E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qendrat Sociale do te shtohen sherbimet

Qendrat sociale publike nuk janë të mjaftueshme në Shqipëri, pasi nuk përballojnë nevojën në rritje të personave që kërkojnë shërbime nëpër jetimore, azile pleqsh, apo qendra të specializuara për personat me aftësi të kufizuara. Pikërisht për të plotësuar nevojat e këtyre personave, Ministria e Punës ka nisur mbledhjen e të dhënave në terren, për krijimin e një database të plotë të shpërndarjes së shërbimeve.

Pas identifikimit të numrit të saktë të personave në nevojë, pritet edhe shtimi i qendrave sociale. Në këtë mënyrë thotë, drejtoreshë e politikave dhe shërbimeve sociale në Ministri, Denada Seferi do të jetë më e lehtë të ndihmohen personat në nevojë për t’i marrë shërbimet pranë qëndrave të banimit.

"Kjo hartë do të tregojë dhe njëherë vendndodhjen gjeografike të tyre, por do të shikojmë akoma më qartë si është shpërndarja e tyre në territor, gjë që do të na tregojë drejt për drejtë mungesat dhe mangësitë që kemi për shërbimet sociale. Për këtë pushteti vendor të ketë akses të drejt për drejtë për politikat e tyre të mëpasshme, për të parë hapësirat dhe mungesat në këto shërbime sociale që ofrohen aktualisht", tha Denada Seferi, Drejtore e shërbimeve Sociale, MPCSSHB.

Me shtimin e pritshëm të qendrave sociale, do të shtohet edhe personeli përkatës. Sipas Seferit, pjesë e këtij projekti është edhe trajnimi specifik i punonjësve socialë. Një tjetër qëllim i mbledhjes të të dhënave sipas zyrtarëve të ministrisë së punës është dhe identifikimi i qëndrave që operojnë pa licencë.

Julia Bardhushi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›