E Diel, 1 Nëntor 2026

Tadiç, optimist për mbështetjen e OKB-së në çështjen e Kosovës



Presidenti serb, Boris Tadiç, ka deklaruar se shpreson të marrë mbështetjen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të dërguar çështjen e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Ai po ashtu është shprehur se Serbia është e vendosur për të mbrojtur të drejtën e saj legjitime mbi Kosovën, duke përdorur mjetet diplomatike dhe juridike. “Në rastin e Kosovës ne nuk zbatojmë vetëm normat e OKB-së dhe OSBE-së, por edhe sistemin e vlerave, në të cilat është themeluar Bashkimi Europian”, ka thënë presidenti Tadiç për mediat serbe. Ndërkohë, dje nisi punimet sesioni i 63-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Debati i përgjithshëm do të zhvillohet nga 23 shtatori deri më 1 tetor ku pritet të marrin pjesë në diskutime mbi 120 burrë shtetas, mbretër, presidentë, kryeministra, ministra të jashtëm të vendeve nga të gjitha kontinentet. Ndërkohë sot Komiteti i Përgjithshëm Asamblesë do të shqyrtojë disa nga çështjet për debat, ndër to do edhe nismën e Serbisë rreth legjitimitetit të pavarësisë së Kosovës. Serbia kërkon nga Asambleja e Përgjithshme të marrë këshillë juridike nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Serbia shpreson se do të mund të mbledhë votat e afro 100 vendeve anëtare të OKB së për ta miratuar rezolutën me shumicën e thjeshtë.

Shkup, iniciativat e DR-së: çështja e shqiptarëve dhe Kosova

Partia më e re e formuar në Maqedoni, Demokracia e Re ka bërë të ditura iniciativat e saj në lidhje me politikën që do ndiqet. Inkurajimi i Republikës së Maqedonisë që ditëve të ardhshme të pranojë pavarësinë e Kosovës, dhe avancimi i çështjes shqiptare në Maqedoni, janë dy priorietet që partia Demokracia e Re hyn në politikën maqedonase. Në prezantimin e saj kryetari Imer Selmani tha se: “Qëndrojmë pas implementimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, jemi në funksion të shtetit ligjor. Jemi të hapur për partneritet politik duke përfshirë forcat politike që veprojnë në vend dhe rajon”. Në promovimin e DR-së u prezantua edhe Këshilli, i cili ishte inicativë e 38 anëtarëve, të cilët janë personalitete të njohura të jetës publike, ish-anëtarë të partive politike, shumica prej të cilëve të PDSH-së dhe sektorit joqeveritar.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›