E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria nuk pranon raportin e De Sotos, legalizimet një dështim spektakolar

Berisha me De Soton dhe drejtuesin e PNUD, Dervish

Kur Sali Berisha shpalli se do punësonte ekonomistin e njohur nga Peruja, Hernando De Soto, kishte nga ata që menduan se kryeministri po e merr seriozisht rregullimin e katrahurës që shkaktoi vërshimi i ndërtimeve pa leje në Shqipëri. Sot, gjashtë vjet më pas, thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Për më tepër, raportin e hartuar nga De Soto, qeveria nuk ka pranuar ta marrë në dorëzim. Siç raporton e përditshmja Shqip, në raportin e De Sotos thuhet se qeveria duhet të vendosë afate konkrete për kthimin e kompensimin e pronave dhe për legalizimin. Në raport thuhet se 78 përqind e pronave në vend mbahen në mënyrë të paligjshme ose kanë një defekt me pronën. Bëhet fjalë për rreth 18 miliard euro. Nëse nuk çlirohet ky kapital, vendi nuk do ecë përpara, thekson raporti. Këto ditë edhe Banka Botërore iu bashkua zërave për të zgjidhur problemin e pronësisë.

Por qeveria thjesht e ka përdorur kartën e legalizimit për zgjedhjet e ndryshme. Rreth 10 përqind e atyre që kërkojnë legalizim kanë marrë një tapi, kurse brenda institucionit përgjegjës për legalizimet ka shpërthyer korrupsioni. Nga ana tjetër, ndërtimet pa leje vijojnë të vërshojnë, siç po tregojnë edhe rastet e fundit në Tiranë e gjetkë. Qeveria merr një shumë krejt simbolike për legalizimin, që nuk ka shans të vendosë përpara edhe procesin e urbanizimit të këtyre zonave. Për më tepër, Gjykata Kushtetuese ka vendosur se regjistrimi i pronave të reja duhet të bëhet në momentin që kompensohen pronarët e vjetër.

Duke qenë se kjo është një bombë shpërthyese për qeverinë, ajo thjesht bën shfaqje. Gjashtë vjet më pas, gjërat nuk kanë ndryshuar thuajse aspak në këtë drejtim.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›