Qeveria Thaçi: Marrëveshja, njohje e Kosovës nga Serbia
Prishtinë- Qeveria e Kosovës vazhdon të deklarojë si dhe të prezantojë marrëveshjen për menaxhim të integruar të kufirit, të pikëkalimeve kufitare me Serbinë, si njohje të Kosovës nga ana e shtetit serb.
Gjatë prezantimit të kësaj marrëveshjeje para kabinetit qeveritar, kryeministri Hashim Thaçi dhe zv/kryeministrja Edita Tahiri e cilësuan këtë marrëveshje si një fitore të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Kryeministri Thaçi, shprehu se kjo marrëveshje paraqet një hap shumë të rëndësishëm edhe për vëndosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Ajo çka kërkohet tani edhe nga dëshmitarët dhe garantuesit e marrëveshjes ndërshtetërore, është përcjellja nga afër e fillimit të implementimit të marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit, në mënyrë që Serbia mos ti bishtnojë kësaj marrëveshjeje, sikur herëve të tjera. Diçka e tillë do të kërkohet edhe ditëve të ardhshme në Bruksel, por edhe në SHBA- tha kryeministri Thaçi.
Gjatë gjithë procesit të bisedimeve, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, në disa raste, nuk ishte dakort me qeverinë për formën e negociatave dhe marrëveshjet e arritura.
Megjithatë këtë radhë ai tha se marrëveshja e fundit për menaxhim të kufirit nuk lë hapësirë për triumf të asnjërës palë, por as nuk paraqet ndonjë lëshim të qeverisë së Kosovës karshi asaj të Serbisë.
Këto konkluzione janë kompromis për vazhdimin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se Qeveria nuk ka lëshuar pe me këtë marrëveshje. Konkluzionet janë një kompromis për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës e Serbisë- më tej deklaroi Krasniqi.
Por nga opozita kjo marrëveshje është vlerësuar si favor që Kosova i ka bërë Serbisë për përmbushjen e kritereve të nevojshme, në mënyrë që ky vend të fitojë statusin e kandidatit për integrim në Bashkimin Evropian.
Menaxhimi i integruar i kufijve, si model evropian, garanton kalim të shpejtë dhe të lehtë të njerëzve dhe mallrave. Por, në të njëjtën kohë, kjo marrëveshje është edhe një njohje në një kuptim apo kuptim tjetër de jure e Serbisë për Republikën e Kosovës- ka vijuar kryeministri Thaçi.
Shkrime të tjera me interes: