E Diel, 1 Nëntor 2026

“Shqipëria do të kontribuojë në Afganistan deri pas 2014-s”

06/12/2011  Ministri i Jashtëm, Haxhinasto, merr pjesë në konferencën e Gjermanisë

“Shqipëria do të qëndrojë dhe kontribuojë në Afganistan përtej vitit 2014”. Deklarata u bë nga Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinsto gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Ndërkombëtare mbi Afganistanin, që po mbahet në Bon të Gjermanisë. Kjo kohë, sipas kreut të diplomacisë shqiptare, do të duhet për të arritur objektivin e përbashkët të Komunitetit Ndërkombëtar për të sjellë paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe zhvillim në vend. “Shqipëria mbështet përpjekjet e Afganistanit për të marrë të gjitha përgjegjësitë lidhur me sigurinë në vend dhe më tej përshëndet vendimin e marrë nga presidenti Karzai për të kaluar në fazën e dytë të këtij tranzicioni”, - tha ai. Duke folur për kontributin e vendit tonë për Afganistanin, ministri Haxhinasto tha se ai ka ardhur gjithmonë e në rritje dhe është përqendruar në fusha ku Afganistani ka nevojë. “Shqipëria aktualisht ka në Afganistan 333 ushtarakë dhe policë, të cilët janë vendosur në disa zona sensitive. Vendi ynë i kushton një rëndësi të veçantë zhvillimit të kapaciteteve afgane dhe zhvillimit shoqëror në vend dhe për këtë qëllim janë dërguar në Afganistan oficerë të policisë shqiptare, të cilët janë angazhuar në trajnimin e forcave afgane të policisë. Duke vlerësuar nevojat e domosdoshme në Afganistan, vendi ynë po shqyrton mundësinë që të rrisë kontributin e tij në këtë vend”, - theksoi numri një i Ministrisë së Jashtme. Gjatë konferencës ministri Haxhinasto pati takime dypalëshe me sekretaren amerikane të Shtetit Hilari Klinton, të cilën e ftoi për të marrë pjesë në takimin e Komisionit të Partneritetit të Kartës së Adriatikut, që do të mbahet në Tiranë, si dhe me përfaqësuesen e lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Ketrin Ashton, me ministrin e Jashtëm të Italisë, të Gjermanisë, Francës, Kinës, Bullgarisë, Azerbajxhanit, Koresë së Jugut dhe vendeve të rajonit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›