Vitomiricasit: “Ujë, ose i bllokojmë rrugët”

Pejë, 22 gusht - Banorët e Vitomiricës së Pejës ia kanë parashtruar ultimatum 48 orësh “Ujësjellësit” të Pejës. Nëse kjo nuk ndodh në afat prerj 48 orëve të ardhshme, ata do të bllokojnë të gjitha rrugët që shpijnë në qytet dhe magjistralet Pejë-Mitrovicë e Pejë-Rozhajë. Kjo është vendosur në një takim qytetarësh, të udhëhequr nga kryetari i SDA-së boshnjake, Numan Baliq, të dielën. Bashkë me këtë ultimatum publik, banorët e mbledhur kanë nënshkruar edhe një peticion për të përforcuar qëndrimin e tyre të prerë për hapin e paralajmëruar për të martën. Në fakt, pas shumë diskutimesh për mungesë uji në këtë kohë vape, qytetari Meho Skenderoviq, i revoltuar që fshati i tij ka dy ditë pa ujë të pijes, ka thënë se vetëm bllokimi i rrugëve do të jetë mjeti që do t’i shtyjë autoritetet e “Ujësjellësit” dhe ato komunale për ta furnizuar me ujë këtë fshat. Skenderoviqi, i përkrahur edhe nga Baliqi, si dhe nga banorë tjerë të kësaj bashkësie territoriale, ka thënë se ndërprerja e ujit po kërcënon banorët edhe me ndonjë epidemi të papritur. Numan Baliq ka theksuar se paraprakisht ka pasur bisedime me autoritetet e “Ujësjellësit bashkë me nënkryetarin e KK-së, Fahrudin Megjedoviq, porse mosardhja e tyre në këtë takim publik është shenjë e joseriozitetit për të përmbushur premtimet për distribuim të barabartë uji në gjithë territorin e komunës. “Agron Tigani, drejtor i kësaj kompanie ka premtuar se do të bëjnë ç’është e mundur që kjo bashkësi territoriale të ketë ujë”, ka thënë Baliqi, duke pohuar para bashkëqytetarëve të tij se vetë Tigani i kishte thënë se arsyeja e mungesës së ujit në këtë anë është pasojë e keqpërdorimeve që po ndodhin me sistemin e ujit të pijes gjithandej qytetit. “Tigani e ka përforcuar keqpërdorimin me faktin se burimi i Drinit, prej nga furnizohet një pjesë e qytetit dhe e fshatrave është plot ujë”, është shprehur Baliq. Një banor i Vitomiricës, i cili është deklaruar se nuk i përket asnjë subjekti politik, ka thënë se pjesët e fshatit që furnizohen nga sistemi i ri i ujësjellësit kanë ujë, ndërkohë që ka shtuar se ndërprerja e ujit në pjesët e tjera është rezultat i ndërrimit të sistemit të vjetër. Të dielën, menaxheri Tigani e ka pasur telefonin mbyllur tërë ditën.