E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria sulm mbi drejtësinë, pas BE reagon Opozita

Nga Suela Gera, Daniela Bonollari
Pas shqetësimit të ambasadorëve të BE-së për sulmet e qeverisë Berisha ndaj sistemit të drejtësisë kanë reaguar edhe partitë politike të opozitës. Kryesocialisti Rama akuzoi kryeministrin Berisha se për shkak të interesave të tij klanore po fut në konflikt qeverinë me Prokurorinë. Sot kanë reaguar edhe PSD e PDS. Zërave të opozitës iu bashkua edhe aleatja e PD në maxhorancë, PDK.
BE KUNDER QEVERISE
REAGON PS 

TIRANE- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha se për shkak të interesave të tij personale dhe klanore po fut qeverinë dhe maxhorancën në një konflikt privat me Prokurorinë e Përgjithshme.
Vetëm pak orë pas publikimit të deklaratës së përbashkët të ambasadorëve të BE-së të akredituar në Tiranë, Edi Rama është shfaqur para medias për të deklaruar qëndrimin e partisë që ai drejton.

Ai e cilësoi thirrjen e BE si këmbanë që bie për kryeministrin dhe si alarm për të gjithë qytetarët që duhet të jenë në front për të zbrapsur dallgën e ngritur të presionit qeveritar.

“Thirrja e BE-së sot është një tjetër shprehje e faktit që Berisha për shkak të interesave ekskluzivisht personale e klanore të lidhura me botën e paligjshme ka futur qeverinë e vendit , maxhorancën në një konflikt privat me prokurorinë e Republikës”- theksoi Rama.

Rama akuzoi kryeministrin se po pengon reformat në drejtësi duke kërcënuar në mënyrë të hapur prokurorinë dhe duke mbrojtur biznesmenin serbo boshnjak Damir Fazlic.

“Për shkak të interesave private ne sot po shohim një ndër shfaqjet më të turpshme që ka dhënë kjo shumicë qeverisëse. Ajo është kthyer në zyrë avokatie e një sekseri serb i cili ka kthyer kryeministrin në një sekser për aferat e tij. Qeveria po kthehet në një trup avokatore që mbron nga prokuroria një sekser të ballkanit”- vazhdoi Rama.

Duke u bashkuar me shqetësimin e ambasadorëve BE dhe të SHBA, kryetari socialist i bëri thirrje kryeministrit që të tërhiqet nga ky qëndrim dhe t’i drejtohet prokurorisë për të dëshmuar për ngjarjet e fundit. “I bëj thirrje kryeministrit që të tërhiqet pa humbur kohë dhe të mos lëvizë jashtë kufijve të detyrimeve të tij ligjore por të respektojë këtë shqetësim të SHBA, BE. Minimalisht të mbyllë gojën në raport me probleme e procese, që nuk kanë të bëjnë me detyrimet e tij ligjore dhe të hapë gojën para prokurorëve, dhe të tregojë gjithcka që di, për ato që janë kthyer aktualisht në shqetësim publik.
Pak para kreut të PS, kreu i social-demokratëve Skënder Gjinushi doli para mediave dhe shprehu indinjatën ndaj presionit që po i bëhet sistemit të drejtësisë.

“Ne si PSD përshëndesim mbështetjen që po i japin këtyre institucioneve organizmat ndërkombëtare, e veçanërisht ambasada e SH.B.A. Këtë mbështetje duhet ta japë më me forcë gjithë opinioni publik”, tha Gjinushi. Sipas social-demokratëve, në krye të skandaleve është vetë kryeministri Sali Berisha. “Çështja Fazlliç tregon se Berisha është i komanduar dhe vegël e strukturave dhe lobeve antishqiptare”, tha Gjinushi duke kërkuar që kreu i qeverisë të vihet para drejtësisë.

Edhe partia tjetër e majtë, Demokracia Sociale dënoi sot sjelljen e qeverisë Berisha në adresë të Prokurorisë së Përgjithshme. Sekretari Politik i kësaj partie, Artur Duckallari tha se “PDS bashkohet bashkohet me shqetësimin e shprehur nga ambasada amerikane në Tiranë dhe vlerëson se pavarësia e organit të akuzës, ashtu si ajo e gjykatave, është e shenjtë dhe duhet respektuar në çdo rast”. Në fund të deklaratës, Demokracia Sociale si dhe partia e Gjinushit kërkoi dorëheqjen e Kryeministrit Berisha dhe dorëzimin e tij përpara drejtësisë.

Zërave të opozitës iu bashkua dhe partia e Nard Ndokës, PDK. E pozicionuar si e djathtë, PDK është treguar me e butë në tonet e deklaratës për shtyp. Ajo ka këshilluar që qeveria të lexojë mesazhet miqësore të SHBA-ve. Në deklaratën për shtyp të lexuar nga sekretarit Politik i PDK-së, Lazër Stani u shpreh shqetësimi i këtij subjekti politik ndaj konfliktit të hapur së fundmi mes qeverisë dhe Porkurorisë.

“Sulmet e fundit të ekzekutivit shqiptar ndaj Prokurorisë së Përgjithshme, sulme ku janë përshirë ministri i Brendshëm, ministri i Drejtësisë dhe së fundmi kryeministri, kanë krijuar shqetësime serioze dhe po i krijojnë vështirësi institucionit të Prokurorisë në kryerjen e misionit të saj kushtetues”.

PDK, shton mes të tjerash se nëpërmjet grupit të saj parlamentar, në respekt të Kushtetutës së vendit, do t’i japë gjithë mbështetjen e saj Pushtetit Gjyqësor dhe në veçanti Prokurorisë së Përgjithshme.

Demokrostianët u treguan kritikë për deklaratën e berë një ditë më parë të kryeministrit Berisha. “Gjykojmë të dënueshme ngritjen e strukturave paralele për të dubluar dhe vënë nën presion Prokurorinë e Përgjithshme, siç deklaroi kryeministri për rastin e hetimit të dosjes “Fazlliç”. PDK e ftoi qeverinë të heqë dorë nga leximi i mesazheve që vijnë nga Bosnja. Përkundër kësaj ata e këshillojnë kryeministrin Berisha të mbledhë tryezen e aleatëve dhe të bisedojë bashkarisht me partitë pjesëmarrëse në koalicionin qeverisës për cështjet që shqetësojnë vërtet vendit.

Si, Bashkimi Europian dhe Ambasada Amerikane shprehën shqetësimin që dy institucione të ekzekutivit, përkatësisht Ministria e Brendshme dhe ajo e Drejtësisë po ndërhyjnë në institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp që u publikua sot ambasadorët e BE i bëjnë thirrje qeverisë shqiptare se "ndërhyrjet e shpeshta në sistemin e drejtësisë sjellin konflikte mes institucioneve në vend". Po kështu dhe ambasada e SHBA,dje, shprehu shqetësimin e saj ndaj veprimeve të Ministrit së Drejtësisë dhe asaj të Brendshme për të ndërhyrë në pavarësinë e Prokurorisë.
Vetë kryeministri Berisha sulmoi dje Prokurorinë e Përgjithshme për dy urdhrat e lëshuar për ndalimin e Fazlicit dhe për bllokimin e bizneseve të tij. Ai i cëloi urdhrat si veprime “si një “turp” për vendin tonë. Cështja e serbo- boshnjakut Damir Fazlic i cili akuzohet për pastrim parash në Shqipëri dhe përplasja institucionale që lindi pikërisht për këtë cështje u bë temë debati dhe në seancën e djeshme parlamentare.
(BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›