Policia, plan-dislokimi forcash për mitingun e PS-së
Policia ka synim parësor sigurimin e mbarëvajtjes së mitingut të sotëm të Partisë Socialiste dhe të aleatëve të saj. Të gjitha shërbimet e Policisë së Tiranës e kanë përqendruar vëmendjen e tyre në marrjen e masave për të krijuar kushtet për zhvillimin normal të mitingut. Burime zyrtare policore thanë për gazetën se është hartuar plani i dislokimit të forcave që do të sigurojnë mitingun, në të cilin priten të marrin pjesë mijëra vetë. Të gjashtë komisariatet e Tiranës kanë vënë në dispozicion të drejtorisë një sasi forcash që arrijnë në dhjetëra veta. Ata do të angazhohen sipas nevojave të drejtuesve që do të organizojnë forcat në këto shërbime. Drejtuesit e policisë kanë përcaktuar vendet e vendosjes për të gjithë efektivat që do të marrin pjesë në ruajtjen e mitingut. Plani i vendosjes u është dhënë në dorë dje shefave të komisariateve, të cilët më pas kanë caktuar emrat e policëve që do të kryejnë shërbime atje. Efektiva e patrullave të përgjithshme apo dhe grupet e gatshme do të jenë në dispozicion të mitingut. Sasia e forcave që një komisariat vë në dispozicion të mitingut shkon nga 50-80 policë. Madje, për të mos lënë shërbimet bosh janë thirrur në detyrë edhe policët që sipas grafikut nesër duhet të ishin pushim. Ndërsa forcat e komisariateve do të vendosen në kordone para institucioneve, apo objekteve të tjera, policia e qarkullimit do të jetë e pranishme në hyrjet dhe daljet e pjesës së bulevardit ku do të zhvillohet mitingu i opozitës.
Burimet thanë se përveç forcave të komisariateve dhe të Drejtorisë së Tiranës do të jenë në dispozicion edhe Reparti 712 i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, i specializuar për menaxhimin e turmave. Ata do të dislokohen pranë INIMA-s në gatishmëri të ndërhyjnë në rast të thyerjeve të rregullave të përcaktuara për organizimin e tubimeve. Madje, këto forca janë liruar edhe nga shërbimet që ata kanë pasur për ruajtjen e personave të lënë nga gjykata me masa sigurie “arrest shtëpie”. Në ruajtjen e këtyre personave janë angazhuar shërbime të komisariateve, sipas zonave ku ndodhen banesat e këtyre personave.
Uniformat blu presin një miting paqësor, ashtu edhe siç është deklaruar nga drejtuesi i PS-së, Edi Rama. Ata më të vështirë do të kenë menaxhimin e situatës kur në sheshin “Nënë Tereza” do të vijnë për të festuar përkrahësit e PD-së. Për t’i paraprirë kësaj, drejtuesit e policisë mendojnë të krijojnë një distancë sigurie, që do të mbajë larg pjesëmarrësit në tubimet respektive.
#