E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana vishet me dekorin e festave të fundvitit

06/12/2011  Risia në rrugën pedonale, e cila stoliset nga 40 shtëpi karakteristike dimri

Basha ndez dritat e pemës së Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri

Kryeqyteti vishet me dekorin festiv. Krahas nismave individuale të ndërmarra prej ditësh nga subjektet e biznesit, Bashkia e Tiranës nëpërmjet strukturave të saj ka filluar veshjen e rrugëve dhe pemëve me elementet dekorative të Krishtlindjeve dhe Vitit të ri. Sikundër ndodh në shumë kryeqytete perëndimore, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka ndezur gjatë pasdites së djeshme pemën e Vitit të Ri të stolisur, me një gjatësi prej 14 metrash, e cila është vendosur në qendër të sheshit para Pallatit të Operës dhe Baletit. Ndërkohë ka nisur dhe veshja e rrugëve me elementet festive, dritat shumëngjyrëshe, që përcjellin atmosferën dhe gjallërinë festive në prag të këtyre festave. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se pragu i festave këtë vit do të dhurojë argëtim për të gjitha moshat, për të cilat është përgatitur një kalendar i veçantë aktivitetesh festive. Risia edhe kësaj here do të zhvendoset në rrugën pedonale “Murat Toptani”, e cila si rrallë ndonjëherë do të stoliset nga 40 shtëpi karakteristike dimri. Konkretisht këto ndërtesa të konceptuara si shtëpi dimri për Vitin e Ri do të funksionojnë për një muaj si një treg i hapur, ku do të tregtohen ushqime, pije, dekorime Krishtlindjesh, produkte të tjera tradicionale. Këto shtëpi do të dekorohen me drita dhe pemën e Krishtlindjeve, duke krijuar një atmosferë të veçantë festive nga ora 9:00 deri më 23:00 të mbrëmjes. Gjithashtu është menduar që çdo dit në rrugët e kryeqytetit do të zhvillohen aktivitete të shumta festive, pjesë e të cilave do të jenë kryesisht fëmijët. Në ditët e ardhshme do të bëhen publike edhe detaje të tjera mbi aktivitete festive që Bashkia do të zhvillojë në prag të festave të fundvitit, me qëllim që kryeqyteti të mos dallojë nga metropolet e tjera europiane. “Do të kemi koncerte të vogla e të mëdha, do të kemi shumë babagjyshër të Vitit të Ri, të cilët do të shpërndajnë dhurata anë e mbanë kopshteve e çerdheve dhe shkollave të qytetit tonë për të gjithë fëmijët. Për të gjithë të rriturit kemi organizuar aktivitete të tjera artistike socialkulturore, që fryma e festave të fundvitit të ndihet anë e mbanë qytetit tonë”, - ka pohuar Basha.

Pema e Krishtlindjeve “ndriçon” Tiranën

I shoqëruar nga vajza e tij Dafina dhe dhjetëra fëmijë të kryeqytetit, kryebashkiaku Lulzim Basha u ka hapur udhë festimeve të fundvitit gjatë pasdites së djeshme me ndezjen e dritave të pemës së madhe prej 14 metrash, që është vendosur në sheshin “Skënderbej”. Nën tingujt e muzikës festive të korit të liceut artistik, është ndezur i gjithë dekori i vendosur gjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke sjellë edhe në Tiranë atmosferën festive të festave të fundvitit. Kryebashkiaku Basha garantoi se kjo atmosferë do të shtrihet në të gjithë qytetin. Basha tha se krahas dekorit festiv janë parashikuar një sërë aktivitetesh për të gjitha grup-moshat, që do të shoqërojnë ditët deri në natën e madhe të ndërrimit të viteve. Përveç aktiviteteve Basha tha se nuk do të mungojnë edhe dhuratat, veçanërisht për vogëlushët, në mënyrë që festat të jenë sa më të gëzueshme për ta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›