E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motra vret vëllain në bashkëpunim me të shoqin

18/01/2011  Policia zbardh vrasjen e biznesmenit të Korçës, Marsel Grabocka

Shkak pronësia e përbashkët mbi një objekt, donte ta përfitonte vetë

KORÇE- Së fundi pas 10 ditë hetimesh intensive, strukturat e policisë të qarkut Korçë kanë mundur të zbardhin vrasjen e biznesmenit 37- vjeçar, Marsel Grabocka, i cili u gjet i vrarë në banesën e tij, i qëlluar disa herë me armë zjarri, pistoletë, në trup dhe në kokë, ku nga plagët e marra gjeti vdekjen e menjëhershme. Dhe ndërsa pritej që ai të ishte vrarë nga persona të tjerë, me të cilët mund të kishte pasur larje hesapesh të vjetra, hetimet e policisë treguan se ai ishte vrarë nga e motra e tij, e cila për realizimin e kësaj vrasjeje kishte bashkëpunuar me bashkëshortin e saj. Edhe pse ngjarja duket e pabesueshme, si për familjarët e Marselit dhe për çdo banor të qytetit të Korçës, përfundimet e hetimit janë krejtësisht të qarta dhe të sigurta. Autorë të këtij krimi janë: Niko Tomço, 40 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Vasilika Tomço, e cila në të njëjtën kohë është edhe motra e viktimës, Marsel Grabocka. Që vdekja do t’i vinte nga njeriu më i dashur i familjes dhe pikërisht nga e motra nuk do ta kishte besuar as vetë viktima. Madje është kjo arsyeja që ai u kishte hapur derën e shtëpisë dhe i kishte lejuar që të hynin brenda. Por, ndryshe nga vëllai që priste të motrën për urimin e Vitit të Ri, motra e tij i kishte rezervuar një fund tragjik. Gjithë kjo ngjarje, sa tragjike aq dhe absurde, ka ndodhur për motive pronësie, pasi mes vëllait dhe motrës kishte ekzistuar një pronë e përbashkët. E motra nuk kishte marrë në vlerësim as faktin që Marselin e kishte vëlla të vetëm, as se çfarë do t’u thoshte prindërve në rast se vrasje do të zbulohej dhe mbi të gjitha si do të gjente guximin për të vajtuar e shkulur flokët mbi varrin e të vëllait. Etja për pasuri duket se kishte errësuar te bashkëshortët Tanço çdo arsye dhe logjikë. Në lidhje me këtë ngjarje, që ende duket e pabesueshme, burime pranë Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës bënë të ditur se “ditën e hënë në orën 15:00, në saj të një pune intensive dhe të mirëorganizuar nga ana e strukturave të policisë në Drejtorinë e Policisë të Qarkut Korçë, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Trekëndëshi”, ku u bë i mundur ndalimi i shtetasve: Niko Tanço, 40 vjeç, lindur dhe banues në Korçë si dhe i Vasilika Tanço, 34 vjeçe, lindur dhe banuese në Korçë”. U bë e mundur zbardhja e plotë e kësaj ngjarjeje, nga ku rezultoi se motivi i kësaj vrasjeje ka qenë pronësia e përbashkët e një biznesi që shtetasja Vasilika Tanço ka pasur me vëllain e saj, Marsel Grabocka. Në cilësinë e provës materiale për këtë ngjarje të rëndë është sekuestruar arma e krimit pistoletë e tipit “TT”. Gjithashtu, pohuan burimet, “gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasve të lartpërmendur janë gjetur dhe sekuestruar edhe tre armë gjahu, të cilat shtetasi Niko Tanço i dispononte me leje. Veprat penale të konsumuara në këtë rast janë: “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. V. Hasani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›