E Diel, 1 Nëntor 2026

"Romët në Evropë", mes paragjykimeve dhe mbijetesës

"Romët në Evropë". Ky është libri i prezantuar dje nga përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, ku ka marrë pjesë edhe vetë autori i tij francez, Jean-Pierre Liegeois, profesor në Universitetin e Paris V-Sorbonë. Ai është edhe themelues i Qendrës Kërkimore për Ciganët që në vitin 1979, të cilën e drejtoi deri në vitin 2003. Por në këtë promovim nuk ka munguar as pjesëmarrja e disa nga drejtuesve të shoqatave të popullatës rome në Shqipëri. Në Evropë, romët përbëjnë një komunitet prej rreth 8 milionë personash. Ata janë një komunitet që janë keqkuptuar, janë izoluar nga bota për shkak të stereotipave negativë që gjithmonë i kanë rrethuar; për shekuj me radhë politikat e hartuara ndaj tyre kanë pasur synimin e shkatërrimit të tyre fizik apo kulturor. Mbi këtë ide është përqendruar edhe diskutimi i djeshëm në këtë panel të mbajtur në ambientet e një universiteti privat në kryeqytet. Autori i këtij libri ka theksuar faktin se ky botim ka si qëllim të krijojë një vizion më të qartë për romët, duke përshkruar nga njëra anë pasurinë e kulturës, stilit të tyre të jetesës dhe forcën e identitetit dhe nga ana tjetër, keqtrajtimin që u është dashur të përjetojnë për shekuj të tërë.

Ky arsyetim i qartë dhe i hapur i një situate të tillë komplekse e të plotë që ka nxitur konflikte të përhershme është konsideruar me interes të veçantë për mësuesit, trajnuesit, punonjësit që merren me komunitetin dhe individët që kanë përgjegjësi politike apo administrative në këtë fushë. Ky libër është vlerësuar se shërben edhe si një mjet për të shpërndarë informacion për organizatat e romëve. Në faqet e fundit të tij paraqiten edhe shtyllat për të hartuar një program të ndërtuar në bazë të nevojave, si dhe një program të bashkërenduar veprimi. Libri citon faktin se në Shqipëri jetojnë minimumi 90-100 mijë romë. Ndërkohë që shifrat e sakta konsiderohen si një mision i vështirë edhe për faktin se shumë prej romëve nuk figurojnë në regjistrat e zyrave të gjendjes civile.

Profesori francez Jean-Pierre Liegeois e nis prezantimin e librit duke cituar një deklaratë të zëvendëssekretares së KE-së mbi situatën e romëve në vendet anëtare: Do të ishte e vështirë të gjeje paragjykime më të mëdha se ato që ekzistojnë ndaj popullatës rome dhe verbojnë qytetarët tanë. Është detyrimi ynë që të mbrojmë romët të cilët vazhdojnë që të jenë viktima.

Sipas autorit, jo në pak raste, paragjykimi për romët shndërrohet në raste dhune të tmerrshme, por merr edhe formën e akteve zyrtare. Sipas tij, romët njihen shumë pak dhe qëllimi është që të ofrohet një njohje më e mirë për ta. Si pikën më të dobët të gjendjes së komuniteteve rome kudo në Evropë, autori evokon faktin se ata formojnë një komunitet të madh, por që nuk ka një shtet pas vetes për t‘i dhënë instrumentet e nevojshme për të cilat kanë nevojë që të mbrojnë të drejtat e tyre. Ai ka theksuar më tej edhe pasurinë e kulturës, artit apo traditave rome. Ndërsa i ka konsideruar ata si një komunitet që numerikisht përfaqësohet në mënyrë të konsoliduar në Evropë, në të cilin thotë se nuk ka më shumë irlandezë apo finlandezë se sa romë. Si një element ku ai përqendron më shumë vëmendje është arsimimi i fëmijëve romë, sikundër shton se shtetet evropiane duhet të pranojnë zyrtarisht gjuhën e romëve. Në një intervistë për gazetën, profesori Jean-Pierre Liegeois shpjegon më tej "lidhjet" e tij me këtë popullatë.

