Socialistët pa strategji
Kaosi që ka përfshirë muajt e fundit politikën shqiptare e ka burimin tek kriza e dy forcave kryesore politike, PD e PS. Por më shumë sesa demokratët, kriza vazhdon të jetë e fortë brenda së majtës, ku vetëm pak javë pas përfundimit të protestës tre ditore të forcave opozitare, dalin përplasjet dhe kontradiktat mes krerëve të koalicionit opozitar, por edhe një mungesë e qartë strategjie, që varion nga hapja e kutive, te largimi i Berishës, te ikja e tij në 2010, apo dhe te denoncimi i skandaleve herë pas here. Mungesa e një alternative konkrete e të qartë ka ‘shpartalluar’ veprimin opozitar, duke i dhënë prioritet veprimit politik të maxhorancës. Që në krye të herës duhet thënë se Berisha po shet si kapital politik, çdo aksion të ndërmarrë prej tij apo forcës politike që drejton, por edhe këtu, evidentojmë faktin se në terrenin “shterp” e pa ide të politikës shqiptare, veprimet e Berishës gjejnë mundësi zhvillimi, edhe pse nuk janë aksione të suksesshme. Vetëm gjatë ditës së djeshme kryeministri Berisha u “shiti” shqiptarëve si një hap të madh drejt liberalizimit të vizave dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, çështjen e dorëzimit të pyetësorit nga delegacioni i Komisionit Evropian. Kjo është një procedurë krejt formale, (e tillë ka qenë dhe për Kroacinë dhe Maqedoninë) dhe në asnjë rast nuk është bërë zhurmë nga politikanët e këtyre vendeve të sipërpërmendura për ardhjen e pyetësorit dhe integrimin në BE. Sepse, çdokush nga ata që merren me çështjet e integrimit, e kuptojnë fare qartë se kjo është një procedurë formale, larg politizimit, janë disa detyra që duhet të plotësohen nga shteti shqiptar, i cili po aq duhet të angazhojë kapacitete të mëdha njerëzore për plotësimin e këtyre detyrave. Nga ana tjetër, kongresi i PD nuk solli ndonjë risi në zhvillimet e brendshme të kësaj partie, thjesht, ndryshimet e reja statutore “gozhduan” fuqishëm rolin e kryetarit të kësaj partie. Por këto janë një kapitull tjetër, ndaj le të përpiqemi të argumentojmë në këtë analizë, se ku çalon veprimi opozitar. Berisha në ofensivë, Rama në mbrojtje S’ka sesi të mos bjerë në sy fakti se veprimi politik i opozitës tashmë është “reduktuar” në përgjigje të pareshtura ndaj deklaratave apo veprimeve të kryeministrit Berisha. Nuk mund të na shqitet nga sytë pamja qesharake e përplasjes së dy policive, (asaj të rendit dhe asaj bashkiake) te pallati i kunatit të Dash Pezës, pak metra pas Hotel Tiranës. Jo vetëm kaq, por një grup i madh deputetësh të PS, u përballën atje me forcat e rendit për të mbrojtur pallatin e kunatit të Dashit. Të kuptohemi, ai pallat mund të ketë të gjithë dokumentacionin në rregull, mund të ketë çdo letër e vendim të shkruar, por PS, ndoqi hap pas hapi veprimin që ndërmori kryeministri Berisha (dhe këtë donte dhe vetë kryeministri). Se ç’punë kishte atje në atë pallat, Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni, Olta Xhaçka apo Eduard Shalsi, Gaz Bizhga etj, kur në fakt mungonin kokat e udhëheqjes së partisë, këtë nuk e kanë kuptuar as deputetët që ishin aty. Ai biznesmen, “i dhunuar” (nëse është i tillë), në mes të Tiranës, duhet të ndjekë procedurat ligjore kundër veprimit të qeverisë, e pas kësaj të kërkojë të drejtën e dëmshpërblimin, dhe nëse nuk ia zgjidh gjykata shqiptare të shkojë deri në Strasburg. Sepse gjendemi përballë faktit, që Berisha godet biznesin e Tan Dulakut, dhe deputetët e PS i gjen në rrugë në mbrojtje të biznesit të tij. Por Berisha po godet edhe biznesin e Beso Sulos, dhe bash për këtë shkak, deputetët e opozitës i dalin në mbrojtje, ashtu sikurse për Koço Kokëdhimën, Arjan Leskajn, Sadri Abazin, apo të tjerë e të tjerë që i përmendi gjatë një konference për shtyp. Pak kohë më vonë Berisha shpalli luftën e tij politike me pallatet e Durrësit, e pas kësaj opozita në mitingun e Durrësit nuk la gjë pa thënë për veprimin e qeverisë. Pra, në një farë kuptimi, Berisha tërheq prej hunde opozitën, dhe këta të fundit, i shkojnë pas avazit. Do të ishte më e udhës, që këta biznesmenë (disa prej tyre politikanë e disa të tjerë jo) të organizoheshin e drejtoheshin tek institucionet ku vetë ata aderojnë, pse jo edhe tek ndërkombëtarët. Opozita mund të dalë me një deklaratë të fortë për sulmin ndaj biznesit. Po pse për shembull, nuk del e nuk proteston opozita, për ato dhjetëra firma ndërtimi që po gjenden pa kokërr leku në fund të këtij viti, sepse drejtoria e Rrugëve nuk ka para? Pse duhet mbrojtur patjetër pallati i Dashit, apo Sadriut, i Tanit, apo Besos? Këtu, opozita ka humbur një betejë përballë Berishës, dhe përballë opinionit publik. Protestat Ka filluar turi i protestave të PS në të