E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria fuqizon kompetencat e prefektëve dhe rrit të ardhurat e vendorëve

Autori i Lajmit: red.
Kryeministri Sali Berisha premton fuqizim të pushtetit të prefektëve. Gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë ai pohoi se procesi i decentralizimit do të njohë zhvillime shumë të shpejta, pasi nuk mund të ekzistojnë aparate të tëra administrative pa kompetencat e duhura. “Pushteti ekzekutiv ka përfaqësuesit e vet dhe këta janë prefektët, të cilët janë të detyruar të funksionojnë mbi bazën e ligjit dhe të udhëzimit të qeverisë. Prefekturat duhet të njohin një fuqizim real dhe kjo do të ndodhë në radhë të parë duke marrë kompetencat e pushtetit qendror”, - nënvizoi kryeministri Berisha. Sipas tij, ligji i prefektit është gati, por kërkohet ndjekja e procedurave të caktuara për t u vënë në zbatim, ndaj në frymën e këtij ligji mund të hartohen vendime të caktuara të cilat hyjnë në fuqi më shpejt. Po dje Berisha pohoi decentralizimin fiskal, i cili sipas tij, do të rrisë më tepër kapacitetin investues të njësive të qeverisjes vendore. Kreu i Qeverisë informoi se pas një pune të gjatë, që është bërë nga grupe të përbashkëta të bashkive dhe qeverisë, qeverive vendore do t u kalohen nëpërmjet taksave, të paktën 12 miliardë lekë të tjera. Duke vlerësuar se ky është një zhvillim shumë pozitiv, kryeministri Berisha vuri në dukje se krijohet mundësia për një bashkërendim më të mirë të të gjitha përpjekjeve të qeverisë vendore dhe qeverisë qendrore, për një infrastrukturë moderne evropiane për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ky lajm është publikuar: 29/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›