Historia e emigrantit shqiptar, që shteti e la në dorën e kriminelëve

Edmond Demiraj me familjen
Në dritën e një ligji të diskutuar në Kuvend për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe pas lajmeve të fundit se gjyqtarët në këtë vend kërcënohen dhe nuk e kanë jetën e sigurt, nga Shtetet e Bashkuara vjen një histori e dhimbshme, që ka pushtuar mediat kryesore të këtij vendi.
Prej disa ditësh, disa nga mediat më me zë në SHBA po shkruajnë për rastin e Edmond Demirajt, një emigranti shqiptar në SHBA, që thuhet se është tradhtuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
Demiraj shkoi në SHBA në mënyrë ilegale duke kaluar nga Meksika. Atje punoi për një person të quajtur Bill Bedini, i cili shumë shpejt u padit nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA për trafik të qenieve njerëzore. Në listën e të akuzuarve ishte edhe Demiraj, por akuzat ndaj tij ranë më vonë. Avokatët thanë se Demiraj kërkoi të dëshmonte kundër Bedinit, nëse do i garantohej mbrojtje për të e familjen e tij dhe një Green Card. Por Bedini u lirua me kusht dhe u arratis për në Shqipëri. Demiraj nuk dëshmoi dot kundër tij dhe autoritetet e emigracionit e depërtuan.
Pak pasi ishte kthyer në Shqipëri, Demiraj thotë se shpëtoi fatmirësisht nga Bedini, që e qëlloi atë, duke i lënë plagë plumbi në stomak. Për më tepër, Bedini rrëmbeu edhe tre mbesat e Demirajt dhe i detyroi të prostituojnë në Itali. Ato arritën të arratisen dhe tani janë në SHBA. Edhe Demiraj pasi e mori veten nga plagosja, tani është në SHBA, ku autoritetet kanë pranuar të mos e rikthejnë më në Shqipëri. Por autoritetet e kanë paralajmëruar se do i deportojnë gruan e fëmijët në Shqipëri.