E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrënohet tërësisht Boga nga reshjet dhe përrenjtë malorë

18/01/2011  Fshati turistik me sytë nga shteti

SHKODER- Fshati Bogë i komunës së Shkrelit është shkatërruar plotësisht nga reshjet e shumta dhe vërshimet e përrenjve malorë, që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar. Në këtë fshat malor, me lartësi rreth 800 metra mbi nivelin e detit, përveç banesave të dëmtuara është shkatërruar plotësisht infrastruktura dhe fshati ka marrë pamjen e një gërmadhe. Të ndodhur në këto kushte, banorët e fshatit Bogë kërkojnë ndihmë emergjente nga shteti si për riparimin e banesave të tyre, ashtu dhe për infrastrukturën rrugore. Vetë banorët shprehen se Boga njihet, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajt, si një zonë e thellë malore me vlera të veçanta turistike ndaj nuk duhet lënë në harresë. Tashmë kjo zonë turistike e veriut të vendit tonë është e shkatërruara, ndaj duhet ndërhyrje sa më e shpejtë dhe me fonde të posaçme që të rikthehet në gjendjen e mëparshme. Për banorët, investimet për të rikthyer në normalitet situatën do të ndikojnë në thithjen përsëri të vizitorëve vendas dhe turistëve të huaj, çka do u mundësojë atyre të sigurojnë të ardhura për jetesën e vështirë që ofron një zonë e thellë, por e bukur malore. Sipas banorëve, investimi i parë duhet të fillojë me banesat dhe me ndërtimin e dy urave të duhura, jo sa për emergjencë, për të vijuar me pjesën tjetër të infrastrukturës dhe nivelimit e terrenit që u mbush me rrënoja e mbeturina nga vërshimet e përrenjve malorë. Fshati Bogë i komunës Shkrel pësoi dëme të mëdha nga vërshimet e ujërave të rrëmbyeshëm, të cilat dëmtuan disa banesa poshtë rrugës dhe varrezat e fshatit. Ndërkohë që vetë territori i fshatit ndryshoi krejt pamjen, nga një vend tërheqës turistik, në një terren me gropa, mbeturina, mbetje rrënojash nga ndërtimet e shembura etj. Për banorët dëmtimi më i rëndë i tyre nuk erdhi thjesht nga vërshimet e përrenjve malorë, por dhe nga mungesa e dy urave, të cilat duhet të ishin ndërtuar që me asfaltimin e rrugës në vitin 2008. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›