E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria përfiton 3.2 miliardë euro kredi

15/07/2010 Investimet në infrastrukturë

Qeveria shqiptare ka arritur të sigurojë kredi në masën 3.2 miliardë euro, të cilat do t’i shfrytëzojë për investime në infrastrukturën rrugore, atë ujore dhe në sektorin energjetik. Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar dje gjatë mbledhjes së Qeverisë se përmes kredive të dhëna në këtë periudhë të vështirë globale tregohet besimi që institucionet financiare dhe qeveritë kanë në performancën ekonomike të vendit. “Është marrë fjala besim për veprimtarinë bankare. Kreditoj do të thotë para së gjithash besoj. Në qoftë se diku ka krizë besimi, ekziston besim i plotë ndaj ekonomisë dhe Qeverisë shqiptare. Kredio, besoj, dhe neve na besojnë. Një faktor shtesë madhor ishte mesazhi që dërguam me ristrukturimin e buxhetit, që partnerët financiarë e pritën në mënyrë të shkëlqyer”, tha ai. Kredia totale prej 3.2 miliardë eurosh ka ardhur nga Banka Europiane e Investimeve dhe Banka Islamike e Zhvillimit, të cilat janë angazhuar në financimin e ndërtimit të autostradës Tiranë-Elbasan. Banka Islamike, Fondi i OPEC-ut dhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim janë angazhuar për një financim të madh në rrugët rurale. Berisha tha se qeveria japoneze parashikon të ndihmojë me kredi të buta ndërtimin e rrugëve rurale të vendit, në shumën 100 milionë dollarë. Banka Gjermane e Zhvillimit ka marrë përsipër linjën e interkonjeksionit midis Tiranës dhe Prishtinës dhe po e konsideron me pozitivitet të madh linjën tjetër Tiranë-Shkup. Gjithashtu kjo bankë ka angazhuar një shumë të re prej 50 milionë euro në fushën e ujësjellësve dhe rreth 40 milion euro të tjera për vendosjen e një turbine shtesë në hidrocentralin e Vaut të Dejës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›