E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Serbisë: Pacolli po investon para për njohje

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë kanë thënë se Behgjet Pacolli po investon shumë para për sigurimin e njohjeve për Kosovën. Këshilltarë të Zëvendëskryeministrit Pacolli e kanë mohuar këtë. Ata thonë se Kosova ka mjaft argumente për të kërkuar njohje dhe Serbia po frikësohet nga aktiviteti dinamik i Pacollit. Nga Express më 22 gusht 2011 në ora 21:44

Është shtuar numri i shteteve që kanë njohur Kosovën si dhe janë paralajmëruar njohje edhe nga 14 shtete të Karaibeve. Me këtë, numri i shteteve që njohin Kosovën i afrohet numrit 100, për të cilën disa konsiderojnë se është një kufi psikologjik që do të thotë presion të shtuar në shtetet e tjera që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ka shkruar të hënën e përditshmja serbe “Politika”.

Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për bashkëpunim me mediat, Milivoje Mihajlovic ka deklaruar se “njohjet e reja janë pasojë e lobimit nga shtete perëndimore, ndërkaq bartësi i këtyre aktiviteteve, Behgjet Pacolli harxhon shumë para për këtë qëllim”. Në mediat serbe kjo deklaratë është interpretuar si investim i parave për të siguruar njohje.

Jetlir Zeberaj, këshilltar për media i Zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli i ka mohuar të gjitha këto. Ai ka thënë se Kosova nuk ka nevojë të investojë para për shkak se ka argumente të mjaftueshme, prezantimi i të cilave i shtyn shtetet që ta marrin vendimin për njohjen e pavarësisë.

“Në mesin e argumenteve, ai më i forti është opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, i cili i jep legalitet të plotë shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Argument tjetër është edhe përkrahja e fuqishme e shpalljes se pavarësisë së Kosovës nga vendet më demokratike të botes, me në krye SHBA’në dhe vendet e BE’së”, ka thënë ai për Express.

Duke folur për akuzat e zyrtarëve serbë, Zyberaj ka thënë se një gjë e tillë është shpifje, e cila vjen nga frika e Serbisë për shtimin e madh të numrit të njohjeve të Kosovës.

“Është e vërtetë se Pacolli shpenzon shumë para të tij për lobim dhe për logjistikë, po jo për të blerë njohje. Ai pra shpenzon edhe nga buxheti i tij privat për misionin që ka, por nuk shpenzon për të blerë ndonjë njohje”, ka thënë Zyberaj.

Zyrtarë të Qeverisë së Serbisë deklarojnë se nuk janë frikësuar nga rritja e numrit të njohjeve për Kosovën. Zëdhënësi Mihajlovic bën përpjekje të minimizojë ndikimin që kanë njohjet e fundit nga Afrika.

“Këto janë vende të vogla. Në esencë, në mesin e atyre shteteve nuk ka shtete kyçe që janë të rëndësishme në përmasat botërore. Në përgjithësi, të gjitha shtetet anëtare të OKB’së e kanë marrë qëndrimin rreth pranimit të Kosovës gjatë muajve të parë pas shpalljes së pavarësisë së saj. Këtë e kanë bërë disa shtete evropiane dhe SHBA’ja”, ka thënë Mihajlovic.

“Por, të gjitha shtetet e tjera të rëndësishme, mendoj në Amerikën Latine, Rusinë, Indinë, Kinën.. ato nuk e kanë bërë këtë”, ka shtuar ai.
Ai ende shpreson se për statusin e Kosovës duhet të debatohet dhe vendoset në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Mendoj se kjo valë e njohjeve nuk është e madhe, e as hap serioz i institucioneve të Prishtinës drejt pavarësisë. Për statusin e Kosovës, megjithatë, duhet të debatohet në OKB. E, atje situata është krejtësisht ndryshe”, ka thënë Mihajlovic.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›