E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkatërrohet koalicioni qeverisës



Koalicioni qeverisës në Ukrainë është shkatërruar, duke shkaktuar rënien e qeverisë aktuale. Këtë zyrtarisht e shpalli kryetari i Parlamentit, Arsen Jatsejuk, në hapje të sesionit të djeshëm. Rënia e qeverisë ve në dyshim synimin properëndimor të Ukrainës. Koalicioni i përbërë nga partia e presidentit Viktor Jushçenko dhe ajo e kryeministres Julia Timoshenko, aleatë nga “revolucioni i portokalltë” në vitin 2004, u shkatërrua pasi partia e presidentit dhe aleatët e saj u larguan nga qeveria. Mospajtimet filluan kur Timoshenko u bashkua me partinë e ish-kryeministrit Janukoviç.

BRITANI E MADHE
Braun takohet me presidentin e Pakistanit
Presidenti i ri i Pakistanit, Asif Ali Zardari dhe kryeministri britanik Gordon Braun kanë biseduar në Londër për çështjet e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit. Bisedimet u fokusuan edhe në tensionet e fundit mes Islamabadit dhe Uashingtonit pas operacioneve unilaterale ndërkufitare amerikane. Zardari, i cili ndodhet në një vizitë private në Britani, kërkoi mbështetjen e kryeministrit Braun në përpjekjet për të bindur qeverinë amerikane që të ndërpresë operacionet e tilla nga territori i Afganistanit.

IRAK
Odierno merr komandën nga Petraeus
Gjenerali Reimond Odierno mori komandanën e forcave të Shteteve të Bashkuara në Irak. Odierno zëvendëson gjeneralin David Petraeus, mandati 19 mujor i të cilit kaloi në shenjë të shtimit të trupave amerikane dhe reduktimit të dhunës në Irak. Ceremonia në Bagdad, në të cilën Odierno mori komandën e rreth 150 mijë trupave amerikane, u mbikqyr nga sekretari i Mbrojtjes, Robert Gejts. Petraeus do të jetë shefi i Komandës Qendrore dhe përgjegjës për trupat amerikane nga Briri i Afrikës e deri në Azinë Qendrore, përfshirë konfliktet në Afganistan dhe Irak.

RUSI
Putin rrit shpenzimet në fushën e mbrojtjes
Rusia ka vlerësuar të shpenzojë më shumë për mbrojtjen e vendit vitin e ardhshëm. Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin tha se shpenzimet e Rusisë në fushën e mbrojtjes do të rriten 27 për qind në vitin 2009. Putin tha se më shumë se 94 miliardë dollarë do të akordohen për nevojat e mbrojtjes dhe sigurisë në vitin 2009. Pas ndërhyrjes ruse në Gjeorgji, presidenti Dmitri Medvedev dhe Putin thanë se operacioni ushtarak tregoi se forcat e armatosura kanë nevojë për modernizim. Rusia është e njohur për teknikat e saj ushtarake mjaf të përparuara dhe për këtë ajo vazhdon të investojë.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›