E Diel, 1 Nëntor 2026

Transballkaniku, Kryeministri, akuza kryebashkiakut Gjika

Kryeministri Sali Berisha akuzoi dje kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika, për indiferencën që ka treguar ndaj rrugës së Transballkanikut. Berisha siguroi se “Rruga Transballkanike”, pjesë e unazës së qytetit të Vlorës që po ndërtohet me një investim prej 7 milionë eurosh të qeverisë shqiptare "do të përfundojë shumë shpejt, pavarësisht se kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, po tregohet fanatik në këtë drejtim". Gjatë takimit me banorët e komunës Shushicë (Vlorë), Kryeministri Berisha iu përgjigj interesimit të medias lidhur me punimet në “Rrugën Transballkanike”, ecuria e të cilave nuk ka qenë e kënaqshme për shkak të problemit të pazgjidhur të shpronësimeve. "Z. Gjika, për rëndësinë e madhe që ka kjo vepër për qytetin e tij, duhet të kishte treguar vendosmërinë për të përfunduar kjo rrugë tri herë", - tha z. Berisha. Ai cilësoi se shihet qartë që zotit Gjika nuk i bie në mendje për qytetin, ndryshe "si mund të shpjegohet fakti që një rrugë kaq jetike të lihet pas dore". Sipas z. Berisha, kryebashkiaku Gjika nuk është në gjendje të zgjidhë edhe problemet më elementare dhe "po të kishte qenë një kryetar bashkie që pyeste për qytetin, do të kishte përcaktuar një afat për këtë rrugë". “Rruga Transballkanike” në qytetin e Vlorës, me gjatësi 2.8 km, me katër korsi, vlerësohet si investimi më i rëndësishëm në infrastrukturën rrugore të qytetit bregdetar, gjatë 3 dekadave të fundit. Rruga nisi nga ndërtimi në shtator të vitit 2006 dhe sipas afateve të përcaktuara, ajo duhej të përfundonte në fund të vitit të kaluar. Ky segment, i cili konsiderohet edhe si pjesë e unazës, për nga rëndësia vjen pas bulevardit Vlorë-Skelë. Këto dy rrugë, që shkojnë paralel me njëra-tjetrën, përfaqësojnë dy elementët referues urbanistikë për qytetin e Vlorës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›