Si autor i librit "Romët në Evropë", cili ka qenë inspirimi apo motivimi juaj për këtë çështje?

Ky nuk është libri i parë apo i vetmi libër që kam shkruar për romët. Siç thanë edhe këtu shoqatat rome, është një aktivitet që është bërë përgjatë 10 viteve. Unë kam qenë themelues i Qendrës Kërkimore për Romët që në 1979-ën dhe kam bashkëpunuar me Këshillin e Evropës, sidomos në formimin e trajnimin e mësuesve që në vitin 1983. Për t‘ju përgjigjur pyetjes suaj, motivimi im është që, kur kam qenë i ri në universitet, kam pasur miq romë. Kam jetuar me këto familje në jug të Spanjës dhe kam udhëtuar me to. Dhe vetëm në universitet, kur më është dashur të shkruaj një detyrë, atëherë kam menduar që meqenëse kam këtë eksperiencë me romët, përse të mos bëj diçka. Deri në atë moment, nuk kisha lexuar asgjë për romët, por fillova të lexoj dhe pashë se shumë gjëra ishin të gabuara, të cilat nuk i kisha ndeshur në përvojën time. Në atë moment, fillova të shoh në arkiva, në historinë spanjolle dhe aty u konfrontova me eksperiencën time.

Cilat janë qëllimet e këtij botimi?

Botimi i parë i këtij libri, në 1985-ën, ka qenë vetëm për qëllime pedagogjike. Për këtë arsye, shkrimi i këtij libri duhej të ishte i thjeshtë dhe i kuptueshëm për këtë nivel lexuesish dhe jo studime filologjike apo studime të thelluara. Pra, libri është bërë për të trajnuar mësuesit. Më vonë u pa se ky libër shërbeu dhe si instrument për shoqatat rome. Ato mund ta përdornin librin për të treguar se ekziston gjuha e tyre, kultura e tyre dhe ta shpërndanin librin në ambiente të ndryshme.

A është reflektuar situata e romëve në Shqipëri në këtë libër. Nëse jo, a ka ndonjë plan për të ardhmen?

Përqasja e librit është totalisht evropiane. Ka 47 vende anëtare në Këshillin e Evropës. Nuk ka një analizë të veçantë që i përket një shteti. Kur flisja më parë, gjatë prezantimit, mbi tipologjitë e politikave që janë ndërmarrë, kjo i përket të gjitha shteteve. Por mendoj se me iniciativën e një vendi mund të shtohet një kapitull për secilin vend. Në botimin e mëparshëm në Spanjë është futur edhe kapitulli për Spanjën, edhe në Slloveni gjithashtu. Pra, mund të bëhet e njëjta gjë edhe për Shqipërinë. P.sh. në Rumani, në edicionin e fundit të librit që është botuar në rumanisht, shoqatat e romëve atje e kanë marrë librin për ta studiuar, e kanë përpunuar dhe në edicionin e mëpasshëm do të fusin një kapitull në të.

Për sa i përket çështjeve sociologjike, kulturore, familjet rome shqiptare janë pothuajse të njëjta me ato të vendeve të tjera, nuk ka ndryshime.

Sa e vështirë është të mbledhësh informacion për popullatën rome, pasi shpesh ata nuk janë të regjistruar në shtetet ku jetojnë?

Sido që të jetë çështja e shifrave, është gjithmonë shumë e vështirë. Kjo, sepse në shtetet që i njohin minoritetet, ku ka një regjistrim të popullsisë si në Hungari, Sllovaki apo Rumani dhe që mundet që në formularët regjistrues kutia rome të plotësohet, shumica e romëve nuk e bëjnë. Kjo ndodh sepse ende ata kanë në kujtimet e tyre, kohën e nazizmit dhe kanë atë frikën për t‘u futur nëpër lisat ndaj dhe nuk e bëjnë shënimin. Në Sllovaki p.sh. është e mundur të dihet se sa romë ka, nëpërmjet shoqatave rome, ose përmes njësive bashkiake e programeve të strehimit dhe mund të krahasohen apo të priten këto burime informacioni dhe të bëhet një panoramë. Kështu mund të dihet se ka 500 mijë romë në Sllovaki. Regjistrimi i fundit që është bërë në Sllovaki, ku është paraqitur letra me kutitë për t‘i mbushur, vetëm 80 mijë vetë e kanë plotësuar. Ky ishte rasti që çdo minoritet, në këtë vend, mund të identifikonte veten dhe vetëm 80 mijë romë e kanë shënjuar këtë pikë në formular.