gjithë vendin. Filloi me Tiranën, e vazhdon në Vlorë, Durrës, Berat, ndoshta Shkodër, Elbasan, Fier etj. Sa më shumë hapet dhe zgjerohet gama e protestave, aq më tepër reduktohet numri i qytetarëve që dalin në rrugë për të protestuar për hapjen e kutive e largimin e Berishës. Kjo sepse, ashtu sikurse dhe vetë liderët e opozitës e evidentuan, tani është fund-vit, njerëzit më shumë presin t’u gëzohen festave, sesa protestave, duke i reduktuar shumë domethënien dhe qëllimin një mitingu. Ndoshta do të ishte më mirë një tjetër protestë e madhe në Tiranë, sesa tentativat për të hedhur plehrat përpara zyrave të kryeministrit. Edhe në raportimet e gazetarëve në median e shkruar dhe vizive, protestat po marrin gjithmonë e më shumë një rol dytësor, aq më tepër, që idetë që hidhen në këto aktivitete, nuk janë të reja. Grupi Parlamentar Me pak fjalë mund të thuhet se PS ka një grup të shpartalluar parlamentar. Ka idividë që nuk e kanë parë selinë rozë që në kohën kur kanë fituar nga KQZ mandatin si deputet (por nuk e kanë marrë mandatin në Kuvend) dhe vazhdojnë shikojnë punët e tyre private, brenda apo jashtë vendit. Ndoshta do të ishte më e udhës që grupi parlamentar i PS të konstituohej, të mblidhej, të drejtohej nga një individ, që duhet të zgjidhet si kryetar i këtij grupi parlamentar. Ndoshta duhet të ngriheshin komisionet e deputetëve të PS, për secilin nga komisionet parlamentare, të shqyrtonin çdo projekt-ligj që kalon në parlament, e çdo vendim qeverie. Edi Rama ka të drejtë kur thotë se “PS nuk është urgjencë” që të reagojë me minuta nëpërmjet deklaratave, për vendimet e qeverisë e parlamentit. Por ndërkaq, mundet që këto komisione, të paraqesin oponencën e tyre për çdo projekt, duke bërë të qartë pikëpamjet e opozitës për çështje të caktuara. Ndoshta do të duhet të ishte koha e një “akordi” të madh mes aktorëve kryesorë politik të PS për të afruar edhe deputetët “plang-prishës” që njëherë thonë se do të hyjnë në kuvend, dhe herë tjetër deklarojnë nëpër tavolina se do të krijojnë një parti të re. Ndër 5 deputetët që kanë shpallur linjën e tyre ndryshe nga kreu i PS, mund të gjendej një kompromis ku njëri prej tyre të ishte kryetar i grupit dhe kjo, me një vendimmarrje konsensuale që mund të sillte një qëndrim të unifikuar për partinë. Por, edhe nëse nuk do të ndodhte kështu, grupi parlamentar do të duhet të ketë një drejtim. Kompleksi i bllokut Akuzat e maxhorancës, herë pas here, drejtohen nga baballarët e bijve të zgjedhur deputet. Shpesh këta të fundit kompleksohen nga prejardhja dhe asnjëherë qartazi e prerë nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë këto kohë, për t’iu përgjigjur akuzave. Kështu kemi dëgjuar nga maxhoranca për Bilbil Klosin apo djalin e Sul Bushatit, apo atë të Xhelil Gjonit e Hamit Beqjas, deri tek djali i Kristaq Ramës. Por si shpjegohet që ka mungesë reagimi? Në fund të fundit, e kush nuk ka qenë gjatë kohës së diktaturës bir apo bijë e një komunisti dhe nuk ka hyrë në politikë në ditët e demokracisë? Sa herë është ngritur ‘dara e ligjit’ edhe mbi të ashtuquajturit bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, të cilët, futeshin në skenën politike e dilnin prej saj sipas llogarive të thjeshta që bënin krerët e partive. Asgjë nuk ndryshon dje me sot, nga e ashtuquajtura “lufta e klasave”, por këtë gjë, nuk po munden ta artikulojnë bindshëm eksponentët socialistë. *** Dhe në vend të reagimeve të shpejta të deputetëve të PS, ne shohim thjesht “stepje” të tyre dhe ndjekje të veprimeve të maxhorancës. Deputetët e PS, grupe- grupe duhet të organizoheshin dhe të shkonin përditë në rrugën Rrëshen- Kalimash, jo vetëm sepse “rruga e kombit” është duke u kthyer në megakorrupsionin e kësaj qeverie, por edhe sepse tuneli është shembur, ende nuk dihet se kur do të përfundojë dhe ende nuk është e qartë, sesa para të taksapaguesve shqiptarë do të marrë akoma. Ndoshta do të ishte më e përshtatshme që deputetët e PS të shkonin përditë përballë dyerve të Ina Ramës, t’i kërkonin kësaj të fundit intensifikim të hetimeve për çështjet më të rëndësishme të korrupsionit dhe jo “fjetje mbi dosje”. Ndoshta do të ishte më e përshtatshme dhe më e efektshme që deputetët e PS të shkonin në mënyrë të përditshme në Gërdec, atje ku vdiqën 26 persona pas një shpërthimi tragjik i konsideruar po ashtu si megakorrupsion. Dhe mos ta lënë të vetmuar Zamira Durdën, nënën e Edisonit 6 vjeçar që vdiq në këtë tragjedi thjesht se po bënte xhiro me biçikletë. Partitë e mëdha, kanë ide të mëdha, partitë e forta opozitare kanë strategji të forta për të ardhur në pushtet, por që s’mund të mbyllen në shëtitoren “Dëshmorët e Kombit” apo “Sheshin e Flamurit”...