E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria rihap afatet për oborret në përdorim

12/01/2012  Ndryshon ligji për privatizimin, favorizohen individët që përfitojnë ulje të vlerës së truallit

Qeveria ka shtyrë me disa muaj afatet për shlyerjen e menjëhershme të pagesës për privatizimin e truallit shtetëror nga individë që përfitojnë ulje të vlerës së truallit sipas parashikimeve të ligjit nr.10 270, datë 22.04.2010, “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij”. Afatet shtyhen gjithashtu edhe për faljen e qirave të papaguara. Ligji në fjalë ka si objekt rregullimin dhe sigurimin e mbledhjes së të ardhurave nëpërmjet së drejtës së privatizimit dhe vendosjes së taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror në përdorim të individëve që kanë përfituar nga procesi i privatizimit të ndërtimeve mbi truallin shtetëror. Sipas ndryshimeve më të fundit të qeverisë, ai zbatohet edhe për trojet e paprivatizuara mbi të cilat janë ndërtuar ndërtesa në bazë të lejeve të ndërtimit të lëshuara nga organet e qeverisjes vendore pas datës 10.08.1991 e në vazhdim, sipas genplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore, shitja e të cilave është realizuar nga ish-kooperativat bujqësore apo organet e qeverisjes vendore. Ky ligj nuk e shtrin veprimin e vet mbi trojet turistike, mbi objektet dhe trojet e pranuara në proces legalizimi apo mbi trojet shtetërore të dhëna me qëllim investimin mbi to, të cilat rregullohen nga ligje të tjera. Sa u takon afateve, sipas ndryshimeve të propozuara, “qiratë e papaguara përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji falen në rastet kur individët që përfshihen në subjektet që i nënshtrohen detyrimit për pagesën e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, brenda datës 31.12.2012: a) depozitojnë kërkesën për privatizim dhe pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit; b) nënshkruajnë marrëveshje për pagesën me këste”. Heqja dorë nga kërkesa për pagesë të menjëhershme apo nga marrëveshja e pagesës me këste, si dhe mosrespektimi i afatit të pagesës, qoftë edhe të një kësti të vetëm në rastin e marrëveshjes së pagesës me këste, rikthen detyrimin për pagesën e qirave të papaguara. Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit që kërkohet të privatizohet bëhet me shkrim brenda datës 1.07.2012 dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 për qind të vlerës dhe 20 për qind të vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi.

Kërkesat pas korrikut

Nëse kërkesa për pagesë të menjëhershme të vlerës së truallit bëhet me shkrim pas datës 1.07.2012 dhe kjo pagesë realizohet brenda 30 ditëve nga data e pajisjes me autorizim për kalim pronësie trualli, individët përfitojnë një ulje prej 20 për qind të vlerës. Nuk përfitojnë nga ky përjashtim individët që paraqesin kërkesën e tyre pas datës 31.12.2012.

Kontratat e vlefshme

Kërkesat e paraqitura nga individët për pagesë të menjëhershme, të cilët përfitojnë ulje të vlerës së truallit sipas nenit 18 të ligjit “Për të drejtën e privatizimit të truallit shtetëror në përdorim dhe për taksën mbi të drejtën e përdorimit të tij” dhe kontratat e shitjes së truallit, do të konsiderohen të vlefshme dhe pas afatit të mëparshëm deri në afatin e përcaktuar në këtë ligj.

