E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendra e Kamenicës bëhet shëtitore

Kamenicë, 22 gusht - Qendra e qytetit të Kamenicës shkarkohet nga automjetet, duke e kthyer zemrën e qytetit në shëtitore dhe zonë të lirë për qytetarë. Pjesa e qytetit nga rrethrrotullimi te tregu e deri të ura pranë Gjimnazit, aktualisht është zonë e ndaluar për qarkullim automjetesh nga ora 19:00 deri në 23:00, ndërsa parashikohet që të lirohet plotësisht nga qarkullimi i automjeteve.

Drejtori i Shërbimeve Publike, Hysen Jerliu tha se kjo pjesë e qytetit do të shërbejë vetëm për lëvizje të qytetarëve dhe do të jetë shëtitore, ndërsa automjetet do të qarkullojnë nëpër rrugën unazore në perëndim dhe lindje të qytetit. Ai sqaroi se brenda javës qendra do të lirohet nga automjetet e rënda - kamionët, autobusët e traktorët, ndërsa shumë shpejt, me funksionalizimin e rrugëve alternative qendra do të shkarkohet plotësisht nga automjetet.
 
Sylejman Morina, zyrtar komunal, e konsideron një zgjidhje të mirë për qytetin shkarkimin nga automjetet dhe, sidomos, kthimin e kësaj pjese kryesore vetëm në shërbim të qytetarëve, e cila edhe tashti shfrytëzohet nga ata për shëtitore, pushim dhe takime. Morina e vlerësoi qytetin e Kamenicës si një prej vendeve më të mira ambientale në Kosovë, pasi ka shumë gjelbërim e drunj dhe është e rrethuar me pyje e me lum mes për mes.

Edhe qytetarët e duan këtë pjesë të qytetit pa automjete. Qazim Jashari, banues në bllokun e banimit "Qendra", tha se rruga që kalon përmes qytetit duhet të lirohet nga automjetet, pasi kjo pjesë më shumë ngjan në një park dhe përdoret nga qytetarët e të gjitha moshave për shëtitore.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›