E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama mbledh aleatët: Protesta pa mbarim

Opozita

Ideja e protestës pa afat ka marrë dje miratimin përfundimtar politik të opozitës. Në një takim të zhvilluar në hotel “Tirana”, përfaqësuesit e saj kryesorë, së bashku me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, kanë rënë dakord që skenari i tubimit popullor të parashikuar për të nisur sot në orën 18:00, t’i përmbahet idesë së vijimit të pakufizuar në kohë. “Ka qindra mijëra arsye individuale të njerëzve, pavarësisht përkatësisë së tyre, që do të mbledhin nesër shqiptarët në sheshin ‘Skënderbej’, për një protestë që nuk do të ndalet, që do të kërkojë thjesht dhe vetëm rikthimin në duart e popullit të një të drejte që nuk mund të negociohet”, deklaroi pas takimit kreu i selisë rozë, Edi Rama. Ndërsa ai ka ripërsëritur deklarimet e përditshme për arsyet e një proteste që po sillet para publikut me idenë e një lëvizjeje më të madhe popullore në historinë e pluralizmit, drejtuesit e partive të tjera opozitare kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë. Duke vlerësuar rrëzimin e qeverisë aktuale dhe kalimin në zgjedhje të parakohshme si opsionin e vetëm për rifaktorizimin e tyre aktiv politik, Skënder Gjinushi, Spartak Ngjela, Nard Ndoka dhe Preç Zogaj kanë apeluar me tone më të ashpra sesa Rama. “është shumë e thjeshtë: të bëhet transparenca e zgjedhjeve, ose të largohet, ose të vendosë zgjedhje të parakohshme. Protesta është permanente, është pambarim, si gjithë protestat e tjera në të gjitha kryeqytetet lindore, për të vendosur demokracinë në Shqipëri”, u shpreh Spartak Ngjela. Me të njëjtën gjuhë janë shprehur edhe përfaqësuesit e tjerë, të cilët kanë nënvizuar se masat antimiting të marra nga qeveria të parashikuara për datën 1 maj nuk mund ta ndalin protestën e opozitës. Ndërkaq, kreu i G99-s, Erjon Veliaj, ka theksuar arsyet e daljes në rrugë, që kanë të bëjnë jo vetëm me çështjen e zgjedhjeve si pikë nistore të reagimit opozitar, por edhe me një përjetim dramatik që qytetari shqiptar ka në raport me realitetin aktual që krijohet nga qeverisja e keqe. “Do të jemi aty në 1 maj e në ditët në vazhdim”, është shprehur ai, duke bërë të qartë vendosmërinë e opozitës për të vënë në zbatim alternativën e saj të vetme, që është protesta pa afat.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›