E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prefekti i Beratit lë detyrën pa pritur pasardhësin

Stafeta Koçi Lefta mbledh stafin dhe komunikon vendimin për shkarkimin e tij

Mëngjesi i djeshëm e ka gjetur në zyrën e tij më herët se ditët e tjera prefektin e Qarkut të Beratit, Koçi Lefta. Në orën 08.20 ai ka thirrur gjithë administratën prej 35 vetash të prefekturës për të dhënë vetë lajmin e lirimit të tij nga detyra. Lefta i ka falënderuar nëpunësit për punën e mirë që kanë bërë së bashku si staf dhe më pas i ka njohur me urdhrin e largimit të tij nga ky post. Lefta nuk ka pritur që të vijë ndonjë titullar, siç ndodh rëndom në kësi rastesh, por e ka marrë vetë përsipër të organizojë “ceremoninë” e largimit nga detyra.

Burime nga administrata e prefekturës bëjnë me dije se gjatë gjithë ditës së mërkurë, edhe pas orarit zyrtar, bashkëpunëtorët e ngushtë të prefektit të shkarkuar kanë qëndruar në zyra, duke punuar për të lënë gjithçka gati për prefektin e ri.

Shumë dosje kanë marrë trajtën e tyre të plotë dhe janë depozituar me kujdes dhe në mënyrën të fshehtë në zyrën e arshivës, ku punon edhe njeriu më i besuar i Leftës. Në këto dosje janë hedhur me kujdes të gjitha të dhënat, që nga shkresat, faturat, si dhe urdhrat e dhëna nga prefekti gjatë punë së tij afro njëvjeçare. Po sipas burimeve të sigurta të kësaj prefekture, aty ndodhen urdhrat për shpërblimin e punonjësve, shpërblime për të cilat prefekti është përfolur jo pak në Berat.

Në ditën e largimit të Leftës, disa nga nëpunësit e prefekturës thanë se ai nuk ka pasur kurrë besim tek administrata që gjeti dhe e ka mbikëqyrur vetë gjithçka, duke mos lejuar asnjë shkresë të kalojë nëpërmjet sistemit zinxhir të funksionit të administratës. Të hënën pritet që në prefekturën e Beratit të prezantohet zyrtarisht kreu i ri, Bujar Hoxha.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›