E Diel, 1 Nëntor 2026

“Si më kërkoi shkarazi një “plaçkë” ish-ministri Prifti”

06/12/2011  SMS që Merkaj i dërgoi Priftit pas emisionit. Taçi: Bekimin e takova pa ndërmjetës

TIRANE-Biznesmeni i ndërtimit Fatmir Merkaj ka pohuar dje në Gjykatën e Lartë se gjatë një takimi në hotel “Rogner” me Agim Rapaj dhe ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti, ky i fundit i ka deklaruar shkarazi se për marrjen e një leje koncesionare, zyrtarët duan gjithmonë nga një plaçkë. I cilësuar nga deputeti Prifti, si një ish-shofer i të pandehurit Ilir Meta, ku me ndihmën e këtij të fundit ka “çarë” në rrugën e biznesit duke u pasuruar, dëshmitari Merkaj e ka hedhur poshtë këtë pohim, duke shtuar se sapo ka dëgjuar këtë deklaratë në televizor i ka dërguar një sms Priftit, duke i kërkuar që të mos shpifte në adresë të tij, pasi sipas tij ai gjithçka e kishte fituar me djersë. Dëshmitari i Prokurorisë pohoi se deputeti Dritan Prifti e kishte njohur nga Agim Rapaj, në periudhën kur ish-ministri Ekonomisë kërkonte informacion lidhur me firmat që do të ndërtonin HEC e Shushicës. Më tej Merkaj shtoi se kishte folur dhe dy herë të tjera me Priftin, ku në një rast ky i fundit e ka pyetur nëse kishte ndonjë dhomë të lirë në hotelin e tij që ka në zonën turistike të Dhërmiut. Gjatë dëshmisë së tij të dhënë para kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, dëshmitari Fatmir Merkaj pranoi se ka njohje me të pandehurin Ilir Meta dhe se me të ishte takuar në fillim në ambientet e hotelit të tij, ku Meta ishte akomoduar për të pushuar. Para gjykatës, dëshmitari shtoi se me ftesë të Agim Rrapaj, ai kishte pranuar të bëhej pjesë, si aksioner me 20 për qind në bashkimin e kompanisë “Vllezërit Tola”. “Unë kisha detyrën që të kryeja punimet në terren dhe nuk di asnjë gjë me procedurën që ka ndjekur kompania për fitimin e koncesionit. Për një gjë të tillë interesoheshin aksionerë të tjerë, ndërkohë unë kisha vetëm ndërtimin e veprës pasi dhe kompania ime merrej vetëm me ndërtim”,-ka pohuar Merkaj. Në seancën e djeshme gjyqësore u paraqit për të dëshmuar dhe Drejtori i Përgjithshëm i “ARMO”, biznesmeni Rezart Taçi. Ky i fundit pranoi para gjykatës se kishte pasur një takim me biznesmenin Bekim Halilaj, por sipas tij takimi nuk ishte negociuar nga i pandehuri Ilir Meta dhe ish-ministri i Ekonomisë në atë kohë Dritan Prifti. Taçi nuk mbante mënd se çfarë kishte diskutuar me Bekim Halilaj, por shtoi se ai kërkonte të merrte me qira një pjesë të rafinerisë së ARMO, ofertë kjo që është hedhur poshtë nga Taçi. Biznesmeni pohoi para gjykatës, se Bekimi nuk i kishte përmendur arsyen e marrjes me qira të rafinerisë, dhe se vetë Taçi ska pasur informacion lidhur me ankandin për shitjen e 50 mijë tonë naftë nga “Albpetrol”. Ndërkohë i pyetur nga avokati Gëzim Veleshnja, nëse kompania ARMO kishte blerë naftë nga kompania “Tea Constraction” e Ardian Xhillarit, Rezart Taçi ka konfirmuar një gjë të tillë.

