Qeveria shqiptare 50 mijë euro ndihmë vendit fqinj
Dëmet nga tërmetet në Itali
Kryeministri Berisha, që në nisje të mbledhjes së qeverisë, duke shprehur ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e jetëve njerëzore në vendin mik, bëri të ditur se kontributi modest i qeverisë shqiptare konsiston në dhënien e një shume prej 50 mijë eurosh në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti, në Itali. Gjithashtu, kryeministri Berisha drejtoi një thirrje në emër të qeverisë shqiptare për bizneset dhe qytetarët, të cilët në shenjë solidariteti janë të ftuar të japin kontributin e tyre pranë dy kontove bankare të hapura nga ambasada italiane në Tiranë.
“Gjatë këtyre dy javëve të fundit, Italia, ky vend mik i shkëlqyer ka pësuar një seri tërmetesh me shkatërrime serioze, me humbje të 25 jetëve të qytetarëve të saj, por fuqia e këtyre tërmeteve ka qenë një fuqi shkatërruese. Një numër i madh ndërtesash janë shkatërruar, si dhe ka një numër të madh plagosurish. Duke ju shprehur edhe njëherë ngushëllimet më të sinqerta qeverisë italiane, familjeve të viktimave dhe duke bashkuar lutjen me këto familje dhe të gjithë qytetarët italianë që shpirtrat e tyre të prehen në paqe dhe në qetësi dhe të gjithë të plagosurit të shërohen, qeveria ka vendosur të japë një kontribut modest prej 50 mijë eurosh në ndihmë të familjeve të dëmtuara. Ndërkohë ambasada italiane ka hapur dy llogari bankare dhe thirrja jonë ndaj biznesit dhe qytetarëve është të japin kontributin e tyre modest, në shprehje të solidaritetit ndaj një vendi, i cili e ka mbështetur këtë vend dhe ka ndihmuar shqiptarët në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë këtyre 20 viteve. Në të gjitha vështirësitë, në të gjitha momentet e rëndësishme ka qenë ndihma bujare e tyre, ndihma e parë që ka arritur ne Shqipëri”, theksoi kryeministri Berisha.