Spitali i sëmundjeve të brendshme në QSUT, 12 orë të ditës pa ujë
Në pikun e vapës, në këtë fund Qershori ku temperaturat sa vijnë e rriten pacientëve në pavijonet e spitalit numër 1 në QSUT, do tu duhet të maten mirë nëse duan të shkojnë gjatë natës, në tualetet e hematologjisë, kardiologjisë, apo pavijonit
të diabetit sepse mungesa e ujit, i ka kthyer këto ambiente të spitalit në një katrahurë të vërtetë. Që prej dy javësh mungesa e ujit ka bërë që higjiena në WC-të e këtyre pavijoneve të jetë në gjendje mizerabël aq sa papastërtitë e plehrat të jenë në çdo cep të këtyre ambienteve. Përpos gjendjes së krijuar, nëse ndokush nga të sëmurët kërkon të shkojë në tualetet e këtyre pavijoneve gjatë natës duhet të durojë deri të nesërmen për të kryer nevojat personale sepse mungesa e ujit gati 10 orë gjatë natës duke përfshirë edhe mëngjesin deri paradite është një tmerr i vërtetë. Ka më shumë se 14 ditë që mungesa e ujit gjatë orëve të natës ka shkaktuar një rebelim të madh jo vetëm nga pacientët por edhe të afërmit e tyre të cilëve, përgjatë orëve të natës duhet të marrin masa e të mbushin bidona me ujë, për ti përdorur në WC-të e pavijoneve të spitalit numër 1. Uji në pavijonet e hematologjisë, kardiologjisë, apo pavijonit të sëmundjes së diabetit e të veshkave mungon pothuajse gjatë gjysmës së ditës. Kjo gjë kufizon kështu për gati 12 orë, tek pacientët e sëmure me hipertension, diabet, e me sëmundje gjaku te freskohen gjatë rasteve kur nata është e nxehtë e kushtet e rënduara të papastërtisë krijojnë një gjendje të padurueshme për këta pacientë. Përpos sëmundjes e kushteve mizerabël, mungesës së medikamenteve e netëve të nxehta, të sëmurëve u duhet të përballen edhe me mungesën e ujit, e cila është kthyer tashmë në një makth për ta. Pastrueset ato të cilat merren me pastrimin e ambienteve të spitalit u duhet të mbushin kova të mëdha me ujë që i lënë në gatishmëri të pacientëve e të afërmeve të tyre, në tualetet e spitalit, përgjatë orëve kur uji i rrjedhshëm mungon në çezma. Por edhe pse nga pastrueset merren këto masa sërish numri i lartë i pacientëve të cilëve u duhet të shkojnë në tualete përgjatë natës bën që uji i vënë në dispozicion nga pastrueset të mbarojë shumë shpejt e në tualete të mos mbetet asnjë pikë uji deri mëngjesin e ditës së nesërme. Edhe pse mungesa e ujit përgjatë natës ose me orare të shpeshta është kthyer tashmë në një problem të madh për pacientët, të afërmit e pastrueset e pavijoneve të spitalit numër 1, sërish prej dy javësh nuk është ndërrmara asnjë masë, nga drejtoria e QSUT-së. Të afërmit e pacientëve, tregojnë se edhe pse ankesat kanë qenë të përditshme të direktuara tek mjekët apo shefat e shërbimit, sërish mungesa e ujit ka qenë evidente e sa vjen e bëhet edhe më shqetësuese pasi ditët e nxehta me temperatura maksimale mendohet të sjellin edhe përdorimin më të madh të ujit, si për konsum të përditshëm por edhe për konsum personal.
Pediatria
Nga vëzhgimet e gazetës SOT në mungesë totale uji, është edhe spitali pediatrik, i pacientëve te vegjël. Madje në ndryshim nga spitali numër 1 ku orari i ujit është dy herë në ditë në spitalin e të vegjëlve, oraret janë reduktuar në 1 herë në ditë gjatë paradites ose mbasdites. Nga vetë prindërit e fëmijëve të shtruar në pavijonet e spitalit pediatrik, mungesa e ujit prej disa muajsh është kthyer në një shqetësim tejet të madh pasi në shumicën e rasteve ata detyrohen të blejnë edhe ujin për përdorim të përditshëm e jo vetëm atë për të pirë.
Hematologjia
Në këtë pavijon shumica e pacientëve, e kanë tepër të domosdoshme të shkojnë të paktën disa herë gjatë natës në WC-të e pavijonit sepse përdorimi i shpeshtë i serumeve e ilaçeve të tjera shkarkuese, i detyron ata ta kenë të domosdoshme vajtjen në tualete. Përpos faktit të efekteve anësore të ilaçeve i cili në shumicën e rasteve i bën gati 70 për qind të pacientëve të vuajnë nga hipertensioni kjo sëmundje i shkakton atyre edhe përdorimin më të shpeshtë të tualeteve qoftë edhe për tu freskuar. Përpos mungesës së ujit gjatë orëve të natës, pacientëve u duhet që të përdorin tualetet e përgjithshme që për më shumë se 40-50 pacientë për çdo pavijon të përdorin vetëm dy WC të përgjithshme të cilat duhet ti përdorin edhe të afërmit e tyre. Në të gjitha pavijonet e spitalit numër 1, ekzistojnë vetëm nga dy dhoma me tualete brenda të cilat janë në gjendje mizerabël, me tubacione që shpërthejnë gjatë gjithë kohës, apo mure të rrjepura nga lagështira në vite. Nuk mungojnë as tubat e nxjerra në sipërfaqe të tualeteve, të një kati më sipër të cilat mbahen e janë rregulluar nga vetë të afërmit e pacientëve me litarë e qese për të mos rënë në tokë. Edhe pse kjo gjendje është evidente nga drejtoria e QSUT-së nuk është bërë asnjë lëvizje për të rregulluar gjendjen e cila përpos shqetësimeve e mungesave shkakton tek të sëmurët infeksione të ndryshme nëpërmjet mikrobeve të shumta.
Arta AGOLLI