E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet vullnetare, vjet arritën në 3,733 milionë lekë

26/01/2010  Ndryshon struktura e tregut të sigurimeve për vitin 2009
Në harkun kohor të pak viteve, tregu i sigurimeve gjendet me një strukturë të përmirësuar në favor të sigurimeve vullnetare. Ekspertët e Autoritetit të Sigurimeve Financiare kanë analizuar të dhënat për vitin 2009 dhe sipas tyre sigurimet vullnetare këtë vit sollën 47.31 për qind të primeve të sigurimit. Primet e sigurimit vullnetar arritën rreth 3,733 milionë lekë, ose 20.16 për qind më shumë se në vitin 2008 dhe me rreth 34.43 për qind rritje të numrit të kontratave të sigurimit krahasuar me vitin 2008. Sigurimet vullnetare të jo-jetës gjatë vitit 2009 patën rritje me rreth 16.23 për qind kundrejt një viti më parë. “Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive me të ardhura rreth 2,015 milionë lekë në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime në pronë me rreth 35.15 për qind të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 31.04 për qind dhe më pas vjen sigurimi i garancive me 11.44 për qind”, - thekson analiza. Viti 2009 rezultoi i suksesshëm për sektorin e sigurimeve në Shqipëri, duke rritur ndjeshëm ritmet e zhvillimit të shoqërive të sigurimit dhe tregut në tërësi. Të ardhurat nga primet e sigurimit arritën rreth 7.889 milionë lekë, ose 11.28 për qind më shumë se në vitin 2008. Gjatë vitit 2009 numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 755,669 duke shënuar një rritje prej rreth 9.83 për qind, krahasuar me një vit më parë. Sipas ekspertëve, rritja e primeve ka qenë në harmoni me rritjen e numrit të kontratave të sigurimit, çfarë përforcon qëndrueshmërinë e tendencës së zhvillimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›