Qëndrimi i Parisit, dy ditë pas takimit Meta-Kushner
Qëndrimi bllokues i Francës për çështjen e vizave ka ardhur vetëm dy ditë pas një takimi të zhvilluar në Paris mes shefit të diplomacisë së Francës, Bernard Kouchner, dhe homologut të tij shqiptar, Ilir Meta. Pas këtij takimi janë shpërndarë nota optimiste mbi rolin e Parisit zyrtar. Vetë zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, deklaroi se “e informova ministrin mbi zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe në rajon dhe nënvizova përkushtimin e qeverisë shqiptare për të vazhduar me reformat e brendshme, të cilat do ta ndihmojnë vendin për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian, si dhe për të përmbyllur tri çështjet e mbetura për të realizuar liberalizimin e vizave sa më shpejt. Folëm gjithashtu rreth përmirësimit të situatës politike në vend, sepse ne jemi duke u përgatitur për të përftuar statusin e kandidatit, dhe për këtë rivendosja e një dialogu efikas politik është e rëndësishme, veçanërisht për të mbështetur vazhdimin e reformave në vend. Por në fjalën e tij, Kushner nuk e ka përmendur çështjen e vizave dhe ka përmendur konceptin “kohë” kur ka thënë se “pozicioni i Francës është shumë i thjeshtë, tepër i qartë: ne dëshirojmë që i gjithë Ballkani Perëndimor, dhe Shqipëria në veçanti, të bëhen pjesë e Bashkimit Europian. Patjetër që do duhet pak kohë, do jetë proces i ndryshëm në varësi të vendeve, ne do bëjmë përshtatjet e duhura, dhe Franca e mbështet këtë në mënyrë konkrete dhe konstante”. Në lidhje me krizën, ministri i Jashtëm francez tha se “ka disa probleme të vogla politike, që miqtë tanë do t’i rregullojnë”.
#