E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e viktimave të Gërdecit, "padi" për Prokurorinë

Paditësit kërcënojnë se nëse përfaqësuesit e akuzës nuk do të paraqiten, ata do të protestojnë përpara kësaj të fundit

Të afërm të 11 viktimave të Gërdecit, pretendojnë se pengohen nga prokuroria në gjetjen e provave për procesin civil të dëmshpëblimeve

TIRANË- Familjarët e viktimave të ngjarjes së Gërdecit padisin në Gjykatën e Tiranës, Prokurorinë e Përgjithshme për mohimin e akteve hetimore të fituara gjatë hetimit të saj, të cilat duhej të paraqiteshin si prova në një proces civil prej tyre në Gjykatë. Një mohim i tillë është kryer edhe pas kërkesës së Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila ka marrë në shqyrtim që prej dhjetorit të vitit të kaluar kërkesë padinë e 11 familjarëve të viktimave të Gërdecit, me anë të së cilës kërkojnë njohjen me aktet hetimore për të përgatitur padinë civile ndaj qeverisë shqiptare. Gjatë paradites së djeshme, ka qenë seanca e tretë gjyqësore për shqyrtimin e kërkesë padisë me objekt "njohjen me aktet hetimore", ku përfaqësuesit e akuzës nuk kanë preferuar të paraqiten. Kjo mosparaqitje ka irrituar familjarët e viktimave, duke "akuzuar" Prokurorinë e Përgjithshme për veprime tendencioze ndaj tyre. "Familjarët e viktimave shprehen të vendosur që nëse Prokuroria e Përgjithshme nuk paraqitet dhe në seancën e radhës, ata do të përshkallëzojnë qëndrimin e tyre ndaj këtij institucioni. Shkelja e të drejtave procedurale të familjeve të viktimave të Gërdecit vë në dyshim paanshmërinë dhe ligjshmërinë e hetimit që po kryen Prokuroria e Përgjithshme",-thanë për "Shekullin" përfaqësuesit ligjorë të këtyre 11 familjeve të viktimave. Ndërkaq, vetë familjarët u shprehën se "nëse edhe në seancën tjetër mungon prokurori dhe nuk vë në dispozicionin tonë për të përgatitur padinë civile aktet hetimore, do të protestojmë para Prokurorisë së Përgjithshme". Nga ana tjetër, përfaqësuesit e organit të akuzës nuk kanë preferuar të përgjigjen për shkakun e mos paraqitjen e tyre për të tretën herë në seancë gjyqësore. Të pyetur nga "Shekulli", një nga zyrtarët e lartë të këtij institucioni u shpreh se "për sa kohë Prokuroria e Përgjithshme, nuk mund të deklarojë përfundimin e hetimeve në kuadër të kësaj dosjeje. Të dhënat në përmbajtje të saj nuk mund t'i bëhen të ditura asnjë pale tjetër, veç personave të autorizuar nga ligji"- nënvizoi ai pa pranuar identifikimin.
Për shkak të mos paraqitjes së përfaqësuesit të akuzës, gjyqtarja e çështjes u detyrua të ndërpriste procesin gjyqësor, duke caktuar një ditë tjetër për vazhdimin e shqyrtimit të kërkesë padisë së 11 familjarëve të viktimave të tragjedisë së Gërdecit. Të përfaqësuar nga avokatët ligjorë të organizatës "Mjaft", ata kanë kërkuar që Gjykata e Tiranës të urdhërojë organin e akuzës t'iu vërë në dispozicion aktet hetimore të çështjes, për të përgatitur padinë civile për dëmshpërblim për viktimat dhe dëmet e kësaj tragjedie. Që nga 2 dhjetori 2008 kur, kur nisi seanca e parë pranë Gjykatës Tiranës, përfaqësuesit e akuzës nuk janë paraqitur, pa dhënë shkaq apo argumente ligjore. Sipas kërkesë- padisë të bërë nga juristët e lëvizjes "Mjaft" që përfaqësojnë të 11 familjarët e viktimave me prokurë të posaçme, arsye e këtij procesi gjyqësor, është marrja e akteve të dosjes hetimore të tragjedisë së Gërdecit dhe vënia në dispozicion të tyre duke u bazuar në Nenin 58 të Kodit të Procedurës Penale. "Kjo kërkesë, shërben për të përgatitur kërkesë-padinë ku do të përcaktohet dëmshpërblimi për familjarët e viktimave. Por, mos marrja e këtyre akteve, e bën të pamundur që familjarët të formulonin kërkesat e tyre për dëmshpërblim, ashtu si dhe prokurorët do ta kishin të pamundur të përcaktonin fajtorët dhe masën e dëmit pa pasur mundësi të lexonin aktet e dosjes"-thanë avokatët.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›