“Qeveria prioritet cilësisë së edukimit në universitete dhe shkollat e larta”

Kryeministri Berisha takon Dr. Muharrem Mane, kërkues shkencor në fushën e aeronautikës në Universitetin Purdue në SHBA
Kryeministri Sali Berisha priti dje në një takim të veçantë Dr. Muharrem Mane, kërkues shkencor në fushën e aeronautikës në Universitetin Purdue në SHBA, i cili është profesor vizitor në Universitetin Politeknik të Tiranës i mbështetur nga programi Brain Gain.
Dr. Mane e falënderoi Kryeministrin për pritjen dhe për angazhimin e qeverisë së tij dhe angazhimin e tij personal, për mbështetjen që tregojnë për programin Brain Gain duke i mundësuar ardhjen në Shqipëri dhe përfshirjen në aktivitetin shkencor akademik të Universitetit Politeknik në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.
Kryeministri Berisha e falënderoi Dr. Manen për angazhimin e tij në Shqipëri përmes programit Brain Gain he premtoi se mbështetja e qeverisë për këtë program do të jetë e vazhdueshme dhe e qëndrueshme, pasi ky program lidhet me zhvillimin cilësor në arsim, një ndër fushat më kryesore të punës së qeverisë së tij. Në vijim Kryeministri u ndal në arritjet në arsim dhe në betejën e re që ka shpallur qeveria e tij për rritjen e cilësisë së edukimit që ofrohet në universitete dhe në shkollat e larta.
Dr. Mane shtoi se puna që po bën për të lidhur marrëveshje afatgjata mes Universitetit Politeknik të Tiranës dhe Universitetit Purdue në SHBA përputhet me vizionin për cilësi të Kryeministrit dhe qeverisë së tij. Ai i premtoi Kryeministrit se do të punojë pa ndërprerë për të zhvilluar më tej punën e nisur në Universitetin Politeknik.