Qeveria monopolizon tregun e D2-shit

Që nga janari i vitit 2009, nafta D2 do të jetë ekskluzivitet i kompanisë private ARMO, pasi një vendim i Këshillit të Ministrave tregon se në fillim të vitit që vjen, në tregun shqiptar nuk do të ketë më D2. Grosistët e quajnë monopol përjashtimin e ARMO-s nga ky vendim
Nëse qeveria do t’u përmbahej me korrektësi programeve të hartuara nga ajo vetë, atëherë që nga data 1 janar e vitit 2009, nafta D2 do të zhdukej nga qarkullimi, çka tregon se në pikat e shitjes me shumicë dhe pakicë të karburanteve konsumatori do të gjente vetëm benzinë dhe eurodiesel. Por duket se për institucionet përkatëse shtetërore më e rëndësishme është mbajtja në treg e një lënde djegëse, e cila shkatërron mushkëritë e qytetarëve, pasi lidhur me këtë rast, qeveria ka marrë edhe një vendim me karakter monopoli. Kështu, pas privatizimit të “ARMO”-s, pronarit të ri iu premtua se kompania e vetme në vend e përpunimit të naftës do të mund të përpunonte dhe shiste D2 deri në fund të vitit 2009. E kundërta ndodh në një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili parashikon heqjen e naftës D2 nga tregu për të gjitha kompanitë. Zemërgjerësia e qeverisë ka si qëllim gjoja mbarëvajtjen e “ARMO”-s përpara fillimit të investimeve, ndërkohë që sjell konkurrencë të pandershme në treg, duke bërë që grosistët ta ndiejnë veten të diskriminuar.
Kërkesa për barazi
Importuesit kryesorë të karburanteve janë tashmë në pritje të një lajmi të mirë nga qeveria, i cili bazohet pikërisht në përmbushjen e një kërkese që ata i kanë drejtuar Ministrisë së Ekonomisë dhe Kryeministrisë. Kjo kërkesë lidhet me faktin që importuesit kërkojnë shtyrjen edhe për një vit të vendimit që është parashikuar të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm. Njëlloj sikurse qeveria veproi në rastin e “ARMO”-s, kur duke parashikuar domosdoshmërinë e realizimit të investimeve, me qëllim përmirësimin e cilësisë së produktit, i dha edhe një vit kohë tregtimit të naftës D2 pronarit tashmë privat të saj.
Faktori monopol
“Nëse nuk merret parasysh kërkesa jonë, atëherë kemi të bëjmë me një monopol të pastër të krijuar prej këtij vendimi. Po qe se vendimi i qeverisë hyn në fuqi më 1 janar 2009 vetëm për kompanitë private importuese, atëherë automatikisht “ARMO” ka fituar 25 për qind të tregut pa asnjë konkurrencë, ndërkohë që edhe rreth 20 për qind të tregut sundohet nga pronari i ri i “ARMO”-s nëpërmjet aktivitetit aktual të tij”, pohojnë grosistët për “Korrierin”. Në fakt, këtë e vërtetojnë edhe shifrat e deritanishme që tregojnë strukturën e tregut të karburanteve. Prodhimi vendas i naftës ka pasur kuota tregu që janë luhatur nga 25-30 për qind të totalit të tregut. Çka do të thotë se, nëse i gjithë konsumi i karburanteve luhatet në 550-600 mijë tonë në vit, 140-150 mijë tonë në treg kanë përfaqësuar pikërisht produktin e “ARMO”-s. Pozita e “ARMO”-s në treg mund të përforcohet në kushtet e mungesës së konkurrentëve të saj.