E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të vijojë rritjen e pagave dhe pensioneve në 3 vitet e ardhshme

07-02-2012 / Gazeta 55

Për 2012-2014, parashikohet rritje 7 për qind për Mjekësinë e Arsimin, 4 për qind administrata e pensionet


Qeveria shqiptare vazhdon të ndjekë politikën e rritjes së pagave dhe pensioneve për shtetasit shqiptarë. Masa e rritjes së këtyre pagesave është pasqyruar në planin ekonomiko-fiskal 2012-2014, miratuar nga Këshilli Ministror pak ditë më parë. Në këtë plan të qeverisë më të favorizuarit do të jenë sektorët e cilësuar si prioritarë, të cilët do të përfitojnë rritje me më shumë se 4 për qind. Për sa i përket pagave, në planin e qeverisë, thuhet se rritje do të ketë vetëm për sektorët prioritarë të tillë si arsimi dhe shëndetësia, rritje e cila parashikohet të jetë rreth 7 për qind. Ndërkohë që për administratën do të ketë një indeksim sipas inflacionit, që vlerësohet të jetë një rritje maksimalisht në nivelet 4 për qind . Në dokumentin e qeverisë thuhet se edhe për pensionet rritja mesatare do të jetë mesatarisht 4 për qind , më e lartë për pensionet në fshat dhe më e ulët për qytetin, duke synuar që të arrihet barazimi mes tyre dhe kjo rritje do të shihet edhe në krahun tjetër, që lidhet me kontributet, proces ky, i cili i është lënë për t’u zbatuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Gjithashtu ky plan i qeverisë parashikon që për vitin 2012 të ketë një shtim me 4 për qind të fondit të ISSH-së nga derdhja e kontributeve, dhe rritje 14.8 për qind në vitin 2014 , krahasuar me vitin 2011. Për sa i përket shpenzimeve të ISSH-së, plani parashikon që do të ketë një rritje prej 4.2 për qind përgjatë këtij viti, rritje kjo që do të vijë, si pasojë e shtimit të numrit të personave që do të dalin në pension. “Duke përfshirë rritjen e pensioneve dhe efektet mbetëse të rritjeve nga një vit në tjetrin, përsëri parashikohet që transfertat në buxhetet familjare nëpërmjet ISSH-së të cilat rrjedhin nga sistemi i pensioneve dhe trajtimeve të veçanta, të jenë në nivelin 6.5 për qind të PBB-së”, thuhet në dokumentin qeveritar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›