëparshëm nuk mund të pretendoje dot të merrje ftesë, po edhe tani mbrapa, në shumë raste duhet të përpiqesh për të marrësh ftesë në rastin e përvjetorit të pavarësisë. Pra, ftohen shumë vetë, edhe pasardhësit, gjë që është ritual i zakonshëm për ceremonitë e festës...
Juve, i kërkonit vetë ftesat?
Në shumicën e rasteve jemi përpjekur vetë.
Pra protokolli i Presidentit apo Kryeministrit nuk i ka të regjistruar emrat e pasardhësve të familjes së Ismail Qemalit?
Ne do ikim t'i kërkojmë vetë në Presidencë para festës së 28 Nëntorit.
Asnjëherë nuk njoftoheni vetë, personalisht?
Personalisht, fatkeqësisht jo. Emrat e askujt nga trungu i Ismail Qemalit nuk figuron në asnjë listë protokollare për të marrë pjesë në ceremonitë e posaçme për ditën e Pavarësisë të paktën.
Nga sa iu kanë folur babai apo xhaxhai juaj për Qazim bej Vlorën, që ka qenë, mesa kemi dijeni, sekretar dhe këshilltar i Ismail Qemalit, pra ishte ndërkohë dhe një diplomat i mirëfilltë pasi ka shoqëruar të atin kudo, çfarë karakteristikash kanë përshkruar këta për personin e tij?
Unë kam të fiksuar një fakt që më ka bërë me të vërtetë përshtypje për Qazimin, që Ismail Qemali e quante "memoria ime". Pra për të gjitha takimet, të gjitha bisedimet, të gjitha tematikat që Ismail Qemali kishte zhvilluar apo do të zhvillonte, për rifreskim kishte Qazimin. Pra për çdo gjë: "Qazim, kur e kemi këtë takim?", "Qazim, si e lamë për këtë problem?". Është shprehur vetë Ismail Qemali dhe unë e kam dëgjuar gojë pas goje nga prindërit e mi dhe nga xhaxhai, që Qazimi qe memoria e Ismail Qemalit. Pra, për çdo lloj problematike që i dilte ka qenë i bashkangjitur si të thuash.
Çfarë cilësish kishte ai si person, nga sa keni dëgjuar, nga sa jeni informuar?
Ka qenë fjalëpak, ka qenë i qetë si natyrë dhe tip studioz. I ngjiste fjala shumë kur jepte një mendim dhe nuk nxitohej asnjëherë të fliste para se të përtypte mirë atë çka do të thoshte. Ecte qetë në rrugë. Nuk i tërhiqte vëmendjen asgjë rreth e rrotull, aq sa në rast se nuk do t'i flisje kur ecte në trotuar, bënte vaki që nuk do të të shikonte edhe sikur të shkëmbeheshe me të.
Keni marrë informacion të plotë mbi një ngjarje, për mënyrën si është takuar me Enver Hoxhën dhe për mënyrën si ka protestuar para Enver Hoxhës, në atë kohë kryeministër, menjëherë pas çlirimit?
Po, e kam dëgjuar edhe këtë fakt, që xhaxhait të tim eti, Qazimit, i ndërpritet pensioni pas viteve '45, dhe Qazimi arrin ta takojë dhe pasi ia shpreh këtë fakt, që i është ndërprerë pensioni, kur shikon se nuk gjen asnjë dritë jeshile për mbështetje prej tij, atëherë i thotë Enver Hoxhës që "fotografinë e tim eti s'ke të drejtë ta mbash atje, sepse një njeriu që nuk i respekton fëmijën, detyrimisht nuk ke respekt as për të atin". Fakt shumë i trishtë ky, por që është përmendur shpesh me zë të ulët nga im atë dhe xhaxhai im në atë kohë kur bëheshin bashkë.
Pas largimit në Strugë, ka pasur kontakte me vëllezërit e vet apo me nipërit e vet, që ishte yt atë?
