E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria: Vendorët, “stop” abuzimit me taksa ndaj biznesit të vogël



Biznesi i vogël nuk duhet të rëndohet me taksa të përkohshme nga qeveritë vendore, pasi kjo rrezikon mund ta çojë atë drejt falimentimit. Kryeministri Berisha ka kërkuar në mënyrë të prerë që taksat ndaj biznesit të vogël të mos jenë më larta se 10 për qind të nivelit që parashikon ligji “Për taksimin e biznesit të vogël”. Kryeministri është takuar dje me një grup ekspertësh dhe ka kërkuar rrugët e zgjidhjes, që biznesi i vogël mos rëndohet nga taksat. Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani, njoftoi se dje Kryeministri Berisha zhvilloi një konsultë të gjerë me ministrin e Financave, z. Ridvan Bode dhe me zyrtarë të lartë të këtij sektori, lidhur me zbatimin e direktivës së tij për kufizimin e abuzimeve që qeveritarët vendorë po bëjnë në kurriz të biznesit të vogël me tarifat dhe taksat e përkohshme, me të cilat po rrisin barrën mbi këtë biznes që përballon gjeneratën kryesore të punësimit në vend. Në këtë konsultë, Kryeministri ka dhënë orientim të prerë se të gjitha tarifat dhe taksat e përkohshme, të marra së bashku, nuk do të mund të jenë më shumë se 10 për qind e nivelit të përcaktuar me ligj “Për taksimin e biznesit të vogël”. Tendenca e taksimit të biznesit të vogël, në një kohë kur qeveria ka pakësuar me 50 për qind barrën fiskale për këtë biznes dhe në një kohë kur, për shkak të krizës ekonomike botërore, vendet po ulin taksat, është e rrezikshme për punësimin dhe mbarëvajtjen e biznesit në vend. Kreu i qeverisë e ka ngritur këtë shqetësim edhe në mbledhjen e kaluar të Këshillit të Ministrave, ku vuri theksin se në Shqipëri mjaft bashki dhe komuna kanë rritur taksën e biznesit të vogël, ndërkohë që bota po përballet me krizën ekonomike. Ligji për taksat vendore u lejon bashkive dhe komunave të ulin ose të rrisin deri në 30 për qind këtë taksë, nga niveli që ka përcaktuar Këshilli i Ministrave dhe nisur nga ky fakt, mjaft prej kryetarëve lokalë nuk kanë përtuar për të rënduar taksat. Por ndryshimet e bëra kohët e fundit nga vendorët, Kryeministri Berisha i ka cilësuar të rrezikshme për biznesin e vogël. Kryeministri u ka bërë thirrje vendorëve të ulin taksat ndaj biznesit të vogël, përndryshe ka paralajmëruar se ekzekutivi do të ndërhyjë. Takimi i zhvilluar dje me ministrin e Financave dhe një grup ekspertësh shërben për t’i paraprirë përgatitjes së një plani ndërhyrjeje, për t’i dhënë fund praktikës së kryetarëve që rrisin taksat. Kryeministri ka theksuar se rritja e taksave nga vendorët ndaj biznesit të vogël zvogëlon mundësitë që ata të nxisin punësimin dhe iu vë në pikëpyetje vazhdimin e aktivitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›