E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës: Nuk kemi listë të persosh për t’i arrestuar

PRISHTINË- Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me deklaratat e djeshme spekulative për ekzistimin e një liste të personave të cilët planifikohen të arrestohen nga autoritetet kosovare. 

“Deklaratat e fundit në media për ekzistimin e kësaj liste sekrete që përmban emrat e serbëve janë thjeshtë spekulative, të pabaza dhe janë pjesë e një propagande të orkestruar që ka për qëllim pengimin e proceseve paqësore dhe demokratike”, theksohet në komunikatën nga Ministria e Drejtësisë. 

Më tej thuhet se, spekulimet e tilla janë kundër frymës së normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe e pengojnë implementimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve të arritur në prill të këtij viti. 

“Si të tilla, këto dezinformata të shpërndara në media nuk janë në funksion të të mirës së qytetarëve të Kosovës e as atyre të Serbisë”, thuhet në komunikatë. 

Theksohet se, Republika e Kosovës e respekton rendin juridik ndërkombëtar dhe standardet ndërkombëtare në të gjitha procedurat kriminale që inicohen në përputhje me procedurat e parapara me legjislacionin në fuqi. 

“Në këtë kontekst të gjitha rastet e krimeve potenciale shqyrtohen individualisht, bazuar në përmbajtje nga institucionet relevante gjyqësore që veprojnë në përputhje me ligjet e Kosovës. Në asnjë mënyrë nuk shfrytëzohen si pjesë e ndonjë fushate propagandistike”, përfundon deklarata.
Siç ka transmetuar media kosovare, mediat serbe kanë spekuluar se “Kosova ka regjistrin me 3000 serbë që do t’i arrestojë”.
(m.a/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›