Sa e hapur është Evropa për të përballuar këtë sfidë, që të bashkëjetojë me popullatën rome, si qytetarë me të drejta të barabarta?

Mendoj se Evropa dhe në veçanti Këshilli i Evropës dhe Bashkimi Evropian që prej shumë kohësh i kushtojnë vëmendje çështjes së romëve. Teksti i parë i Këshillit të Evropës për romët daton që në 1969, është rekomandim i Komitetit të Ministrave dhe që prej asaj kohe një numër tekstesh janë botuar. Institucionet ndërkombëtare, nga njëra anë, kanë edhe vokacionin apo dëshirën, por edhe detyrën, sepse romët nuk kanë shtet, pra kanë detyrën që t‘i marrin përsipër romët. Kur flasim për programet arsimore, për çdo minoritet ka një shtet referues. P.sh. në rastin e Hungarisë, kur ajo do bëjë programet mësimore për nxënësit, minoriteti gjerman ka si shtet reference Gjermaninë, ose minoriteti rumun ka Rumaninë dhe kështu me radhë minoritete në shtete të tjera. Ndërsa romët nuk kanë shtet. Pra, institucionet ndërkombëtare kanë nevojën më të madhe për të zëvendësuar këtë shtet që i mungon romëve. Ka një numër të madh tekstesh të BE-së dhe KE-së, që lidhen me romët. A.Rr.

Origjina

Si erdhën nga Lindja drejt Perëndimit

Romët e kanë origjinën nga Lindja. Shkenca gjuhësore jo më herët se shekulli i 18 zbuloi se gjuha e tyre ishte indiane, me shumë mundësi nga veriperëndimi i kontinentit dhe se e ka origjinën nga dialekte të folura gjerësisht me afërsi me sanskritishten. India ka qenë fillimi për migracionin e tyre midis shekullit të 14 dhe të 19. Gjuhësia gjithashtu ka bërë të mundur që, nëpërmjet shqyrtimit të fjalorit të strukturës gramatikore të gjuhëve të ciganëve në vende të ndryshme, të krijohej një ide e rrugës që ata kanë ndjekur gjatë këtyre migrimeve.

Migracioni

Shtegtimet, prej persekutimit dhe presioneve

Këto migracione kanë ndodhur për arsye të ndryshme. Së pari dhe kryesisht ka qenë persekutimi që ka bërë që ciganët të largohen nga vendi në vend. Gjatë shekujve, ka pasur mjaft politika dëbimi apo ndëshkimi të shoqëruara nga dëbime të ndryshme për arsye të shkeljeve të ndryshme (njollosja me hekur, varja në litar dhe dënimi me punë të rënda). Janë organizuar edhe gjueti kundër ciganëve, ku u vranë me qindra dhe ata që mbijetuan u detyruan të largoheshin. Ciganët kanë përjetuar edhe presione nga më të ndryshmet, veçanërisht për të detyruar nomadët që të bëjnë një jetë sedentare dhe efekti i këtyre presioneve ka bërë që ata të lëviznin nga një vend në tjetrin. Gjithashtu, ka pasur edhe politika të panumërta dëbimi, madje edhe në kohët moderne dhe në nivel shtetëror. Me shoqëri të tilla, që silleshin ashpër me ta, e vetmja mundësi për ciganët ishte që të vazhdonin shtegtimin e tyre në kërkim të një vendi më mikpritës.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›