“Biseda që bëra të telefon me Dritan Priftin për vendimin”

Rrapaj: 700 mijë euro janë investim dhe shpenzime

Biznesmeni Agim Rrapaj, i cili është dhe aksioner në bashkimin e përkohshëm të kompanisë “Vllezërit Tola”, ka treguar në Gjykatën e Lartë se shifra prej 700 mijë eurosh e përmendur në video, tregon shpenzimet dhe investimet e kompanisë lidhur me ndërtimin e HEC të Shushicës. Rrapaj pohoi para gjykatës se ska pasuar asnjë tentativë për të korruptuar Metën apo Priftin, nga asnjëri prej anëtarëve të asamblesë së kompanisë. Rrapaj tha se pas fitimit të çështjes në Gjykatën e Apelit, prej tre muajsh ministria nuk po vepronte, dhe nisur nga kjo situatë kam kontaktuar me Ilir Metën, duke ia shpjeguar problemin dhe vënë në dispozicion vendimin e trupit gjykues. “Unë Metën e kam takuar si kryetar të LSI, lëvizje kjo që drejtonte Ministrinë e Ekonomisë dhe jo si një person për të kërkuar ndërhyrje tek Dritan Prifti”,-ka pohuar biznesmeni. Rrapaj ka pranuar para gjykatës se kishte folur në telefon me Dritan Priftin, kur Meta ka qenë në zyrë me të, duke i pohuar se i kishte dërguar të protokolluar vendimin e gjykatës, por për shkak se në ministri nuk gjendej vendimi, atëherë Rrapaj tha se ia kishte ripërsëritur dërgimin. I pyetur nga prokurori Sheshi, nëse ja kishte dorëzuar personalisht në dorë sekretarit Kraja Momon, Rrapaj u përgjigj jo. Kjo përgjigje u kërkua të kundërshtohej nga akuza, po gjykata rrëzoi kërkesën.

Procesi pritet të hyjë në paraqitjen e provave shkresore

Mbeten për tu pyetur dhe 5 dëshmitarë

Në seancën e radhës pritet përfundimi i pyetjes së 5 dëshmitarëve të fundit të Prokurorisë. Ajo është caktuar për tu zhvilluar më 12 dhjetor në orën 10:00 ku pritet të dëshmojnë 5 dëshmitarët e fundit të akuzës. Ndërsa për sa i përket mbrojtjes të të pandehurit Ilir Meta, ata deklaruan se heqin dorë nga pyetja e dy dëshmitarëve Djana Buda dhe Miranda Bashi. Nga sa mësohet kjo e fundit gjatë vitit 2010 ka mbajtur postin e Drejtores së Koordinimit dhe Menaxhimit të Kontratave pranë Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës. Pas përfundimit të pyetjes së pesë dëshmitarëve të fundit të Prokurorisë, pritet që procesi gjyqësor të hyjë një rrugë tjetër, atë të shqyrtimit të provave shkresore. Bëhet fjalë për një sërë vendimesh, urdhrash, dhe dokumentesh të tjera që Prokuroria ka sekuestruar për llogari të hetimin në Ministrinë e Ekonomisë. Prova shkresore duket se do paraqisnin dhe avokatët e të pandehurit Ilir Meta, ku sipas tyre do provojnë maksimalisht pafajësinë e ish-ministrit të Ekonomisë njëherësh dhe ish-zv/kryeministrit të vendit.

Gjykata rrëzoi ekspertizën amerikane

6 muaj gjyq në Gjykatën e Lartë

u shmang përballja Meta-Prifti

Prej 6 muaj, në Gjykatën e Lartë është duke u zhvilluar procesi i parë gjyqësor, ku i pandehur është një zv/kryeministër i vendit. Relator i kësaj çështje penale është gjykatësi me përvojë Ardian Dvorani. Para trupit gjykues është paraqitur vetëm një herë i pandehuri Ilir Meta, i cili ishte paraqitur në seancën kur gjykata kishte planifikuar të dëgjonte dëshminë e Dritan Prifti, por për shkak të kërkesave të avokatëve, seanca mori tjetër drejtim, çka solli dhe shmangin e përballjes mes dy ish-ortakëve. Më tej dëshmia e Dritan Priftit u dëgjua, por fill pasi tre ekspertët shqiptarë kishin dalë në konkluzionin se video-përgjimi që u bë sebep i fillimit të hetimeve, kishte mundësi të mëdha ndërhyrjeje. Kaq mjaftoi që, procesi të futej në rrjedhën e dëshmive, ndërkohë që në seancat e para të procesit Gjykata e Lartë rrëzoi ekspertizën e Prokurorisë, e cila mishte kryer në Amerikë nga eksperti Glenn Bard.

