Qeveria, ndihmë për familjet e të aksidentuarve të Himarës
Këshilli i Ministrave ka akorduar një fond prej 50 mijë eurosh në ndihmë të qeverisë italiane pas tërmeteve që kanë përfshirë këtë vend gjatë dy javëve të fundit si dhe 1 milionë lekë familjeve të cilat humbën të afërmit e tyre në aksidentin e Himarës
Qeveria shqiptare ka miratuar vendimin për tu akorduar 1 milionë lekë familjeve të cilat humbën të afërmit e tyre në aksidentin tragjik të Himarës.
Kryeministri bëri të ditur se në përputhje me ligjet e vendit qeveria do të japë një ndihmë financiare për viktimat e aksidentit të Himarës, si dhe të lënduarit nga ky aksident, të cilat konsistojnë përkatësisht në 1 000 000 (një milion) lekë për çdo viktimë, si dhe 300 000 (treqind mijë) lekë për çdo person të plagosur, ndihma për të cilat kryeministri u shpreh se synojnë të lehtësojnë sadopak gjendjen e krijuar në këto familje. “Në përputhje me ligjet e vendit qeveria vendos ndihmën për familjet e viktimave në aksidentin e Himarës, ndihmë e cila sipas ligjit është 1 000 000 (një milion) lekë, përveç shpenzimeve të varrimit, të cilat do të mbulohen me shpenzimet e qeverisë. Për të plagosurit, po në përputhej me vendimin është përcaktuar shuma 300 000 (treqind mije) lekë, e cila synon të lehtësojë sadopak gjendjen e krijuar në këto familje, të cilat humbën njerëzit e tyre më të dashur apo patën të lënduar nga ky aksident”, u shpreh kryeministri Berisha.