Qetësohen përmbytjet në Shkodër, liqeni tërhiqet me 12 centimetra
Ervin KOÇI
Ndërprerja e reshjeve dhe ulja e shkarkimeve nga HEC-i i Vaut të Dejës kanë sjellë një përmirësim të vogël të situatës në Shkodër. Niveli i ujit të qytet është ulur dje me rreth 12 cm, edhe pse kjo është shumë pak për ndryshimin e situatës në të cilën ndodhen banorët e saj. E njëjta situatë është edhe nëpër fshatra me të vetmin ndryshim që reshjet janë ndalur dhe shkarkimet nga hidrocentralet janë normale. Por edhe pse niveli i ujit është ulur, sipërfaqja e përmbytur mbetet rreth 14.130 ha tokë, në një kohë që numri i banesave të dëmtuara shkon në 2850 shtëpi. Operacionet e ndihmës kanë vijuar pa reshtur gjatë gjithë ditës së djeshme në një kohë që dhe ushtria ka arritur të hyjë në Velipojë për t’ju ardhur në ndihmë banorëve të izoluar, por edhe atyre që nuk pranojnë për t’u evakuuar. Po ashtu edhe në fshatrat e tjerë si Obot, Dajç, Ana e Malit, etj., kanë mbërritur ndihmat me ushqime, medikamente mjekësore dhe ujë. Banorët e evakuuar janë zhvendosur kryesisht te të afërmit, por edhe nëpër konvikte dhe hotele. Me gjithë angazhimin e strukturave situate mbetet problematike pasi tërheqja e ujërave është shumë e ngadaltë.
Zonat nën ujë
Ujërat në Harkun e Bërdicës nuk janë më në nivelin e ditëve të para, por sipas Ministrisë së Transporteve aty nuk mund të kalohet me mjete. Ndërsa në qytet uji raportohet se ka një ulje prej rreth 12 cm, e cila është shumë pak për nivelin e lartë që ka krijuar në rrugët e qytetit. Ndërkohë, numri i personave të evakuuar është 12.100 persona. Sipas Ministrisë së Transporteve, raportohet se hyrja për në Shkodër, për mjetet e vogla dhe të mesme bëhet nga një rrugë sipër kalasë, në të cilën është vendosur sinjalistika përkatëse që tregon këtë rrugë. Kthesa e Tamarës dhe rruga për në Doganën e Hanit të Hotit janë ende të bllokuara. Rruga e Shirokës është gjithashtu e bllokuar, si dhe aksi Shëngjin-Kune.
Prurjet dhe shkarkimet në Kaskada
Korporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi dje për të dhënat e fundit nga situata në hidrocentralet e kaskadës mbi lumin Drin, ku me ndalimin e reshjeve, është vënë re një ulje e lehtë e niveleve të prurjeve dhe shkarkimeve të ujërave. Në HEC-in e Fierzës niveli i liqenit është në kuotën 291,60 metrave (kuota maksimale është 296 m), prurjet në 1140 m3/sekondë dhe shkarkimet 1060 m3/sekondë. Në HEC-in e Komanit niveli liqenit ka arritur në 169,65 metra, prurjet 1317 m3/sekondë dhe shkarkimet 1701 m3/sekondë. Në HEC-in e Vaut të Dejës niveli i ujit ishte dje 73,68 metra, prurjet 1890 m3/sekondë dhe shkarkimet 1413 m3/sekondë. Drejtori i përgjithshëm i KESH-it, Ëngjëll Zeqo, bëri të ditur dje se: “prurjet mesatare të 6 ditëve të para në Fierzë prej 1330 m3/sekondë, ishin prurjet më të larta të 20 viteve të fundit”. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, Zeqo tha se ato janë 10 herë më të mëdha.