Jo, jo, jo, s'ka pasur më kontakt fare me familjen tonë.
Kur Qazim Beu vdiq në '53-in në Strugë, yt atë ka marrë ndonjë informacion, është njoftuar që i vdiq xhaxhai?
Jo, këtë fakt nuk e di. Babai im s'besoj që të jetë informuar. Në këtë periudhë, siç iu thashë edhe juve, xhaxhain tim nuk e lejuan të takonte të atin e jo më pastaj të takonte xhaxhain. Edhe kur vdiq im atë, edhe kur vdiq gjyshi im, nuk është se e ka vënë kush ujin në zjarr.
Dini gjë, keni informacion për dokumentet origjinale të Pavarësisë, të cilat thuhet se ky i kishte me vete, madje i ka marrë edhe për në Strugë, nuk i lëshonte nga duart?
Qazimi, normal që ka pasur me bollëk dokumentacion të periudhës komplet të pavarësisë, edhe për faktin se ishte këshilltari dhe sekretari i Ismail Qemalit. Këto dokumente i bie të zbulohen, se rrezik kanë përfunduar në Strugë.
Marr shkas zoti Vlora, nga një deklarim që ka bërë djali i birësuar i tij, Edip Ohri, i cili thotë që kishte një dosje të cilën nuk e largonte nga dora në asnjë çast dhe thoshte 'këtu janë dokumentet më sekrete dhe më të rëndësishme të shtetit'. Madje zoti Ohri deklaron se atë dosje ai nuk e lëshonte nga dora dhe nuk e ka lëshuar derisa është larguar. Kështu, sipas logjikës bie që të jenë marrë nga pushteti lokal i Strugës pas vdekjes së tij, pasi në ato momente ata kanë njoftuar familjen e zotit Ohri që t'i dilnin për zot pronës, pasi do të shtetëzohej në rast se nuk do paraqiteshin. Dihet që mundësitë e këtyre në atë kohë ishin zero për t'i dalë përsipër pronës që ekzistonte në Jugosllavi. Juve, keni dëgjuar rastësisht nga paraardhësit tuaj, që ky mbante dosjen më të rëndësishme të shtetit?
E di që kishte plot dokumente; këtë fakt e di nga im që thoshte që ka pasur dokumente sekrete, të rëndësishme, por cilat qenë në sasi apo në cilësi, këtë nuk mund t'jua them.
Sot nuk jeton asnjë fëmijë nga fëmijët e Ismail Qemalit dhe nga nipërit. Tani kemi vetëm brezin e stërnipërve që jetojnë, që janë gjallë. Sa stërnipër dhe stërmbesa ka dhe kush janë?
Pra siç thashë, nga djemtë e Ismail Qemalit, që kanë lënë pasardhës, janë dy, është djali i madh dhe ka ngelur stërnipi që është Medin Vlora, në Bari të Italisë, dhe nga djali i vogël, Qamili. Jemi ne pasardhësit, pra tre nipërit e Qamilit, unë dhe dy çunat e xhaxhait.
Si quhen?
Darling Vlora dhe Qamil Vlora. Qamil Vlora ka marrë emrin e gjyshit dhe unë Qemal Vlora, jemi tre pasardhësit nga gjinia mashkullore.
Po nga gjinia femërore?
Ndërsa nga gjinia femërore janë vetëm Orhani dhe Faruku, që është në Turqi dhe Orhani që është në Shqipëri.
Kurse nga gjinia mashkullore janë?
Kurse nga gjinia mashkullore jemi tre pasardhës të Qamil Vlorës: Darlingu, Qamili dhe unë Qemali, si dhe Medin Vlora që është në Bari të Italisë dhe që është i djalit të madh, Mahmutit.
Po Darlingu ku jeton?
Darlingu jeton në Itali.
Pra janë dy në Itali, tre në Shqipëri?
Tre në Shqipëri dhe një në Turqi.
Faleminderit!
Faleminderit juve! 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›