Samiti i Londrës, krerët botërorë diskutojnë sot për krizën
Blerina Olldashi
Samiti i vendeve të G20-s fillon sot punimet në Londër. Përfaqësuesit e 20 vendeve më të industrializuara do të takohen për zgjidhjen e krizës financiare. Gjatë ditës së djeshme u zhvilluan takime të ndryshme mes të cilëve ai i Presidentit amerikan Barak Obama me kryeministrin britanik Gordon Braun. Presidenti Obama bëri thirrje nga Londra për një veprim të përbashkët global për të përballuar me urgjencë krizën ekonomike. Sipas tij, bota po përballet me krizën më të rëndë që pas Luftës së Dytë Botërore dhe kërkoi që G20-ta të refuzojë proteksionizmin dhe të mbështesë tregjet e hapura. “SHBA-të janë të angazhuara të punojnë përkrah Britanisë për të bërë ç’është e mundur për të stimuluar rritjen ekonomike dhe të sigurojë që kriza të tilla të mos përsëriten më”, - tha Obama. Ndërsa kryeministri britanik Gordon Braun ka deklaruar se nga kriza ekonomike nuk do të mund të dilet nëse më parë pastrohen bankat. “Ky është një test për të matur suksesin e samitit G20, ndërkohë që rëndësi i duhet kushtuar edhe kundërshtimit të proteksionizmit dhe krijimit të bazave për një ekonomi të fuqishme”, - ka pohuar Braun. Ky samit krijoi edhe mundësinë e takimit të Presidentit Obama me homologun rus Dimitri Medvedev, të cilët ranë dakord që dy vendet të fillojnë bisedimet për zvogëlimin e arsenalit bërthamor, përfshi dhe mbushjet e kokave bërthamore. Obama dhe Medvedev i bënë thirrje Iranit që të lejojë inspektorët e Kombeve të Bashkuara të verfikojnë programet bërthamore të Iranit, si rruga e vetme për të vërtetuar se ato janë për qëllime paqësore. Përpara takimit, Obama pranoi se ekzistojnë dallime reale mes dy vendeve, por dhe interesa të përbashkëta. “Të dy vendet kanë interes në zvogëlimin e stoqeve bërthamore dhe në luftën kundër shtimit të armëve bërthamore. Të dy vendet kanë interesa të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit dhe në stabilizimin e ekonomisë botërore. Kërcënimet që paraqesin ndryshimet klimatike janë një tjetër sferë e interesit të përbashkët”, - tha Obama. Ai që trazon ujërat e samitit të Londrës është presidenti francez Nikolas Sarkozi. Sipas tij, as Franca, as Gjermania, nuk janë të kënaqura me rregullat për daljen nga kriza. Franca ka kërkuar rregulla më të ashpra për ekonominë globale. Qëllimi i takimit dyditor të 20 vendeve të industrializuara është të pajisë tregjet financiare me rregulla dhe një kontroll më të rreptë kundër krizave. Dje kanë vazhduar në Londër protestat kundër samitit të G20-s ku janë ndaluar nga policia 11 persona. Këta persona u prangosën teksa ndodheshin pranë filialit “Royal Bank of Scotland”, në afërsi të Bankës së Anglisë.
2 Prill 2009