E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “shpëton” godinat e partive e vogla

19/01/2011  Shteti merr përsipër pagesën e qirasë së selisë dhe zyrave

Partitë politike, që kanë mbi 1 për qind të votave, përfitojnë ndërtesë

Komisioni i Ligjeve ka miratuar dje ndryshimet në ligjin “Për partitë politike”, në të cilin parashikohet që dhe partitë joparlamentare do të vazhdojnë punën e tyre në zyrat dhe godinat aktuale, ku gjithashtu përcaktohet ndihma për të pajisur me godinë ose për t’ju paguar qiranë jo vetëm partive parlamentare, por edhe atyre që mesataren e votave në tri zgjedhjet e fundit parlamentare e kanë mbi 1 për qind në shkallë vendi. Duke bërë ndryshime në projektligjin e miratuar pak kohë më parë, Komisioni parlamentar i Ligjeve në këtë mënyrë ka “shpëtuar” kështu edhe partitë e vogla, të cilat nuk përfaqësohen në Kuvendin e Shqipërisë. Ndryshime u bënë për shkak të boshllëkut ligjor të ligjit në fjalë, konkretisht në Nenin 22, pika ‘b’ e tij, pasi ai është miratuar 11 vjet më parë e nuk parashikonte që shumë parti të atëhershme, të cilat nuk janë më në Parlament, të vazhdonin të pajiseshin me ambiente shtetërore.

Projektligji

Në projektligjin “Për partitë politike” është parashikuar edhe procedura që do të ndiqet për pajisjen e partive politike me godina. Sipas projektligjit, kërkesa për ndërtesë i paraqitet përkatësisht ministrit të Brendshëm, për pronat shtetërore në administrim të pushtetit qendror, dhe kryetarit të bashkisë, për pronat që janë në pronësi ose në përdorim të pushtetit vendor. Në rastet kur gjenden ndërtesa të lira, pronë shtetërore, ministri i Brendshëm ose kryetari i bashkisë lidhin kontratën e huapërdorjes me partinë politike parlamentare. Kur nuk gjenden ndërtesa të lira, shteti, ndërmjet ministrit të Financave merr përsipër pagesën e qirasë së selisë qendrore dhe zyrave vendore të partisë politike. Kontrata e huapërdorjes ose pagimi i qirasë do të zgjasë për aq kohë sa partia politike ushtron veprimtarinë parlamentare. Brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike duhet të kryejë inventarizimin e pronave shtetërore të paluajtshme që u janë dhënë partive politike, si dhe identifikimin e marrëdhënies juridike të krijuar ndërmjet shtetit dhe partisë politike për pronën që i është dhënë partisë politike.

Refuzimi

Pak muaj më parë, Këshilli i Ministrave përcaktonte qartazi se kontrata e huapërdorjes ose pagimi i qirasë do të zgjaste për aq kohë sa partia ushtronte veprimtari parlamentare, duke i vënë para faktit të kryer partitë që aktualisht nuk ishin të tilla. Por në projektligjin e kthyer mbrapsht dhe të rishikuar tashmë së bashku me grupet e interesit, Qeveria shtoi edhe një paragraf, formula e të cilit u mundëson disa partive të vogla që të vazhdojnë të ushtrojnë veprimtarinë e tyre politike në ambiente shtetërore.

Debatet në Komisionin e Ligjeve

Në referencën e tij, gjatë mbledhjes së Komisionit parlamentar të Ligjeve, deputeti i PS-së, anëtar i këtij komisioni, Saimir Tahiri vijoi në akuzat e tij aty ku dhe e kishte mbyllur një natë më parë në seancën e parë parlamentare për 2011-n, e cila u zhvillua mes tensionit dhe sharjeve nga të dyja kahet e politikës së përfaqësuar në Parlament. Duke diskutuar mbi çështjen e ekspertit kontabël, i cili sipas projektligjit të miratuar dje nga Komisioni i Ligjeve përcaktohet nga KQZ-ja, deputeti Tahiri akuzoi kreun e institucionit më të lartë zgjedhor në vend si të kapur nga politika dhe mazhoranca. Kjo bëri që pas dy orë e gjysmë pjesëmarrje, Saimir Tahiri të largohej nga mbledhja e djeshme. Provokimi i Tahirit shkaktoi dhe debate me kreun e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmailin.

Debatet

Saimir Tahiri

KQZ-ja, brenda afateve të zgjedhjeve të listës kalimtare, brenda 45 ditëve përzgjedh listën paraprake dhe cakton me short një apo më shumë ekspertë të kësaj fushe. Pra, KQZ-ja bën një filtër dhe pastaj vepron. Kështu që jo vetëm është një mekanizëm i ndërtuar keq, por është një mekanizëm që fare mirë (i drejtohet Rusmailit), ai shoku yt që është në KQZ mund ta keqpërdorë atë me urdhrin tuaj... (Saimir Tahiri braktis më pas mbledhjen e Komisionit të Ligjeve.)

Rusmaili-Tahirit

Të kesh turp që diskuton në këtë mënyrë! Po diskutojmë për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme, por kjo është përgjigjja juaj ndaj integritetit që ju keni. Po kërkojmë riformulim ligjor, dhe ju vini këtu e bëni propagandë të turpshme dhe të fëlliqur politike. Po përpiqemi që të riformulojmë nenin duke iu përgjigjur çdo lloj sensibiliteti ndaj parregullsive. Dhe kjo vetëm e vetëm që ju ta kuptoni që kjo është për të mirën e këtij vendi. Nuk është as për interesin tim, as për interesin e atij që iku (duke nënkuptuar Tahirin). Ky njeri ka mision shkatërrimin. Nuk i dhembi fare fakti që po vjen dhe kundërshton një projekt që na ka ardhur nga Këshilli i Evropës.

Bashkim Fino

Qetësohu, zoti kryetar, se ka ikur ai tashmë.

Ilir Rusmaili

Unë kam një qetësi apokaliptike. Po ka respekt apo jo ai njeri ndaj opinionit publik?!

Bashkim Fino

Është i vogël akoma ai.

Ilir Rusmaili

Ka respekt ndaj mandatit të tij ky njeri, apo s’ka respekt?

Bashkim Fino

Ka, ka... por s’ia vlen ta zgjasësh më tej... ai iku tani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›