Shkurt
Përmbytjet në Shkodër dëmtuan rrjetin elektrik, 32 ekipe në terren
Mbi 6 mijë banorë në zonën e Shkodrës kanë qenë dje pa energji elektrike, si pasojë e defekteve në rrjetin elektrik të shkaktuara nga përmbytjet. Kompania “CEZ shpërndarje” njoftoi se kishte vënë në dispozicion 32 ekipe pune në të gjithë rajonin e Shkodrës, të cilët punuan për përballimin e situatës. “CEZ” njoftoi se ekipet e punës kanë siguruar bazën materiale të nevojshme dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë sapo niveli i ujit të ulet. Gjatë ditëve të emergjencës janë ndërruar 10 transformatorë, të cilët kanë eliminuar defektet e shumta të shkaktuara nga moti i keq. Nënstacionet në Zues, Trush, Dajç dhe Cas janë të përmbytura. Nënstacioni “Shkodra 2” rrezikoi të përmbytej nga rritja e nivelit të ujit, dhe për arsye sigurie u stakua çelësi 35 kV që furnizon nënstacionin Velipojë. Janë në punë të gjitha pajisjet e nënstacionit “Shkodra 2” dhe niveli i ujit po mbahet nën kontroll me anë të pompave. Për abonentët që furnizoheshin nga nënstacioni Cas, i cili aktualisht është i përmbytur, është gjetur një zgjidhje alternative që i furnizon nga fideri 3 i nënstacionit Velipojë. “CEZ”, në bashkëpunim më punonjësit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, po punon në nënstacionin e pompave të ujësjellësit Shkodër për sigurimin dhe funksionimin e pajisjeve elektrike që furnizojnë pompat e tij. Stacioni i pompimit të ujërave të zeza në Shkodër po furnizohet nga rrjeti i tensionit të ulët, pasi kabina elektrike është e përmbytur dhe për efekt sigurie është bërë stakimi i saj. Me uljen e nivelit të ujit është kthyer energjia elektrike në komunën Bërdicë, nga ku bëhet shpërndarja e ndihmave për banorët nga Shtabi i Emergjencës. Janë marrë masat edhe për nënstacionin e Lezhës, në rast të rritjes së nivelit të ujit. Në nënstacion janë vendosur kabllo të tensionit të mesëm, për furnizimin e fiderave që furnizojnë me energji institucione të rëndësishme si spitali, hidrovori, etj.
Përmbytjet, mbërritën ndihmat e para ushqimore nga Italia
Në përgjigje të kërkesës së qeverisë shqiptare për ndihmë në këtë rast fatkeqësie, qeveria italiane, përmes Departamentit të Mbrojtjes Civile në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Kryqin e Kuq Italian, dërgoi dje një ngarkesë ndihmash për të përmbushur nevojat bazë të të përmbyturve. Kryesisht, ndihmat e mbledhura, sipas raportimit të mediave italiane, konsistojnë në veshje dhe produkte të higjienës personale. Ato janë destinuar kryesisht për zonën e Shkodrës e goditur rëndë nga përmbytjet e ditëve të fundit. Kontingjenti italian i ndihmave ka mbërritur dje me traget përmes linjës Bari-Durrës. Pesë kamionë me 34 tonë ndihma të vëna në dispozicion nga Kryqi i Kuq Italian, së bashku me 11 vullnetarë dhe profesionistë, u nisën mbrëmjen e vonë të së dielës nga Bari drejt Durrësit dhe sot ata kanë udhëtuar drejt Shkodrës. Një ekip prej tre zyrtarësh të Departamentit të Mbrojtjes Civile është angazhuar gjithashtu që të organizojë veprimet lidhur me procedurat në doganë dhe për të koordinuar transferimin e aseteve në ndihmë të autoriteteve lokale. "Ndihmat dëshmojnë shqetësimin tonë për këtë tragjedi të tmerrshme që ka goditur mijëra miq shqiptarë në veri të Shqipërisë. Bëhet fjalë për shumë tonelata ushqime, veshje, pajisje për të lëvizur në zonat e përmbytura dhe tonelata me ilaçe. Këto ndihma do të pasohen nga të tjera",- tha ambasadori italian, Saba D'Elia. Ministria e Punëve të Jashtme i bëri thirrje gjithë vendeve të NATO-s për ndihmë.
Komuniteti Mysliman në ndihmë të banorëve të zonave të përmbytura
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur gatishmërinë institucionale në shenjë solidariteti e ndihme për banorët e dëmtuar nga përmbytjet e fundit në pjesën më të madhe të vendit e sidomos në zonën e Shkodrës. Në mbledhjen e saj të fundit, Kryesia e Komitetit Mysliman të Shqipërisë pasi ka analizuar gjendjen e krijuar ka dalë me disa vendime konkrete, si: “shpallja e kesaj jave java e lutjeve për familjet që gjenden të përmbytura dhe të gjitha myftinitë në vend të angazhohen për mbledhjen e kontributeve në vlera monetare, veshmbathje dhe produkte ushqimore në favor të të dëmtuarve”. Pas mbledhjes së kontributeve, Komiteti Mysliman i Shqipërisë siguroi se do të angazhojë punonjësit e tij por edhe vullnetarë për shpërndarjen e tyre në zonat e tragjedisë me qëllim që t’u vihet në ndihmë qytetarëve dhe zbutur sadopak situatën e rëndë që ata po përjetojnë. Për këtë qëllim KMSH ka hapur edhe një numër llogarie ku mund të dërgohen donacione me emërtimin “Kontribute për zonat e përmbytura”, (BKT 110000709). Duke shprehur edhe një herë keqardhjen për banorët e dëmtuar, Komiteti Mysliman Shqiptar falënderon në mënyrë të veçantë çdo individ, organizatë apo institucion që ka ndihmuar dhe ndihmon në këtë drejtim, duke kujtuar se çdo kontribut, pavarësisht vlerës, ka si shpërblim kënaqësinë e Zotit dhe mirënjohjen e njerëzve.