Sektorët që do të mbështeten nga fondi i programit për bujqësinë

Mbështetja nga arroret deri te mbarështimi i kërmillit

Vendimi i qeverisë përcakton masën e përfitimit në shkallë vendi

Qeveria ka përcaktuar përmes një vendimi kriteret bazë, sektorët që do të mbështeten e masën e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural për vitin 2012. Konkretisht sektorët: prodhimi i frutave, arroreve e shegëve, ullinjve dhe rrushit; prodhimi i perimeve në serra; prodhimi i qumështit, i vajit të ullirit dhe mjaltit; prodhimi i produkteve organike; nxitja e kreditimit bankar në sektorin e bujqësisë; mbarështimi i njëthundrakëve; mbarështimi i kërmillit; prodhimi i bimëve medicinale. Ndërsa masat e mbështetjes dhe masa e përfitimit nga fondi i programit për bujqësinë dhe zhvillimin rural në shkallë vendi do të jenë për: mbjellje ullinjsh 250 000 lekë/ha për format intensive të kultivimit dhe 180 000 lekë/ha për format tradicionale; mbjellje arrash 250 000 lekë/ha për mbjelljet me fidanë të shartuar për qarqet Kukës, Dibër, Korçë dhe rrethin Librazhd, si dhe 180 000 lekë/ha për mbjelljet me fidanë të pashartuar në të gjithë vendin; Mbjellje ekstensive lajthish, bajamesh dhe shegësh, 180 000 lekë/ha; mbjellje intensive lajthish, bajamesh dhe shegësh, 200 000 leke/ha; mbjellje mollësh, dardhësh, kumbullash, qershish, pjeshkësh dhe ftonjsh, 200 000 lekë/ha; agrume, kivi dhe luleshtrydhe, 200 000 lekë/ha, për format intensive të kultivimit; mbjelljen e vreshtave, në masën 250 000 mijë lekë/ha. Sipërfaqja minimale e mbjellë me bimët e mësipërme duhet të jetë jo më pak se 2 dynymë. Sa i takon prodhimit të vajit të ullirit ekstra i virgjër, masa e mbështetjes të jetë 100 lekë/litër për sasitë deri në 15 tonë/vit.

Lojërat e fatit

Miratohen kriteret për licensën për lotarinë kombëtare

Qeveria miratoi dje vendimin “Për miratimin e kritereve të vlerësimit të garës, të dokumenteve standarde dhe strukturës së Komisionit të Vlerësimit të Aplikimeve, për dhënien e licensës për lotarinë kombëtare”. Ai është hartuar pas një konsulence të gjerë, serioze e mbi standarde evropiane me ekspertë të Shoqatës Europiane të Lotarisë Kombëtare dhe të Shoqatës Botërore të Lotarisë. Vendimi në fjalë përcakton kriteret dhe standardet më të larta në vlerësimin e aplikimeve për dhënien e licensës për lotarinë kombëtare në përputhje me standardet për ushtrimin e lojërave të fatit të përcaktuara nga Shoqata Botërore e Lotarisë dhe Shoqata Europiane e Lotarisë. Gjatë diskutimit të këtij vendimi Kryeministri Berisha sugjeroi që një përqindje e të ardhurave nga ky aktivitet të përdoren për të siguruar fonde për të mbështetur sportet, talentet e reja dhe të sëmurët me neoplazi. Propozimi është bërë nga ministri i Financave Ridvan Bode në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të ligjit nr. 10 033, datë 11.12.2008 “Për lojërat e fatit”, i ndryshuar. Për zbatimin e këtij vendimi, i cili hyn në fuqi menjëherë, ngarkohet Ministria e Financave.

Mbledhje qeverie

Transformimi dhe fuqizimi sektorit të bujqësisë

Kryeministri Berisha trajtoi në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave disa probleme të zhvillimit në sektorin e bujqësisë, duke përcaktuar edhe disa nga drejtimet në të cilat do të përqendrohet vëmendja e qeverisë për transformimin e fuqizimin e këtij sektori. Kreu i qeverisë tha se ai është e do të jetë gjithnjë një ndër sektorët më të rëndësishëm të krijimit të pasurisë, rritjes së të ardhurave, përmirësimit të bilancit tregtar e mbi të gjitha të mëkëmbjes së atyre që zotërojnë tokën në këtë vend. Kryeministri deklaroi se janë bërë investime të mëdha në ndërtimin e rrugëve dytësore e tretësore në zonat rurale, si dhe përpjekje në mbështetjen e fermerëve, në sistemin e kanalizimeve, të vaditjes e të kullimit. Duke u fokusuar tek e ardhmja e këtij sektori, Berisha deklaroi se qeveria do të ndërmarrë përpjekje madhore për transformimin rrënjësor të tij, e përqendruar në dy aspekte: ndërtimin e infrastrukturës dixhitale, çka do t’i mundësojë fermerit shqiptar të disponojë on-line çdo informacion që i nevojitet, dhe ndërtimin e infrastrukturës financiare, që përmes eksesit në mikrokredisë do të shndërrohet në një mbështetje të fuqishme për çdo fermer shqiptar. Pas finalizimit të projektit të rrugëve projekti i madh i ardhshëm do të jetë ai i vaditjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›