E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi: Të rikthehet urgjentisht demokracia parlamentare

19/01/2011  Kreu i shtetit komenton seancën e tensionuar në Kuvendin e Shqipërisë

Presidenti i Republikës thirrje nga Tepelena për vetëpërmbajtje nga ana e partive

Në përfundim të vizitës së tij të djeshme, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka komentuar nga Tepelena seancën e parë parlamentare për 2011-n, e cila u zhvillua në një tension të vazhdueshëm, mes sharjesh dhe ofendimesh të të dyja kaheve të politikës. Interesimit të gazetarëve të pranishëm mbi situatën e tensionuar politike, Presidenti Topi iu përgjigj duke u shprehur se ajo ishte një seancë e Parlamentit, që në fakt është pjesë e një rituali tashmë të papranuar nga ndjeshmëria e qytetarit shqiptar. Më pas Topi i bëri apel politikës shqiptare që të rikthejnë urgjentisht dimensionin demokratik parlamentar. “Është mjaft i rëndësishëm dhe besoj ky dimension është i parë në një këndvështrim mjaft kompleks, së pari, si një detyrim qytetar, së dyti, që është shumë i rëndësishëm në planin etik të komunikimit, të diskutimit, dhe mbi të gjitha në planin e dimensionit të vendimmarrjes, që është një element i rëndësishëm civil, në radhë të parë kushtetues për fatet e Shqipërisë, për prosperitetin e këtij vendi, i cili sot, më shumë se kurrë është afër familjes evropiane”, deklaroi Topi. Duke u shprehur se e themi shpesh këtë, Presidenti Topi u shpreh i mendimit se me këtë element mjaft optimist që e shoqëron Shqipërinë në perspektivën e saj të sigurt evropiane, duhet patjetër dhe rifitimi me shumë seriozitet i dimensionit institucional, jo thjesht në Parlament, por në të gjitha institucionet e Shqipërisë. “Unë, edhe nga Tepelena, do t’u bëja thirrje të gjitha institucioneve kushtetuese që të rivendosen sa më shpejt në korrektësinë dhe në detyrimin që i dikton Kushtetuta, i dikton ligji, sepse sa më shumë të jenë ata në detyrën e tyre, sa më shumë të flasin ata me ligjin, aq më pak do të ketë mjedis për abuzime të karakterit politik dhe sa më shumë ata të jenë në detyrën e tyre, aq më shumë do të ketë qetësi për qytetarët”, theksoi dje kreu i shtetit, duke shtuar se “kjo vlen për të gjithë dhe dëshiroj që ky mesazh të implementohet sa më shpejt të jetë e mundur në mjedisin civil të institucioneve tona”.

Video-përgjimi

I pyetur dje në lidhje me videon më të fundit të publikuar në media, ku shfaqen ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta dhe ish-ministri i Energjetikës, Dritan Prifti, duke diskutuar mbi një koncencion HEC-i, Presidenti Topi u shpreh se pozicionin e tij për këtë çështje e ka dhënë më parë nga qyteti i Pogradecit, por ritheksoi gjithashtu se çdo institucion të bëjë detyrën e tij. “U bëj thirrje të gjitha institucioneve që të angazhohen në respektimin e ligjeve. Vetëm duke zbatuar ligjet do ketë më pak abuzime në vend”, tha Topi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›