Alarmi i ekspertëve: “Shqipëria po rrëshqet”
Specialistet e tokës mendojnë se erozioni në të gjithë vendin këtë vit është 25% më i lartë se mesatarja e dhjetë viteve të fundit. Reshjet e shiut, por edhe prerja e pyjeve dhe e kullotave kanë ndikuar në rritjen e gërryerjes së tokës dhe të lumenjve në vend. “Me këto reshje me intensitet të lartë, në një periudhë të shkurtër, gërryeshmëria e tokës mund të jetë 30-40 tonë për hektarë. Nga prishjet e lumenjve gërryerja e tokës është e paparashikueshme”,- u shpreh Prof. Vangjo Kovaçi. Shqipëria është një vend i ekspozuar nga erozioni, por mungesa e investimeve në ruajtjen e tokës, ka rritur përhapjen e këtij fenomeni në vend. Profesor Kovaçi kërkon mbrojtjen e pyjeve, të pemëve për të mos pasur shkatërrim të tokës. Profesor Vangjo Kovaçi thekson se në këto kushte, është shumë e rëndësishme për vendin që të krijohet një grup specialistësh të cilët të hartojnë strategji afatshkurtra dhe afatgjata për mbrojtjen e tokës. “Të krijohet mundësia e një qendre të madhe kombëtare ku aty do të përfshija tokën, shkurret, livadhet, kullotat, ujin dhe klimën me të gjithë treguesit e saj”,- u shpreh Kovaçi. Apeli i shumë inxhinierëve dhe profesorëve, në këto ditë të vështira për mijëra qytetarë në veri dhe jug të vendin është ngritja e një njësie specialistësh të cilët të hartojnë një plan masash për kalimin e kësaj situate emergjente.
Tab////////////////////////////////////////////////////////////
Informacion mbi gjendjen e rrugëve
Ministria e Punëve Publike dhe Transportin njofton se ka një përmirësim të gjendje së akseve rrugore të krijuar nga reshjet e shumta të shiut në pjesën veriore, qendrore dhe lindore të vendit, të cilat shkaktuan rritje tej mase të nivelit të ujit në lumenjtë, si dhe shkaktuan shkarje të dherave në shumicën e akseve rrugore.
Situata e rrugëve paraqitet si më si më poshtë:
* Segmenti tek Harku u Bërdicës është i kalueshëm.
* Hyrja për në Shkodër, për mjetet e vogla dhe të mesme bëhet nga një rrugë sipër kalasë, është vendosur sinjalistika përkatëse që tregon këtë rrugë.
* Shkodër deri tek kthesa e Tamarës, i kalueshëm.
* Kthesa e Tamarës-Dogana Hani i Hotit, i bllokuar
* Rruga për Shirokë është e bllokuar.
* Aksi Shëngjin-Kune, 1.2 km i bllokuar.
* Aksi Milot- Rubik, i kalueshëm.
* Aksi rrugor Qafë Mali- Fierzë, i kalueshëm.
* Ura e Fierzës, e kalueshme.
* Aksi Bajram Curri-Fierzë, me një kalim.
* Segmenti ura e Bujanit-Fierzë, e kalueshme.
* Segmenti Bujan-Sopot, e kalueshme.
* Aksi Kukës-Krumë, i kalueshëm.
* Aksi Kukës-Shishtavec, i kalueshëm.
Akset e në drejtim të Burrelit.
* Nga nyja asfaltit në Ulzë, rruga është e kalueshme.
* Nga Ulza deri te ura e Skurajt, në vende të ndryshme me një kalim.
* Ura e Çerenecit, me një kalim.
* Aksi rrugor Lushnjë–Fier, është bërë i kalueshme për mjetet e larta, trafiku për mjetet e vogla nga aksi i vjetër.
* Të gjitha akset e rajonit Korçë, të kalueshme për trafikun.
* Të gjitha akset e rajonit Gjirokastër, të kalueshme për trafikun.
Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Rrugëve dhe me firmat e kontraktuara për mirëmbajtjen e tyre vazhdon të jetë në terren për të bërë të kalueshme të gjitha akset.
7 Dhjetor 2010