Transmetimi në “Fiks Fare”

Videoja, sebepi i

procedimit penal

Gjithçka nisi me transmetimin të një video-përgjimi në emisionin “Fiks-Fare”, ku Dritan Prifti dhe Ilir Meta, bisedonin lidhur me një aferë korruptive prej 700 mijë eurosh. Biseda ishte përgjuar dhe filmuar nga ora e tavolinës, që Prifti mbante në zyrë. Pas bërjes publike të videos, Prokuroria mori të pandehur kryetarin e LSI Ilir Meta duke e akuzuar për korrupsion në ankandin e 50 mijë ton nafte dhe në HEC e Shushicës.

“Braho një prokuror komunizmi”

Prifti: Më vjen të qesh,

Metën e mbron shoferi

TIRANE-Pas përfundimit të seancës së djeshme ka reaguar deputeti Dritan Prifti, ku nëpërmjet një njoftimi ai shkruan se: “Më vjen të qesh kur shoh sa poshtë ka rënë Ilir Meta me mbrojtjen në gjyqin e tij. Sot e kanë mbrojtur Spartak Braho dhe Fatmir Merkaj. Njëri është prokuror i komunizmit që ka dënuar njerëz në litar, pastaj i përzier në trafik droge i denoncuar nga vetë Ilir Meta pasi kishte nxjerrë viza për 2 trafikantë drogë të arrestuar në Itali. Tjetri ish- shofer i Ilir Metës, që mban sot fshehur nën emrin e tij aksione në koncesione hidrocentralesh dhe toka në bregdet. Ata shpifën sot se kam kërkuar para për një koncesion, kur gjithë Shqipëria e pa videon me zë dhe figurë ku shefi i tyre mi afroi 700 mijë euro dhe 7%. Pse do ti kërkoja këtyre unë, kur shefi i ofroi këto para? Ta katandisësh veten të mbrohesh në gjykatë nga ish-shoferi yt dhe nga një matrapaz droge, e bëjnë Ilir Metën më të pabesueshëm në sytë e gjithë Shqipërisë. Këta personazhe nuk i hedhin dot hi syve gjithë Shqipërisë”,- shkruan Prifti. Ky i fundit ka akuzuar në sallën e gjyqit Metën se i ndërhynte kundrejt fitimit financiar për të dhënë koncesione.

“Ish-ministri ka kërkuar dhurata”

Braho: Dëshmitë po nxjerrin

mashtrimet e Dritan Priftit

TIRANE-Pak çaste, nga përfundimi i seancës gjyqësore ish-deputeti dhe këshilltari ligjor i të pandehurit Ilir Meta, Spartak Braho, deklaroi se të gjithë dëshmitarët e thirrur nga prokuroria po nxjerrin në dritë mashtrimet e Dritan Priftit. “Dëshmitë vërtetuan mashtrimet e Priftit. Ai jo vetëm ka kërkuar dhuratë, por edhe ka marrë dhe do jenë po këto dëshmi që do tregojnë dhe demaskojnë këtë proces maskaradë”,-pohoi Braho. Veç Dritan Priftit asnjë nga dëshmitarët e akuzës nuk ka drejtuar gishtin në drejtim të të pandehurit Ilir Meta, duke e akuzuar këtë të fundit për ndikim apo presione të ndryshme, me qëllim dhënien e koncesionit të Shushicës apo ankandit të 50 mijë ton naftë, kompanive të përfolura. Në zë Prokuroria shprehet se dëshmitarët kanë frikë të pohojnë të vërtetën për shkak dhe të rrezikimit të vendit të punës apo biznesit. Ndërkohë që nga gjykimi i avokatëve mbrojtës Gëzim Veleshnja dhe Petrit Serjani, dosja penale dhe Prokuroria kanë dështuar në ngritjen e akuzës ndaj Metës. Sipas tyre, nuk mund të ngrihet një akuzë, duke u bazuar vetëm në një provë, dhe kur kjo është vetëm një dëshmi e Dritan Priftit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›