E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria merr votëbesimin mes sherrit

18/01/2011  Deputetët e Partisë Socialiste tensionojnë situatën, replika me Berishën dhe Topallin

Akuza dhe sharje në Kuvend. Kryeparlamentarja ndërpret 5 herë takimin e parë për 2011

Qeveria ka marrë dje votëbesimin mes sherrit me deputetët e opozitës. Ndërsa vetëm Vangjel Dule ka mbetur i papërfshirë, akti normativ për investimet në rrugën e Elbasanit dhe hapjen e buxhetit ka marrë 73 vota, ashtu si dhe ndryshimet në qeveri.

Seanca e mbrëmshme plenare, e para për këtë vit, ka shënuar tensione të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës. Një tension ky që i ka detyruar të gjithë deputetët e Parlamentit shqiptar ta zhvillonin atë në pjesën e saj më të madhe më këmbë. Po ashtu më këmbë u është përgjigjur akuzave të turmës socialiste pranë foltores së Parlamentit kryeministri Berisha. Videopërgjimi “Meta-Prifti”, që solli dhe dorëheqjen e parevokueshme, tashmë të bërë zyrtare pas votimit të mbrëmshëm, të ish-zëvendëskryeministrit dhe ish-ministrit të METE-s Ilir Meta, ka provokuar debate të tensionuara, që ka degjeneruar që në fillim të seancës në sharje dhe fyerje personale të përfaqësuesve të të dy krahëve të politikës. Tensionimi i zhvillimit të seancës, ku kryeministri është detyruar të përballojë brohoritjet e deputetëve socialistë sa herë që ai merrte fjalën në reagim të akuzave të lëshuara nga përfaqësuesit e opozitës. Dhe ky debat, i provokuar nga fjalimi i kreut të qeverisë, i cili akuzonte liderin e opozitës si njeriu që manipuloi videoskandalin, ka bërë që seanca deri në mbyllje të saj të ishte e tensionuar dhe të ndërpritej gjashtë herë. Në fjalën e tij kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste akuzoi kryeministrin Berisha se tashmë qeveria e kryesuar prej tij ka dështuar në misionin e saj për integrimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu Ruçi theksoi se shfaqja e publikuar në video prej tri minutash është pasqyra e më e mirë se si qeveria “Berisha” po e drejton këtë vend. “Ska hajdut që shkon me këmbët e veta në burg. Ajo shfaqje që panë të gjithë shqiptarët në televizion për tri minuta është pasqyra e gjithë punës suaj, zoti kryeministër. Për ju skanë rëndësi qytetarët, por xhepi juaj, që ka sjellë mbajtjen larg të shqiptarëve nga integrimi dhe mirëqenia e tyre. Ju jeni një kryeministër në ikje dhe ajo që mund tju them është vetëm ik”, - tha Gramoz Ruçi nga foltorja e Parlamentit. I menjëhershëm ka qenë reagimi i Berishës, i cili theksoi se “këlyshët e Bllokut stë kafshojnë, por vetëm lehin. Opozita bëri gjithçka që nga greva urie, orgjiara e me radhë.” Më pas kryeministri akuzoi opozitën shqiptare, duke thënë se ajo ka gisht në raportin e publikuar nga senatori i Parlamentit Europian Dik Marti. “Paguat një racist si Dik Marti që të fliste në Parlamentin Europian në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Të denigronte shqiptarët. Edi Rama përdor kryeqytetin për 20-përqindshat e tij, që investohen më pas nën urdhrat e mafiozëve”, - deklaroi kryeministri Berisha gjatë seancës së parë plenare për 2011-n.

Këpuca në tentativë

Tensionet dhe sharjet e shumta, që kanë detyruar për disa herë kryeparlamentaren Topalli të mbyllte seancën e mbrëmshme, janë shoqëruar dhe me gjeste dhune dhe abuzimi të medies. Në “pushimin” e tretë të mbrëmshëm u përhap lajmi se ministrja e integrimit Majlinda Bregu gjoja ka hequr këpucën dhe ka kërcënuar se do të qëllonte deputetin socialist Sajmir Tahiri, ky i fundit shumë aktiv në revoltën e mbrëmshme opozitare.

Fotoreklama

Gjatë shtyrjes ndaj njëri-tjetrit si dhe ndaj forcave të Gardës, ku deputetët socialistë akuzonin në kor kryeministrin Berisha si “kajdut, kusar, i çmendur etj”, Ethem Ruka shfaqej në mes të turmës duke fotografuar kolegun e tij Ilir Beqja, i cili ndërkohë ishte në kulmin e protestës së tij.

Imitimi

Me sa duket, gjesti i kryer nga kolegu i tij majtë Ethem Ruka bëri që dhe ministri i Inovacionit, Teknologjisë dhe Komunikacionit Genc Pollo të ndizte dhe ai celularin dhe të fillonte nga filmimi dhe fotografimi i protestuesve, që ishin mbledhur pranë tavolinës. Me IPOD-in e tij Pollo dukej se po u bënte foto socialistëve, gjë që pasqyrohej nga blici i ndezur i aparatit celular.

Shalsi

Në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit, ku theksohet se deputeti duhet të vishet me kostum, deputeti socialist Eduard Shalsi nuk dukej si i tillë, por si një njeri që e kishte marrë me sportivitet seancën e mbrëmshme.

Replikat

Balla-Metës

O hajdut, e ke marrë bllokun me vete?

Meta-Ballës

Ju jeni monstra, jeni të gjithë çimka si Dritan Prifti!

Berisha-Ballës

Ulu aty, o Taulant Gjura!

Ruçi-Berishës

Berisha kishte frikë ndaj zbardhjes së kutive të votimit, pasi kishte frikë nga nënshtrimi i tij ndaj organeve të drejtësisë.

Berisha–Ruçit

Kulishët e Bllokut flasin, nuk të hanë

Ruçi- Berishës

Ti, zoti kryeministër, që nga viti 92 deri më 97-n ke ushtruar terror ndaj po kësaj opozite. Ik sa stë ka ardhur muti në fyt!

Berisha-Ruçit

Me këtë që the këtu veçse nxore fytyrën tënde si legen.

Meta-opozitës

E gjithë kjo është një montazh dhe do ta fitoj këtë betejë, sepse kam besim tek Ilir Meta, tek e vërteta, te drejtësia. Dhe kjo do të jetë një fitore mbi fashizmin

Votimi për aktin normativ

Prezenca – 73 deputetë Akti normativ - 73 pro

Ikja e Metës - 73 pro

Votimi i Haxhinastos - 72 pro

Emërimi i Nasip Naços – 73 pro

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›