E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria përgjegjëse për vizat”

22/09/2009  Deklarata e Ballës

Partia Socialiste akuzoi si përgjegjëse kryesore qeverinë “Berisha” lidhur me procesin e liberalizimit të vizave. Sipas përfaqësuesve të PS-së, procesi i lëvizjes së lirë pa viza në hapësirën “Shengen” është një proces që implikon drejtpërsëdrejti përgjegjësi ekzekutive. “Gjatë legjislaturës së fundit, përmes kontributit dhe bashkëpunimit të deputetëve të Partisë Socialiste, Kuvendi ka kaluar të gjithë kuadrin ligjor të domosdoshëm që lidhet me liberalizimin e vizave, por i kundërt ka qenë reagimi i qeverisë në përmbushjen e standardeve të udhërrëfyesit për liberalizimin e plotë të vizave”, - vlerësoi deputeti i PS-së Taulant Balla gjatë një konference për shtyp. Duke iu përmbajtur kësaj linje, Balla shtoi se “qeveria është ekskluzivisht përgjegjëse për procesin tejet të vonuar të pajisjes së qytetarëve më pasaporta biometrike, ndërsa është dorëzuar plotësisht në luftën kundër trafiqeve dhe krimit të organizuar”. Ndërkohë, ndalur në qëndrimin e PS-së ndaj institucionit të Kuvendit, Balla u shpreh se “PS-ja i ripërsërit Sali Berishës kushtet legjitime, realizimi i të cilave është themelor, jo vetëm për forcën tonë politike, por për vendosjen e demokracisë në këtë vend. Ne nuk po bojkotojmë institucionet demokratike, ne jemi në këtë marrëdhënie të kushtëzuar për të mbrojtur themelin e institucioneve demokratike, pra zgjedhjet dhe votën e lirë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›