Topi: I gjithë rajoni në NATO
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka mbështetur integrimin e vendeve të Ballkanit në NATO. Këtë qëndrim, kreu i shtetit shqiptar e ka ndarë me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, gjatë një takimi që kanë zhvilluar dje në selinë e Presidencës. Burime zyrtare njoftojnë se “Presidenti Topi u ndal në disa prej arritjeve kryesore të vendit në përmbushje të detyrimeve, kritereve dhe standardeve që burojnë nga anëtarësimi i Shqipërisë në NATO, po ashtu dhe nga përpjekjet dhe aspirata e popullit shqiptar në rrugën e integrimit sa më të shpejtë të vendit në Bashkimin Europian. Presidenti i Republikës vuri në dukje mbështetjen e Shqipërisë për aspiratat integruese në Aleancën e Atlantikut të Veriut të të gjitha vendeve të rajonit ballkanik, duke përfshirë si Maqedoninë, Kosovën edhe Bosnjë-Hercegovinën në përputhje me parimin e dyerve të hapura dhe zgjerimin. Rasmussen është takuar dje edhe me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, me të cilin bashkëbisedoi për marrëdhëniet e reja mes NATO-s dhe Shqipërisë, që pas anëtarësimit.
#